Ferma e Shtëpisë – Rikthimi i Traditës Shqiptare

1.3k 0

Të vendit apo të importuara; dyshimi lind natyrshëm mbi origjinën e produkteve në treg.

Por shumëkush ka zgjedhur të ketë produkte më shumë se “të vendit”. Quhet bujqësi urbane.

Do të thotë të mbjellësh atë çfarë do, aty ku jeton.

Në Shqipëri ka qenë një praktikë e njohur dhe mesa duket po rikthehet.

Mund të gjeni produkte të freskëta e të stinës jo më larg sesa nga ballkoni juaj.

Fermat në shtëpi

Një vlerë e fermave urbane është se i shton gjelbërim qyteteve dhe ju mbrojnë nga temperaturat e larta për freskinë që krijojnë.

Vazot e mbushura me dhe’ ju ndihmojnë të lidheni më shumë me tokën dhe të vlerësoni rëndësinë e saj në prodhimin e gjithçkaje që konsumojmë.

“Një dashuri më vete”, kështu e përshkruan, Rezarta Delisula, gazetare nga Tirana dhe prej kohësh artikullshkruese në AgroWeb.org, ndjesinë e mbjelljes dhe vjeljes së produkteve në ballkonin vetëm 4 metra të gjatë në apartamentin e saj.

“Kam zgjedhur të mbjell produkte në ballkonin tim pasi dua të ndjej shijen e vërtetë të perimeve, dua që të paktën fëmija im të provojë disa produkte bio, të rritur sipas ciklit të vet. Ballkoni im është rreth 4 metra dhe kam vazo të thella ku mbjell kryesisht zarzavatet, ndërkohë kam sajuar dy sergjenë të tjerë të cilët i kam mbushur me vazo”, thotë Rezarta për AgroWeb.org.

Ballkoni i saj është një mini-fermë ku gjenden luleshtrydhe, speca, domate, mashurka, patëllxhanë, limona me prodhim 7 herë në vit dhe të gjitha llojet e erzave.

Ajo mendon të shtojë edhe kunguj në “fermën” e saj.

Gjatë dimrit ajo mbjell qepë të njoma, presh, rukokla dhe lakra të vogla, apo siç quhen, lakra brukseli.

Si të gjeni mjetet e nevojshme

Ku gjenden farat?

Ka disa vende në Tiranë, por ajo preferon shitësit me pakicë. “Zakonisht kam blerë fidanë, i marr jo në tregun e madh, por te ata fshatarë që shesin pak, pra që nuk e kanë biznes.

Fara përdor vetëm për erzat si kopër, majdanoz, selino, borzilok dhe ato të blera te fshatarët që nuk shesin me shumicë, por që si matës përdorin tapa shishesh.

Prodhimi i ballkonit është modest megjithatë mund të bëj supë me zarzavate të freskëta gjatë gjithë kohës të prodhimit”, thotë ajo duke shtuar se gjithkush mund të japë kontributin e tij për një qytet më të gjelbërt.

“Në vend të blloqeve të betonit është mirë të shohim gjelbërim në çdo tarracë ndërtese.

Duke qenë se unë banoj në katin e fundit, këtë vit do të investoj për ta kthyer taracën nga beton në vend prodhimi.

Në fakt kam filluar pasi në taracë kam rreth 10 pemë agrumesh të mbjella në vazo të mëdha që kanë dhënë dhe prodhim, ndërsa do të shtoj dhe një fidan ulliri që e shkëputëm nga pema mëmë rreth 5 centimetra dhe tashmë është bërë rreth gjysmë metri.

E kam mbajtur në ballkon deri tani për t’u kujdesur, e tanimë që është i fortë do ta kaloj në tarracë.

Fakti i gjelbërimit të taracave i bën mirë dhe pastrimit të ajrit në qytetet e mbushura me blozë.

Mbjellja e më pas vjelja janë ndjesi shumë çlodhëse, janë antistres dhe nuk të marrin aspak kohë nga dita jote.

Ndërkaq kur ndjen aromën e fortë e të vërtetë të prodhimeve të tua mbushesh me dëshirë për t’i shtuar këto sipërfaqe.”

Duke përshkruar eksperiencën interesante ajo ndan me humor diçka interesante: “Deri sa u bëra kaq, kisha menduar se luleshtrydhja ishte frut i athët, ndërsa kur provova ato të mbjella në vazot e ballkonit tim, kuptova se ato që kisha ngrënë mund të ishin gjithçka, por jo luleshtrydhe”, thotë Rezarta duke inkurajuar të gjithë t’i bëjnë një shërbim vetes, t’i bëjnë shërbim dhe qytetit duke mbjellë pemë apo zarzavate në cdo pjesë ku syri i sheh beton.

“Prodhimi i ballkonit është modest megjithatë mund të bëj supë me zarzavate të freskëta gjatë gjithë kohës të prodhimit”, thotë znj.Delisula.

Kopshtet e vogla – produktive dhe lehtësisht të menaxhueshme

Shumë produktive dhe lehtësisht të menaxhueshme, kopshtet e vogla mund të menaxhohen nga kushdo, nga më të vjetrit te më të rinjtë.

Kur nuk keni tokë të përshtatshme për mbjellje, mund të përdorni vazo të mbushura me dhe të plehëruar. Nevojat për ujë janë të pakta.

Në një vit për një metër katror kopësht ju nevojiten rreth 1 mijë litra ujë në vit, ose më pak se 3 litra në ditë.

Sipas studimeve të FAO-s, një mini-kopësht prej 1 metër katror mund t’ju sigurojë secilin prej produkteve te mposhtme:

200 domate (30 kg) në vit,

36 tufa sallatë jeshile çdo 60 ditë,

10 lakra të bardha çdo 90 ditë,

100 qepë çdo 120 ditë

Mos hezitoni të mbillni dhe kultivoni kultura të ndryshme në shtëpinë tuaj.

Do të keni fermën tuaj personale ose së paku do të kënaqeni e çlodheni me rritjen dhe vjeljen e tyre./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.