2k 0

Dilema Sot – Ujë Çezme apo Ujë Shisheje

Me siguri që e keni dëgjuar të treguar nga prindërit, të afërmit , por mund ta keni përjetuar vetë kohën kur shishet plastike përdoreshin për zbukurim.

Shishja e coca-colës ishte ajo që sfidonte fuqishëm edhe kukullën e porcelanit si ndër objektet më me vlerë në apartamentet tona modeste të para viteve ‘90.

Shishet plastike ishin simbol në atë kohë, pasi kishim kaq pak prej tyre.

Sigurisht sepse kishim ujë të pijshëm nga çezma dhe sado naive mund të tingëllojë, plastika hynte në punë vetëm për dekorim.

Por sot, më shumë se 30 vjet më vonë, uji i tavolinës në familjet shqiptare është zëvendësuar me ujin e shishes, në një vend ku uji i pijshëm është i rregulluar me ligj dhe duhet të dizinfektohet nga mikrobet, sërish uji i çezmës nuk është i pijshëm.

Degradimi i rrjetit shpërndarës, i cili ka me raste më shumë se 30-40 vjet pa u rikonstruktuar e bën ujin të papijshëm nga çezma.

Sipas Qendrës Botërore për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, uji i pijshëm nga çezma në Shqipëri nuk është i sigurtë.

Organizata e mësipërme i sugjeron njerëzve që vizitojnë Shqipërinë të përdorin ujë në shishe, siç dhe bëjnë në fakt dhe shumë shqiptarë duke kontribuar në këtë mënyrë në shumë e 100 miliardë dollarë që shpenzohet në vit në botë për ujin në shishe.

Por në të vërtetë sa i sigurtë është uji në shishe?

Sipas Brahma Chellaney, specialist dhe studies i çështjeve të ujit të pijshëm, uji i çezmës është në të vërtetë shumë më i shëndetshëm sesa uji në shishe.

Trajtimet kimike që pëson uji në shishe, tregojnë se ky ujë mund të ketë mungesa fluori, që është prezent në mënyrë natyrale tek uji i burimit apo mund shtohet në sasi të vogla në depot e ujit për të siguruar shëndetin e dhëmbëve.

Por ka dhe shumë arsye të tjera.

E para është se pjesa më e madhe e ujit që shitet në shishe në mbarë botën është marrë nga rezervat nëntokësore ujore të burimeve, shumë prej të cilave ushqejnë lumenjtë dhe liqenet.

Shfrytëzimi i këtyre rezervave ujore mund të përkeqësojë kushtet e thatësirës, pasi shteron grumbullimin natyral të burimeve natyrore.

Mbushja e shisheve nga burimet malore nuk funksionon më mirë, pasi ajo devijon ujin nga rrjedha normale e ekosistemit, si rimbushja e tokës me ujë dhe mbajtja e biodiversitetit.

Kjo nuk i ka ndaluar aspak, shkruan Chellaney, sipërmarrësit e ujit në shishe që të blejnë të drejtat për shfrytëzimin e burimeve natyrore malore.

Gjithsesi sot shumica e ujit në shishe, nuk përftohet nga burimet natyrale , por nga uji i përpunuar dhe më tej filtruar, ujë i cili merret nga depozitat e ujit të bashkive e komunave.

Në shumë vende të botës bizneset e ujit në shishe kanë qenë shpesh subjekt i konflikteve për shkak të ndotjes dhe të shterimit të ujit.

Kohët e fundit ka shqetësime rreth mundësisë së lëshimit të kimikateve nga shishet PET, si dhe nga kontenierët a bidonët shumë-litërsh të ripërdorshëm të polikarbonatit , me të cilat bëhet shpërndarja e ujit nëpër shtëpi dhe zyra. (Shihni shenjat e shisheve dhe simbolet).

Gjithashtu për t’u permendur është dhe mënyra e ruajtjes së shisheve plastike, që nga ekspozimi për orë të zgjatura në diell dhe nën temperature të larta, që shkaktojnë aktivitete estrogjenike tek shishet e ujit, duke i ekspozuar konsumatorët ndaj kimikateve që alterojnë funksionin e sistemit të endokrinës duke imituar rolin e hormoneve natyrale të trupit.

Por më e keqja, sipas Brahma Chellaney është se uji në shishe po tjetërson burimet botërore dhe sfidat e mjedisit, duke e bërë më të vështirë furnizimin me ujë të të varfërve të cilët nuk kanë mundësi të blejnë ujë në shishe, i cili për më tepër nuk ka asnjë të mirë shëndetësore mbi ujin e çezmës.

Nuk ka shije më të mirë, madje teste të bëra me sy të mbyllur kanë treguar se njerëzit nuk arrinin ta bënin dallimin nëse po pinin ujë çezme apo ujë nga shishja.

Padyshim që uji i çezmës ka nevojë për një përmirësim të imazhit.

Për fat të keq, ai nuk ka as muskujt e marketingut dhe buxhet për reklama, të cilat kanë fuqizuar aq shumë industrinë e ujit në shishe.

Kur një produkt që është më i lirë dhe më i mirë nuk arrin të mbizotërojë, atëherë ky është një lajm shumë i keq për konsumatorët.

Kur ky produkt është uji, ne jemi të gjithë të humbur.