Lëngu Magjik i Aloe Vera

3.6k 5

Bima e Aloe Verës është një nga kurat më të fuqishme që natyra ofron, sepse ajo arrin të shërojë organizmin si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.

Nuk besohet të ketë njeri që nuk ka dëgjuar ose lexuar për përfitimet që vijnë nga xheli i Aloe Verës.

Kohët e fundit ky lëng çudibërës ka fituar mjaft vëmendje dhe popullaritet në mesin e njerëzve që kujdesen për shëndetin e tyre.

Çfarë është lëngu i Aloe Verës?

Lëngu dhe xheli prodhohen nga gjethet e gjata të bimës.

Si prodhohet lëngu i Aloe Verës?

Mund të duket e vështirë, por në fakt gjethet e bimës mund të japin lëng dhe në mënyrë të thjeshtë madje.

Më poshtë do të gjeni të detajuar proçesin e përgatitjes së lëngut të Aloe Verës.

Pritini gjethet sa më pranë pjesës kryesore të bimës. Gjethet ndahen në gjysmë sipas gjatësisë.

Sigurohuni ta keni hequr cipën nga gjethet, pasi cipa e jashtme është e rëndë për stomakun. Nxirreni xhelin e aloes nga gjethet duke përdorur një thikë.

Pjesët e xhelit që keni përftuar i vendosni në mikser dhe i punoni derisa të merrni lëngun e aloes.

Filtrojeni lëngun që ta pastroni nga çdo fibër e tepërt që mund t’iu ketë kaluar gjatë heqjes së cipës.

Tashmë jeni gati për fazën e fundit, atë të kombinimit me lëngun e shtrydhur të frutave tuaja.

Mund të shtoni lëng portokalli, limoni të verdhë ose limoni jeshil. Përzijini së bashku dhe shijojini.

Megjithatë duhet të kini parasysh që vetëm 10 gramë në ditë nga xheli i Aloe Verës keni nevojë të kombinoni me lëngun tuaj të preferuar.

Vlerat shëndetësore të lëngut të Aloe Verës

Pirja e lëngut të Aloe Verës ka vlera të shtuara dhe mirëbërëse për organizmin.

Vitamina dhe ushqyes

Lëngu i Aloe Verës përmban një sasi të lartë ushqyesish të domosdoshëm siç janë vitaminat A dhe E, magnezi dhe kaliumi. Këto janë shtyllat kryesore të mirëqenies së brendshme.

Antioksidantë

Tek lëngu i Aloe Verës do të mund të gjeni një sërë antioksidantësh të fuqishëm të cilët do t’ju ndihmojnë të luftoni radikalet e lira, shenjat e plakjes dhe disa sëmundje.

Mbështetje për sistemin tretës

Aloe Vera përmirëson mënyrën e tretjes së ushqimit. Nëse pini lëngun e Aloe Verës do të arrini të zvogëloni sasinë e acidit në stomak dhe të parandaloni formimin e ulçerës.

Avantazhe për funksionet e trurit

Sipas disa studimeve shkencore, pirja e rregullt e lëngut të Aloe Verës ndihmon funksionet e trurit për të kujtuar dhe mësuar, por edhe përmirëson gjendjen e përgjithshme të humorit.

Mbron sistemin imunitar

Imuniteti i mirë është një tjetër përfitim që vjen nga lëngu i Aloe Verës, kjo falë antioksidantëve, dhe nivelit të lartë të vitaminës C.

Shëndeti dentar

Disa studime kanë treguar se pirja e lëngut të Aloe Verës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dentar për forcimin e dhëmbëve dhe parandalimin e kavitetit.

Mban nën kontroll sheqerin në gjak

Mjafton të pini rregullisht lëng aloe vera në sasi të kufizuara ditore dhe do të keni luhatje të limituara të insulinës në organizëm. Ky është një lajm i mirë për njerëzit që vuajnë nga diabeti dhe ata që duan të mbajnë nën kontroll nivelet e glicemisë.

Përmirëson pamjen e lëkurës

Nëse pini lëngun e Aloe Verës do të keni një lëkurë të shëndetshme, sepse lëngu ndihmon në heqjen e thatësisë dhe largimin e irritimeve./AgroWeb.org