Të Rrisësh Pemën E Milionerëve – Fruti i Ri i Tokave Shqiptare

5.5k 0

Frutat janë pasuria e vërtetë e natyrës dhe e shëndetit, por sipas ekspertëve ato mund të përkthehen lehtë edhe në pasuri monetare.

Kjo nëse zgjidhni të kultivoni të duhurat në oborret, kopshtet apo serat tuaja.

Fruti për të cilin po flasim nuk është shumë e vështirë të gjendet në treg këto kohë, por pema e tij mund të jetë e paçmueshme.

Quhet pema e milionerëve dhe e njerëzve dembelë ose ndryshe kivi.

Çmimi i këtij produkti ekzotik është relativisht i lartë, çka sjell të ardhura të konsiderueshme për kultivuesit e tij, të cilët me kivin mund ta bëjnë gjumin e qetë, pasi është fruti që se zë asnjë sëmundje.

Do të ishte Zelanda e Re, vendi që do ta ngrinte kivin në kult, duke zhvilluar tregun më të madh të eksporteve të këtij fruti në botë, duke e bërë kaq të kërkuar sa ç’është sot.

Ndërkohë që për pjesën e dembelizmit janë kujdesur fqinjët tanë Malazezë, të cilët e kanë quajtur kivin pema e dembelëve, duke qenë se kërkon shumë pak përkujdesje.

Shqiptarët janë njohur me kivin pas rënies së komunizmit, ku shumë e ngatërruan me pataten. “Unë kam pasur shansin e mirë që jam takuar me kivin në fillm të viteve ‘90.

Në Shqipëri kivi ka qenë krejt i panjohur, por e vërteta është që disa bimë me kivi kanë qenë mbjellë gjatë vitve 70 në kopshtin eksperimental të Institutit të Kërkimit Bujqësor në Lushnjë”, shpjegon eksperti i Hortikulturës, Gjovalin Gjeloshi.

Askush nuk e di me saktësi pse ato pemë që u mbollën në vitin 1970 nuk u përhapën në vend, por u desh të kalonin 20 vjet që ne të mund ta shijonim këtë frut.

“Ndoshta ishte zona e Lushnjës që nuk mundësoi që kjo bimë të zhvillohej më tej”, thotë Gjeloshi, i cili konsiderohet si nga të parët që ka kultivuar frutin e kivit në Shqipëri në fillimin e viteve 1990.

Profesor Rexhep Uka, është një tjetër emër, i cili ka mbjellë kivi në fermën e tij në të dalë të Tiranës. Ai është njohur me kivin që në vitet 80, falë dhe punës si kërkues në Universitetin Bujqësor, por që e ka mbjellë së fundmi dhe në fermën e tij Uka.

Por që të mbjellësh kivi nuk nevojitet aspak të kesh një fermë. Ndoc Mulaj na e dëshmon këtë, duke mbjellë kivi në kopshtin e shtëpisë së tij. “Klima për rritjen e kivit është e shkëlqyer dhe unë I ftoj të gjithë që ta mbjellin nga veriu i vendit në jug”.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare mbi sasinë e prodhuar të kivit, megjithatë mendohet të jenë mbjellë rreth 40 ha me kivi që prodhojnë afro 1000 tonë fruta.

Një shifër e ulët po të mendosh dhe kërkesën e lartë të tregut për këtë produkt, i cili është shumë herë më i lirë se kivi i importit. Në Tregun Agro Ushqimor të Lushnjës një kilogram kivi tregëtohet me 100-120 lekë, ndërkohë që kivit e importit tregëtohen me gati dyfishin e çmimit me 200-220 lekë/kg.

Rritja e cilësisë dhe varieteteve të ndryshme, do ta bënte kivin shqiptar më konkurues. Shumë tregëtarë shpesh e nxjerrin në treg të papjekur ose të pjekur shumë, duke bërë që konsumatorët të shkojnë drejt produkteve të importit. Ofrimi i një produkti cilësisht të mirë, i shtyn konsumatorët që ta riblejnë produktin.

Fakti që ky frut është kaq i pasur me vitaminë C, magnesium dhe potasium dhe fakti që ndihmon në luftën ndaj një sërë sëmundjesh, që nga kanceri tek problemet e tretjes e bën atë tejet të kërkuar nga konsumatorët./AgroWeb.org