3.1k 0

Ruajtja e Duhur e Ushqimeve në Frigorifer Mund t’ju Kursejë Para – Si ta Bëni Këtë?

Mënyra se si organizoni ushqimet në frigorifer e bën më të thjeshtë jo vetëm bërjen e një inventari, por edhe ruajtjen e tyre sa më mirë.

Në këtë mënyrë mundeni të shihni në çdo moment të gjithë produktet, të bëni një listë me to e të mos blini asgjë që nuk ju duhet.

Gjithashtu për të parandaluar prishjen e shpejtë të ushqimeve, është e rëndësishme të dini me saktësi se ku duhet të qëndrojë çdo grup ushqimi, dhe hapi i parë është të vendosni në temperaturën e duhur frigoriferin tuaj.

Pasi të siguroheni se pajisja është vendosur në temperaturën e duhur, filloni të organizoni ushqimet në zonat e tyre të caktuara.

Se si bëhet ndarja në hapësirën brenda frigoriferit tuaj, AgroWeb.org ju fton ta mësoni në vazhdimësi.

Ndarja e sipërme

Një nga zonat më lehtësisht të arritshme në frigorifer janë ndarjet e sipërme, prandaj ai është vendi i përsosur për të vendosur ushqimet e gatshme, por edhe ato të mbeturat, që do të konsumohen shpejt.

Shembuj të ushqimeve që mund të ruhen në raftet e sipërme përfshijnë sallatën, apo picën e mbetur nga një vakt i mëparshëm.

Ndarja e mesit

Ndarjet e mesme të frigoriferit përkojnë me pjesën ku temperatura është më e ftohtë dhe më e qëndrueshme. Gjë që ngadalëson procesin e prishjes dhe rritjes së organizmave patogjenë.

Produktet e qumështi, nën produket e tij, vezët dhe djathi duhet të ruhen në këtë hapësirë.

Ndarja e poshtme

Ashtu si në ndarjen e mesme, temperatura në ndarjen e poshtme të pajisjes tuaj është vazhdimisht e ftohtë. Për këtë arsye, mishi i papërpunuar dhe peshku duhet të mbahen në këtë hapësirë.

Përveç kësaj, në këtë mënyrë ju parandaloni që lëngjet e mishit të pikojnë mbi ushqimet e tjera që mund të mos gatuhen në temperatura më të larta se mishi dhe shpendët.

Sirtarët

Sirtarët duhet të rezervohen për fruta dhe perime, sepse ato janë të krijuara për të kontrolluar në mënyrë efektive lagështinë.

Dyert anësore

Ashtu siç ka një zonë më të ftohtë në frigoriferin tuaj, ka edhe një vend më të ngrohtë që janë pikërisht dyert.

Për këtë arsye, ndarjet në dyert e frigoriferit duhet të përdoren për të ruajtur artikujt që mund të durojnë luhatjet e temperaturës dhe nuk prishen shpejt.

Aty mund të mbani ketchup, mustardë, majonezë dhe salcë, si edhe pije që nuk prishen. /AgroWeb.org