Bananet e Kuqe dhe Llojet e Tjera të Frutit të Famshëm

2.3k 0

Banania është fruti më popullor në botë. Ky frut i ëmbël dhe plot vitamina e minerale përdoret në të gjithë botën, jo vetëm në gatime por edhe në mjekësi. Banania është e pasur me hekur dhe nxit prodhimin e hemoglobinës në gjak, ndaj ndihmon kundër anemisë. Ajo gjithashtu është e pasur me kalium ndaj është fantastike për të ulur tensionin e gjakut.

Këto vlera janë aq të pakundërshtueshme saqë autoritetet shëndetësore të të gjithë globit kanë lejuar industrinë e prodhimit të bananeve të reklamojë aftësitë e këtij fruti për të ulur tensionin dhe parandaluar goditjet në tru.

Studimet më të fundit tregojnë se shumë njerëz që vuanin nga depresioni ndiheshin më mirë që pas bananes së parë. Përmirësimi i gjendjes shpirtërore vjen si pasojë e triptofanit, një proteinë që gjendet tek banania, të cilën trupi e transformon në serotoninë, dhe që ka aftësinë të qetësojë, përmirësojë humorin dhe të gjallërojë mendjen.

Banania ndihmon njerëzit që të heqin dorë nga duhanpirja, duke qenë se vitaminat C, A1, B6, B12 , kaliumi dhe magnezi që përmban ajo, ndihmojnë organizmin të rimarrë veten pas heqjes dorë nga nikotina. Banania është një burim i mirë i fibrës, kaliumit dhe vitaminës C. Banania përmban 8 aminoacide të cilat trupi nuk i prodhon dot vetë, ndaj roli i tyre është i pazëvëndësueshëm.

Në Shqipëri banania zuri vend pas viteve ’90 dhe importohet nga Ekuadori vetëm një llok i këtij fruti, lloji më i përhapur dhe rrjedhimisht më i lirë. Ndërkohë konsumatorët e huaj njohin pesë lloje të ndryshme, por e vetmja mënyrë aktuale për t’i provuar mbetet tek udhëtimet jashtë vendit.

Pse importuesit nuk i sjellin në Shqipëri? Një arsye është çmimi paksa më i lartë, por edhe mungesa e studimit të tregut, të cilin tregëtarët e bananeve e mbushin vetëm me një produkt uniformë.

Llojet e panjohura të bananeve janë shumë interesante ndaj AgroWeb i sjell për të njohur lexuesit me pamjet dhe karakteristikat e tyre.

Llojet e ndryshme të bananes:

Banania Kavendish

Më shumë se 90 përqind e bananeve të shitura në botë janë të kultivarit Kavendish që ka dominuar tregun që nga viti 1970. Ky kultivar është ai që importohet dhe gjendet në tregjet në Shqipëri.

Banania Manzano

Ky frut ka një lëkurë të trashë me ngjyrë të artë dhe njihet ndryshe si banania mollë. Bananja Manzano është e vogël dhe kur piqet plotësisht merr një ngjyrë të verdhë të errët. Kjo banane është e vogël dhe e ëmbël, me një shije që të kujton mollën dhe luleshtrydhen.

Banania bebe

Bëhet fjalë për një nga varietetet më të vogla dhe më të ëmbla që gjenden në tokë. Banania është 7.5 centimetra e gjatë dhe kur piqet ka një lëkurë në ngjyrë të verdhë të çelët dhe tul kremoz dhe të ngjeshur. Banania bebe mund të piqet, të kavërdiset ose të hidhet në zgarë. Kjo banane duhet blerë kur lëkura është në ngjyrë jeshile. Banania bebe është mjaft popullore për fëmijët.

Banania burro

Kjo banana vjen nga Meksika. Është shtatshkurtër dhe ‘bullafiqe’. Shija e kësaj bananeje është një përzierje mes limonit dhe bananes. Kur banania piqet, lëkura e saj bëhet me njolla të zeza. Tuli i saj është kremoz me ngjyrë të bardhë. Banania burro piqet me shpejt se bananja e zakonshme por ajo duhet ngrënë vetëm kur piqet tamam dhe jo më herët.

Banania e kuqe

Kjo mund të jetë më e shkurtër ose edhe më e madhe se banania e zakonshme. Ajo është më e veçanta në paraqitje sepse ka lëkurë të kuqe dhe tul me ngjyrë rozë. Shija e saj është më e ëmbël dhe tuli më i ngjitshëm dhe më i fortë.

Kur piqet, tuli i bananes merr nuanca të blusë, por dallojmë se është plotësisht e pjekur kur lëkura e saj merr nuancat e të kuqerremtës. Tuli nxihet shumë lehtë, ndaj duhet të tregoni kujdes me të./AgroWeb.org