Helvetas dhe Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Korçë organizuan një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi fuqizimin e partneriteteve strategjike në turizëm dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme rajonale, siç janë Organizatat e Menaxhimit të Destinacionit (DMO).
Diskutimet u përqendruan veçanërisht te fuqizimi i sektorit privat, duke theksuar sfidat dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial me aktorët lokalë, si dhe nevojën për forcimin e mekanizmave koordinues si DMO-të, që do të mbështesin zhvillimin e produkteve turistike, marketingun e përbashkët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Znj. Edlira Muedini, Menaxhere e Helvetas për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm dhe të shtrirë përgjatë gjithë vitit, i cili gjeneron përfitime konkrete për komunitetet vendore dhe rrit ndikimin që kanë bizneset lokale në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Duke u ndalur në bashkëpunimin ndërsektoral, Z. Erjon Nexhipi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, vendosi fokusin te sfidat në turizëm, duke theksuar se ato nuk lidhen vetëm me kapacitetin e akomodimit, por me nevojën për të diversifikuar ofertën dhe për të promovuar bashkëpunimin mes operatorëve si partnerë dhe jo si konkurrentë. Kjo qasje do të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së ofertës turistike dhe krijimin e një qasjeje të koordinuar për zhvillimin rajonal dhe ndërtimin e një modeli turizmi të qëndrueshëm.
Kontribut të çmuar në diskutim dha znj. Suela Tahiraj, eksperte në fushën e turizmit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të destinacioneve, e cila ndau praktika ndërkombëtare mbi rolin dhe funksionet e DMO-ve, qasjen e “Green Destinations”, si dhe rëndësinë e një qasjeje të balancuar mes mjedisit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik në turizëm.
Gjithashtu, Znj. Kristina Fidhi, Drejtuese e Bordit të “Visit Gjirokastra”, ndau përvojat dhe mësimet e nxjerra nga partneriteti rajonal, duke ofruar shembuj konkretë të bashkëpunimit midis sektorëve publik-privat dhe kushtet e nevojshme për funksionimin e suksesshëm të një strukture DMO.
Kjo tryezë shënoi një hap konkret për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të qëndrueshëm mes institucioneve publike, sektorit privat dhe akademisë, në funksion të ndërmarrjes së hapave drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit në Qarkun e Korçës.
Pjesëmarrës në event ishin rreth 40 përfaqësues nga sektorë të ndryshëm: përfaqësues nga bashkitë Korçë, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec; bizneset lokale si operatorë turistikë, struktura të akomodimit, agjenci udhëtimi, prodhues lokalë; si dhe përfaqësues të akademisë, përfaqësues të Departamentit të Marketingut dhe Turizmit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Korçës.
Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: info@risialbania.al
Lini një Përgjigje