Thirrja e Katërt e IPARD II – 400.000 Euro Për Zhvillim e Agroturizmit

686 0

Fondet IPARD të ofruara nga Bashkimi Europian janë mbështetja më e madhe për financimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri. Këtë vit, nga grantet IPARD ofrohen 4.1 milion euro mundësi financimi dhe të interesuarit mund të aplikojnë duke nisur nga data 10 Janar 2022 deri më 25 Shkurt 2022.

Ndryshe nga thirrjet e mëparshme, fondet e këtij viti do të fokusohen tek sektorët e turizmit rural, punimet e artizanatit, industria e manifakturës dhe prodhimi i energjisë së rinovueshme. Qëllimi i programit është rritja e kapaciteteve të bizneseve shqiptare përmes përmirësimit të konkurrencës,  pajtushmërinë me standardet evropiane dhe ruajtjen e natyrës, si edhe diversifikimi i  ekonomisë rurale për të krijuar kështu mundësi të reja punësimi. Shuma totale e investimit e pranueshme në këtë thirrje varjon nga 10.000 euro deri në 400.000 euro.

Por pavarësisht kësaj mbështetjeje, shumë fermerë dhe agrobiznese që synojnë të zgjerojnë biznesin e tyre në sektorin bujqësisë, hasin vështirësi në fazën e aplikimit për fondet IPARD duke mos patur mundësi të përfitojnë financim.

Menaxheri i Shërbimeve për Agrobiznesin në kompaninë e konsulencës CBS (Creative Business Solutions), Kamber Kasollari thotë se aplikimi në skemën e granteve IPARD II është një procedurë mjaft komplekse. Sipas tij, këtu përfshihen shumë aktorë dhe koordinimi i është vendimtar për të arritur në një dosje aplikimi të plotë dhe cilësore.

Gjatë tre thirrjeve të para të programit IPARD II pati një interes të lartë për investime dhe u kontraktua një pjesë e mirë e fondeve në dispozicion. Megjithatë ka pasur edhe shumë skualifikime për shkak të cilësisë së dobët dhe gabimeve madhore në dosjen e aplikimit. Ndaj dhe sipas tij bashkëpunimi i ngushtë me një zyrë konsulence të specializuar është i rëndësishëm në rezultatin e suksesshëm të aplikimit.

Zyrat e konsulencës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shpjegimin e detajuar të kritereve të programit të grantit dhe mbështesin aplikantët për të përcaktuar saktë planin e tyre të investimit. Aplikantët duhet të dorëzojnë një dosje me një sërë dokumentash si edhe një plan biznesi dhe pasqyra financiare të parashikuara për 10 vitet e ardhshme.

Nëse doni të nisni një biznes të ri në sektorin e bujqësisë, apo nëse doni të zgjeroni agrobiznesin tuaj përmes aplikimit për fondet e IPARD, për më shumë informacion dhe mbështetje këshillimore shkruani në info@cbs.al ose kamber.kasollari@cbs.al./AgroWeb.org