2.6k 0

Si Të Ruani Lulen E Preferuar – Mënyra E Duhur E Tharjes Së Petaleve

Të gjithë ne kemi nga një lule të preferuar të cilën do të donim ta ruanim përgjithmonë.

Mënyra më e mirë për të ruajtur lulen dhe atë që ajo simbolizon për secilin prej nesh është tharja.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni teknikat e duhura për tharjen e mirë të luleve të preferuara.

Si T’i Thani Lulet E Preferuara

Së pari, duhet të dini që tharja e luleve është një proces delikat që synon të heqë lagështinë nga lulet duke ruajtur formën dhe ngjyrën e tyre origjinale.

Lulet janë të ndryshme dhe kërkojnë teknika të personalizuara dhe mbi të gjitha durim.

Lulet e petale të trasha dhe mishtore kërkojnë më shumë kohë se ato me petale të holla.

Mënyra më e lashtë e tharjes së luleve në botë është ajo manual.

Në fillim duhet të zgjidhni lulet me kërcenj të fortë, siç janë trëndafilat, lulebora apo lavanda.

Sigurohuni që të zgjidhni gonxhet e paçelura ose pjesërisht të çelura.

Nëse zgjidhni lulet e çelura plotësisht, gjatë tharjes ato mund të humbasin një pjesë të mirë të petaleve të tyre.

Krijoni një buqetë me lulet e preferuara duke hequr gjethet e tepërta dhe duke u siguruar që lulet të mos prekin ose të mos jenë të ngjeshura me njëra tjetrën.

Më pas shtrëngojini kërcenjtë dhe bishtat së bashku me një llastik.

Sigurohuni që mos t’i shtrëngoni bishtat fort pas njëra tjetrës sepse një gjë e tillë mund të nxisë kalbjen e tyre.

Pasi të keni krijuar buqetën tuaj, spërkateni me llak flokësh.

Më pas lulet mund t’i vendosni kokëposhtë në një vend të errët dhe të thatë.

Ato duhet t’i mbani kokëposhtë për plot katër javë.

Gjatë kësaj kohe, zona ku i keni vendosur lulet duhet të ketë një qarkullim të mirë ajri, në mënyrë që të parandalohet myku.

Ruajtja E Petaleve Të Thata

Lulet janë gati kur petalet janë forcuar.

Disa prej tyre kërkojnë më shumë se katër javë, nëse në ambientin e përzgjedhur mungon qarkullimi i ajrit.

Pasi të jenë tharë, lulet mund t’i vendosni të ndara ose së bashku në një vazo të bukur dhe kështu do të shijoni bukurinë e tyre për shumë kohë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.