Vlerat e Panjohura të Farave të Selinosë

1.3k 0

Farat e selinosë janë përdorur në mjekësinë popullore të vendeve lindore për shekuj me rradhë. Këto fara të vogla ngjyrë kafe të errët kanë një aromë të fortë, por të këndshme. Ato kanë një sërë përbërësish të shëndetshëm siç janë antioksidantë, acide yndyrore Omega-6, acid linoleik dhe apiol. Flavonoidët që gjenden tek këto fara luajnë rolin e një stimuluesi neurologjik tek të rriturit dhe mund të ndihmojnë për trajtimin e një sërë sëmundjesh nervore. Nga ana tjetër, njerëzimi shfrytëzon plotësisht avantazhet e ekstraktit dhe vajit të farave të selinosë që përdoren në parfumeri dhe farmaceutikë.

Përdorimet e shëndetshme të farave të selinosë

Tretja

Farat e selinosë janë përdorur me efikasitet për të kuruar problemet me tretjen, dhe fryrjet e stomakut. Mjafton të merrni ¼ e një luge çaji me fara organike të përziera me ujë çdo ditë që të zgjidhni probleme të tilla.

Tensioni i lartë i gjakut

Studimet kanë treguar që farat e selinosë zgjerojnë enët e gjakut dhe përmirësojnë qarkullimin e tij. Për më tepër, këto fara ulin volumin e lëngjeve në organizëm. Të dyja këto funksione, bëjnë të mundur uljen e tensionit të gjakut. Mjafton një lugë çaji me fara organike, ose një kapsulë me ekstrakt farash në ditë që të ulni tensionin e gjakut. Por, nëse jeni duke marrë medikamente kundër hipertensionit, duhet të konsultoheni me mjekun para se të merrni këto fara në mënyrë që tensioni të mos bjerë në nivele tepër të ulëta.

Rënie në peshë

Çaji i farave të selinosë është shumë popullor për rënien në peshë, sepse forcon metabolizmin. AgroWeb.org ju sjell disa këshilla për përdorim. Zjeni një lugë çaji me fara të shtypura në një filxhan me ujë për 20 minuta në zjarr të pakët. Pas zierjes, përdorni gjysmën e sasisë së lëngut. Gjysmën tjetër përdoreni më vonë gjatë ditës. Nëse stërviteni rregullisht, një traditë e tillë do t’ju ndihmojë të bini në peshë shpejt.

Ankthi

Aromaterapia kombinon vajin e farave të selinosë dhe drurin e sandalit (bimë indiane, shumë aromatike) për të trajtuar ankthin, nervozizmin, stresin mendor dhe pagjumësinë. Vaji i farave të selinosë ka një efekt qetësues dhe gjumë-sjellës. Rrjedhimisht qetëson trurin dhe ju vë në një gjumë të thellë. Idealja është të bëni një banjë të ngrohtë dhe të hidhni në ujë 10 pika vaji të farave të selinosë, dhe të lejoni aromën ndjellëse të ekstraktit të farave të mbushin hapësirën tuaj të banjës për një orë në mënyrë që trupi dhe truri juaj të qetësohen. Një praktikë e tillë ju ndihmon me pagjumësinë, ankthin dhe nervozizmin.

Simptomat menstruale

Farat e selinosë, vaji dhe ekstrakti i tyre janë përdorur për të ofruar çlirim nga simptomat menstruale dhe rregulluar ciklin tek femrat. Farat e selinosë përmbajnë apiol që është plot vlera për sistemin endokrin dhe ndihmon me simptomat e ciklit dhe çrregulliet menstruale.

Largojnë mushkonjat

Vaji i farave të selinosë është i padurueshëm për mushkonjat. Studimet kanë treguar që nëse lyeni trupin me një xhel që përmban 5% deri në 25% ekstrakt selinoje, do i mbajë mushkonjat larg për më shumë se katër orë. Por, ju mund të hidhni disa pika me vaj farash të selinosë në kremin tuaj të trupit dhe të lyeni me të pjesët e ekspozuara të trupit para se të dilni mbrëmjeve, që të jeni të mbrojtur nga mushkonjat.

Kundër artritit dhe inflamacionit

Farat e selinosë janë efikase kundër inflamacionit, por kanë edhe efekt diuretik dhe analgesik që ndihmon në trajtimin e artritit, dhimbjeve të kyçeve dhe muskujve. Sipas studimeve të cilave i referohet AgroWeb.org, këto fara luajnë rol në nxjerrjen jashtë të acidit të tepërt urik dhe stimulojnë veshkat. Për të zgjidhur shqetësimet me inflamacionin në kyçe apo dhimbjet e muskujve këshillohet të bëni banjë me ujë të ngrohtë, ku mund të hidhni 10-15 pika vaj selinoje. Ky vaj mund të përzihet me vajra të tjerë përcjellës dhe të aplikohet direkt e në zonën e prekur.

Përdorimi terapeutik i farave të selinosë nuk është i këshillueshëm, nëse vuani nga tensioni i ulët i gjakut, ose nëse jeni duke marrë mjekim për hollimin e gjakut, qetësues, tiroidet, çrregullimet e gjumit, gjakut dhe të veshkave sepse mund të ndërhyjë në efektin e tyre.

Ku të blini fara dhe vaj selinoje

Farat e selinosë mund t’i gjeni në formë të freskët, të thatë apo pluhur në shumë dyqane bimësh mjekësore. Ato mund t’i gjeni edhe në formën e kapsulës apo vajit./AgroWeb.org