Novacioni ka sjellë zhvillimin e alternativave më pak të dëmshme. Politikat e duhanit duhet t’i përgjigjen progresit.

1.9k 0

Politikat aktuale të kontrollit të duhanit ë krijuara dekada më parë për të ‘luftuar’ duhanpirjen, nuk po adresojnë plotësisht çështjet e sotme të pirjes së duhanit. Zhvillimet teknologjike kanë çuar në krijimin e produkteve më pak të dëmshme pa tym (SFP – smoke-free products), të tilla si produktet e duhanit me ngrohje (HTP – heated tobacco products), cigaret elektronike dhe qeset e nikotinës, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht në shëndetin publik duke zëvendësuar cigaret për ata të rritur që vendosin të mos e lenë duhanin. 

Megjithatë, disa qeveri dhe organizata të shëndetit publik, përfshirë OBSH-në, duke ndjekur një qëndrim ndalues, po humbasin mundësinë duke i trajtuar produktet alternative njësoj si cigaret. Në anën tjetër, shumë vende që lejojnë akses në produkte më të sigurta dhe ofrojnë informacion rreth produkteve pa tym kanë parë rënie në prevalencën e pirjes së duhanit.  

Politikat e kontrollit të duhanit 

Efektiviteti i politikave të kontrollit të duhanit duhet të matet nga ndikimi i tyre në uljen e normave të duhanpirjes. Një krahasim i të dhënave të prevalencës së pirjes së duhanit në një periudhë të ngjashme kohore në tetë rajone tregon se vendet që ndalojnë në mënyrë eksplicite SFP-të dhe zbatojnë plotësisht të gjitha masat e OBSH-së po luftojnë për të ulur ndjeshëm normat e pirjes së duhanit. Gjithashtu, disa vende ku duhanpirësit po kalojnë në produkte alternative kanë parë rënie të normave të pirjes së duhanit me gati 50% gjatë dekadës së fundit.
Aktualisht, vetëm katër vende njihen për zbatimin e plotë të masave MPOWER të OBSH-së: Turqia, Brazili, Mauritius dhe Holanda. Ndër këto, Turqia, Brazili dhe Mauritius ndalojnë në mënyrë eksplicite produktet pa tym, ndërsa Holanda jo. Veçanërisht, Holanda ka parë uljen më të madhe të prevalencës së pirjes së duhanit brenda një afati kohor të ngjashëm, duke arritur një rënie prej 26%. 

Duhanpirja dhe tregtia e paligjshme 

Në vitin 2022, prevalenca e pirjes së duhanit në Turqi, duke përfshirë përdorimin ditor dhe të rastësishëm, mbeti mbi 30%, e pandryshuar që nga viti 2014. Ky stanjacion vazhdon pavarësisht masave të marra, si ndalimi i reklamave, rritja e taksave të akcizës, ruajtja e një paketimi të thjeshtë, ndalimi i cigareve me shije dhe i produkteve pa tym. 

Këto masa tregojnë se duhanpirësit nuk janë të gatshëm të lenë duhanin dhe nuk kanë akses në alternativa më pak të dëmshme. Për më tepër, Turqia përballet me sfida të mëdha me tregtinë e paligjshme të duhanit, e cila përbënte 27,9% të konsumit total të duhanit në vitin 2022. Mauritius (-6,2%), Brazili (-13,9%) dhe Tajlanda (-12,6%), të cilat gjithashtu ndalojnë produktet pa tym dhe kanë masa të rrepta të kontrollit të duhanit, kanë performuar pak më mirë në luftën kundër duhanpirjes. Megjithatë, janë larg suksesit të vendeve që kanë përqafuar alternativat pa tym. 

Duhet të theksohet se, ndërsa këto vende i ndalojnë produktet alternative, kërkesa për alternativa më pak të dëmshme vazhdon. Kjo ka sjellë tregtinë e paligjshme të këtyre produkteve, veçanërisht në Brazil, ku, sipas një sondazhi, 7,3% e të rriturve aktualisht përdorin produkte pa tym pavarësisht ndalimit. Duke qenë një ‘treg i paligjshëm’, nuk ka kontrolle të cilësisë dhe sigurisë ose kontrolle mbi shitjen nën moshë, ndërkohë që shteti nuk gjeneron as të ardhura nga tregtimi i këtyre produkteve.  

Rastet e suksesit 

Japonia ka parë një reduktim të konsiderueshëm të pirjes së duhanit që nga prezantimi i produkteve me ngrohje në vitin 2014. Nga 2011 në 2015, shitjet e cigareve ranë çdo vit me 1,8%, por kjo normë u përshpejtua pesëfish pas lejimit të produkteve me ngrohje. Deri në vitin 2022, prevalenca e pirjes së duhanit kishte arritur një rekord të ulët prej 10,6%. 

Kjo rënie i atribuohet kryesisht prezantimit të produkteve me ngrohje. Zelanda e Re, e cila ka integruar reduktimin e dëmit të duhanit në politikën e saj të kontrollit të duhanit duke diferencuar rregulloret për produktet me djegie dhe ato pa djegie, duke inkurajuar duhanpirësit të kalojnë në alternativa më pak të dëmshme (produkte me ngrohje dhe cigare elektronike), ka arritur një reduktim të ngjashëm të prevalencës (52,8% reduktim midis 2013-2014 dhe 2022-2023).
Në disa vende nordike si Suedia dhe Islanda, duhanpirësit kanë kaluar në produktet orale të nikotinës (snus dhe qese nikotine), duke kontribuar kryesisht në një ulje masive të normave të pirjes së duhanit (49,5% dhe 50% përkatësisht). 

Sot, Suedia ka prevalencën më të ulët të duhanpirjes dhe vdekshmërinë më të ulët të lidhur me duhanin tek meshkujt në krahasim me të gjitha vendet e BE-së. Kjo nuk është rastësi, sepse Suedia është i vetmi vend i BE-së që nuk ka ndaluar shitjen e snus. Për të pasur një ndikim pozitiv në shëndetin publik, ne kemi nevojë për politika novatore që kombinojnë masat tradicionale të kontrollit të duhanit me qasjet moderne që inkurajojnë duhanpirësit që nuk e lënë duhanin të zgjedhin alternativa më pak të dëmshme. Për të përshpejtuar uljen e prevalencës së pirjes së duhanit, qeveritë duhet të ofrojnë informacionin e nevojshëm dhe alternativa më pak të dëmshme për duhanpirësit e rritur, ndërkohë që forcojnë masat dhe kontrollet për cigaret, si forma më e dëmshme e konsumit të nikotinës. 

MPOWER është një paketë masash të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar vendet në zbatimin e Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit (FCTC), me qëllim uljen e konsumit të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Kjo paketë përfshin: monitorimin e përdorimit të duhanit dhe politikave të parandalimit, mbrojtja e njerëzve nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit, ofrimi i ndihmës për të lënë duhanin, paralajmërimi për rreziqet që sjell duhani, zbatimi i ndalimeve për reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin e produkteve të duhanit, si dhe rritja e taksave për këto produkte. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.