Lulet e Magjishme që i Rezistojnë Thatësisë në Verë

3.9k 0

Vera është një stinë shpërthyese dhe dorëlëshuar në bukuri. Bujaria e saj derdhet me hijeshi nëpër kopshtet dhe vazot tona. Lulet kokëulur të pranverës si lule vjollca janë delikate dhe shumë tërheqëse, por vera u jep jetë dhe gjallëri shumë luleve të tjera të cilat sjellin gëzim për syrin dhe shpirtin.

DAHLIA

Nga mesi i verës Dahlia, e cila njihet për jetëgjatësinë e saj, është në kulmin e rinisë. Shumë prej varieteteteve të kësaj luleje vazhdojnë e lulëzojnë deri në vjeshtë.

Ngjyrat e dahlias janë mjaft tërheqëse, por ajo që ngjall shumë interes është madhësia e këtyre luleve që arrijnë një diametër prej 25 centimetrash e njëjtë me një pjatë ngrënieje. Kërcenjtë e lules shpesh arrijnë deri në një metër e gjysmë.

Dahlia rritet më mirë nëse merrni fidanë të vegjël se sa nga farat.

GERBERA

Lulet me ngjyrë të ndezur dhe kërcenj të gjatë që zakonisht arrijnë deri në 45 centimetra e bëjnë Gerberën një pasqyrim të verës. Kjo lule e adhuron verën, ndonëse arrin të lulëzojë gjatë gjithë vitit.

Atë e gjeni në ngjyra të ndryshme.

LULEBORA

Një herë e një kohë, kjo lule konsiderohej si e dalë nga moda, por sot, lulebora ia del të tërheqë gjithë vëmendjen mes luleve të tjera të kopështeve. Atë e gjejmë në disa prej kopështeve më të bukura të të gjithë vendit.

Me nuancat e bojëqiellit, rozës, bardhës apo edhe vjollcës, lulja shumëpetalëshe është e përkëdhelura e verës. Kur thahet në mënyrë natyrale, përfitoni një buqetë ngjyrash që mund t’ju zbukurojë hapësirat e brendshme gjatë gjithë vitit.

TRËNDAFILI

Trëndafili është një lule verore por që preferon të huazojë kohë nga pranvera dhe nga vjeshta. Disa lloje të trëndafilit çelin nga mesi i pranverës deri në vjeshtë, ndërkohë që disa lloje janë mjaft kryeneçe dhe rezistojnë edhe në dimër.

Panorama që krijojnë tufat e trëndafilave nuk ka të paguar. Ato veshin me larmi ngjyrash çdo kopësht, rrugicë apo hapësirë. Aroma e tyre e mrekullueshme të shoqëron gjithë kohën dhe të fal shumë buzëqeshje.

Gonxhet ngjyrë rozë ose ngjyrë verdhë preferojnë pranverën, ndërkohë që trëndafilat me ngjyra më të ndezura janë besnike të verës.

Trëndafilat janë shumë popullorë në verë, sepse janë pjesë e pandashme e buqetave të nuseve ose zbukurimeve të festive, por edhe për faktin se i rezistojnë temperaturave të nxehta./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.