Kultivimi i Aloe Verës në Shqipëri – Një Biznes Fitimprurës

4.4k 2

Kultivimi i Aloe Verës në Shqipëri po shndërrohet në një biznes vërtet fitimprurës, duke premtuar një prespektivë të shkëlqyer për të apasionuarit e bimës së mrekullueshme.

Falë përfitimeve dhe përdorimeve të panumërta, sot Aloe Vera po kultivohet gjërësisht në mbarë botën.

Edhe në Shqipëri, prej disa vitesh, disa fermerë nga zonat e jugut të vendit kanë nisur kultivimin e kësaj bime mrekullibërëse. Kjo jo vetëm për vlerat kurative të saj por edhe për kërkesën në rritje në treg.

Teksa fusha të tëra shqiptare kanë nisur të mbushen me Aloe Vera, e ardhmja premton kultivimin masiv të saj dhe forcimin e një biznesi të ri në këtë drejtim.

Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se Aloe Vera është një bimë që mund të kultivohet dhe përshtatet në pothuajse të gjitha klimat.

Ndonëse është një bimë që kërkon kryesisht klimë të nxehtë dhe të thatë, ajo mund të rritet edhe në një vend me reshje nën mesataren e rajonit.

Disa prej kultivuesve të Aloe Verës i thanë AgroWeb.org se rritja e saj mund të bëhet gjatë gjithë vitit ndërsa shprehen entuziast për fitimet e para prej saj.

“Avantazhi i kultivimit të Aloe Verës qëndron në faktin se ajo nuk ka nevojë për shumë ujë dhe mirëmbajtje. Rritet lehtë ashtu si dhe kushtet që ajo kërkon janë minimale.

Ndërkohë, kostot e prodhimit janë të pakëta dhe përfitimet të shumëfishta. Si fillim eksperimentova me kultivimin e Aloes në vetëm një parcelë.

Duke parë se rritja e saj ishte e mbarë vendosa ta kultivoja në sipërfaqe më të mëdha.

Aktualisht jam në vitin e tretë të kultivimit të Aloes dhe jam shumë i kënaqur me ecurinë e shitjes së saj.

Mund të them se kam gjetur atë që synoja në kapjen e tregut megjithëse ishte pak vështirë si fillim. Aktualisht jam duke planifikuar zgjerimin e mëtejshëm të kultivimit të saj” thotë Sokrat Hima për AgroWeb.org.

Përfitimet që vijnë nga biznesi i kultivimit të Aloe Verës janë rritur ndjeshëm falë kërkesës së lartë për këtë produkt nga industria farmaceutike, kozmetike dhe bimore.

Vlerat e larta mjekësore të Aloe Verës dhe popullariteti në rritje i kësaj bime i kanë dhënë asaj rolin e dhuratës më të mirë që nëna natyrë i ka dhënë njeriut.

Kjo bimë ka me mijëra përfitime mjekësore për njeriun. Ajo është efikase si antibiotik dhe është e pasur me vitamina dhe minerale.

Kjo bimë e mrekullueshme është fort e mikluar në kozmetikë. Ajo përdoret në përgatitjen e shampove, kremërave të fytyrës dhe të trupit, por edhe në industrinë e shëndetit.

Aloe Vera gjen përdorim edhe në kurat medicinale kundër shumë sëmundjeve./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.