Fasulja e Kuqe e Veriut – Vlerat Shëndetësore të Bishtajores Laramane

1.9k 0

Në të gjithë krahinën e Dukagjinit dhe Kelmendit-Shkodër, por edhe në Margegaj të Tropojës gjendet një lloj fasuleje e veçantë.

Njihet edhe me emrin “Grosha e kuqe”, por faktikisht ajo është vlerësuar si një mozak me ngjyrë të kuqe dhe vjollcë.

Kultivohet në këto zona për mbi 200 vjet pasi fara është mbajtur,ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi.

Aktualisht zë 20 – 25% të sipërfaqes fasules në këto zona.

Kushtet e kultivimit

Mbillet në ngastër më vete, toka të sheshta, të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.

Fasule me cikël relativisht të shkurtër; mbillet në 10-15 Maj dhe vilet në fund të Gushtit deri në fillim të Shtatorit.

Në vite të veçanta (kur dimri vjen shpejt) nuk piqen gjithë bishtajat dhe vështirësohet tharja e prodhimit të vjelë.

Veçantitë E Fasules Laramane

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të lartë e të qëndrueshëm. Zien shpejt dhe është me shije të veçantë.

Vlerat Shëndetësore të Fasules së kuqe

Fasulet e kuqe janë një burim i shkëlqyer i fibrës dietike.

Ato përmirësojnë tretjen dhe funksionin e zorrëve duke parandaluar konstipacionin.

Fasulet e kuqe janë plot me ushqyes të nevojshëm për bakteret e mira.

Ato përmbajnë pak yndyrë dhe shumë proteinë e si rrjedhojë ulin kolesterolin.

Fasulet e kuqe përmbajnë kalçium, magnez dhe kalium.

Këto tre minerale janë kryesorë për mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut.

Falë përmbajtjes së lartë të fibrës, fasulet e kuqe janë ideale për rënien në peshë.

Ato shuajnë urinë dhe ju mbajnë të ngopur për shumë kohë.

Fasulet e kuqe janë të dobishme edhe kundër diabetit të tipit 2.

Fibra ngadalëson ritmet e çlirimit të glukozës në gjak dhe parandalon sekretimin e insulinës.

Fasulet e kuqe janë të pasura me antioksidantë që parandalojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, fasulet e kuqe janë të dytat në mesin e bishtajoreve të tjera për sa i përket nivelit dhe larmisë së antioksidantëve.

Fasulet e kuqe dhe ato të zeza mund të përfshihen në receta të ndryshme.

Ato mund të serviren si pjatë kryesore njësoj si fasulet e zakonshme, si garniturë ose sallata të ndryshme./AgroWeb.org