Sherebela me emrin botanik salvia officinalis është një bimë plot aromë dhe me shije pak të hidhur që rritet gjithë vitin.
Sherebela është një nga bimët mjekësore më të rëndësishme të Shqipëri dhe mjaft e kërkuar në tregjet e huaja anembanë botës.
Atë mund ta mbillni lehtësisht në shtëpi nëse plotësoni tre kushtet e vetme që kërkon si ndriçim të mjaftueshëm nga dielli, sistem kullimi të mirë dhe shumë ajër të pastër.
Sherebela rritet mirë në klima të ndryshme. Ajo mund t’i mbijetojë edhe temperaturave nën zero gradë.
Me ngjyrat e këndshme të vjollcës, rozës, blusë dhe të bardhës, lulet e sherebelës i japin mjaft hijeshi kopshteve dhe ballkoneve tuaja.
AgroWeb.org do t’ju tregojë se si të rrisni sherebelën në kushtet e shtëpisë, në mënyrë që mos t’ia ndieni asnjëherë mungesën.
Këshillat për mbjelljen e sherebelës
Blini fara ose fidanë. Rritja e sherebelës nis nga farat ose fidanët. Ju mund t’i blini ato të freskëta ose të merrni një fidan të gatshëm dhe ta kultivoni në kopshtin tuaj ose në saksitë dhe vazot e ballkonit.
Farat ose fidanët e sherebelës mund t’i gjeni nëpër farmacitë bujqësore, por duhet të kërkoni garanci që të merrni farën ose fidanët shqiptarë pasi janë shumë cilësore.
Përgatisni terrenin. Sherebela rritet mirë në dhe’ të pasur me pleh dhe që ka një sistem të mirë kullimi. Përpiquni të përzieni edhe dy-tre grushta rërë me pleh organik.
Dheu do të jetë shumë i shkrifët, i lehtë dhe me një kullim të përshtatshëm. Sherebela rritet mirë kur mbillet me bimë të tjera që rriten gjthë vitin siç është trumza, rigoni dhe majdanozi.
Kujdes me vaditjen. Kur fidanët janë të vegjël, duhen vaditur rregullisht që dheu të jetë i lagësht, por kur bima është rritur mjaftueshëm, duhet ta ujisni vetëm kur dheu rreth bimës thahet.
Siguroni ndriçimin e nevojshëm. Bima e sherebelës duhet të jetë gjithë kohën nën rrezet e diellit, por ajo arrin të mbijetojë edhe në hije ose në zona tepër të nxehta.
Këshilla për mbrojtjen e sherebelës
Krasiteni në pranverë. Kërcenjtë e sherebelës duhen krasitur në fillim të pranverës pasi ka kaluar rreziku i ngricave por përpara rritjes së plotë.
Krasitja bëhet në çdo degë duke e prerë një të tretën e saj me gërshërë në mënyrë të pjerrët.
Mbrojeni nga insektet. Sherebela nuk është në shënjestrën e insekteve të dëmshëm.
Por nëse vini re një gjë të tillë, atëherë përpiquni të përdorni pesticide organike me përmbajtje uji, limoni, speci djegës dhe sapuni pa kimikate ose çdo locion të përshtatshëm kundër insekteve për ta mbrojtur bimën.
Mblidhni sherebelën. Tregohuni të kujdesshëm në vitin e parë. Niseni vetëm me mbledhjen e gjetheve vitin e parë dhe në vazhdim mund të prisni kërcenj të plotë.
Sherebela juaj do të arrijë pikun përpara lulëzimit të luleve në mes të verës.
Thajeni. Sherebela është një barishtet e pakta që lëshon aromën e plotë atëherë kur thahet. Megjithatë, sherebela duhet tharë shumë shpejt që aroma e saj të mos ketë pësojë humbje.
Tufat e sherebelës lidhini së bashku dhe varini kokëposhtë në një vend të ngrohtë, por të ajrosur dhe mbajeni larg rrezeve të drejtpërdrejta të diellit.
Në variantin e tharë, sherebelën mund ta përdorni për marinim, por edhe si shoqëruese të mishit të shpendëve, mishit të kuq, peshkut, salçiçe apo produkte të tjera të mishit.
Përdorimi tjetër është si çaj bimor nga i cili përftohet një shije speciale si në variantin e ngrohtë dhe në atë të ftohtë sidomos nëse shton paksa mjaltë artizanal shqiptar./AgroWeb.org