Kërcejtë e freskët të grurit janë miniera të klorofilit gjatë pranverës dhe përbëjnë një nga mundësi ndoshta të panjohur vlerash. AgroWeb ju paraqet fakte të mirëfillta mbi këto kërcej të njomë që në vërtetë janë bari i grurit.
Bari i grurit njihet për një sërë vlerash shëndetësore dhe përbërësit e tij janë të aftë për të rritur imunitetin dhe ndihmuar me radikalet e lira. Vlerat shëndetësore të barit të grurit dolën në dritë në vitet 1930. Asokohe pati një sërë eksperimentesh nga disa kimistë që e përdornin barin e grurit, i cili mblidhet para se kallinjtë e grurit piqen dhe bëhen ngjyrë kafe.
Sipas studiuesve, kjo barishte është një nga më të mirat për rikthimin e shëndetit të mirë. Disa prej këtyre vlerave përfshijnë trajtimin e sëmundjeve të zorrëve, tensionit të lartë të gjakut, të vjellave, konstipacionit dhe aciditetit. Bari i grurit ndihmon me shëndetin e gojës, rënien në peshë dhe detoksifikimin e trupit.
Vlera bazë e barit të grurit është se ndihmon në trajtimin e sëmundjeve të sistemit tretës pra atij gastrointestinal, stimulon lëvizjet e zorrëve dhe redukton konstipacionin.
Përveç kësaj ky element siguron që sasia e oksigjenit që i dërgohet çdo qelize të jetë në nivele maksimale. Klorofili shkatërron edhe agjentët që shkaktojnë radikale të lira në organizëm, por edhe ndihmon kundër plakjes së parakohshme.
Bari i grurit ka shumë vlera ushqimore që janë pothuajse dyfish më të larta se në perimet bio. Përveç përdorimit në sallata, bari i grurit mund të shtrydhet në mikser bashkë me perime si spinaqi dhe kastraveci dhe në këtë rast përfitoni sasi maksimale të klorofilit dhe kolagjenit. Bari i grurit gjendet në tregjet e fshatarëve, tek dyqanet organike dhe mos harroni se në këtë periudhë fushat janë plot me këtë barishte të gjelbër.
Fibra që gjendet në këtë barishte trajton konstipacionin dhe rivitalizon disa procese të metabolizmit. Pirja e lëngut të barit të grurit ndihmon me pastrimin dhe detoksifikimin e trupit.
Disa studime kanë zbuluar që lëngu i barit të grurit ndihmon rënien në peshë, si rrjedhojë e larmisë së fibrave. Sipas tyre, bari i grurit jep aq shumë energji sa që yndyrnat e tepërta që janë akumuluar për shkak të dietës së keqe digjen shpejt duke bërë që ju të bini në peshë. Konsumimi i barit të grurit ul gjithashtu tensionin e gjakut sepse rrit prodhimin e qelizave të kuqe. Kjo çon në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiake.
Bari i grurit ndikon në ruajtjen e nivelit të duhur të aciditetit në trup. Ai balancon nivelet e pehashit në trup dhe promovon funksionim më të mirë në disa pjesë të trupit.
Ndikimi i fijeve të barit të grurit shpaloset në ciklin lukth-zorrë. Fijet lidhin ujin, fryhen, mbufaten dhe me atë shkaktojnë hershëm ndjenjën e ngopjes. Përveç kësaj bari i grurit shmang ngritjen e sheqerit në gjak dhe ka një ndikim pozitiv në nivelet e kolesterolit./AgroWeb.org