Kënaqësia e Mbjelljes së Perimeve në Shtëpi gjatë Majit

802 0

Ah tani ballkoni im ka marrë pamje të plotë! Domatet e trangujt janë rritur aq shumë, sa më bëjnë hije. Kanë filluar të nxjerrin kokrra, sidomos trangujt që janë bërë aq shumë sa ngjajnë si “vile rrushi”. Tani jam në fazën e shijimit të luleshtrydheve, nga të cilat çdo ditë marr 8-10 kokrra.

Zakonisht mund të merren edhe më shumë, në varësi të sasisë së diellit. Por me to kam bërë një gabim, të cilin vendosa ta ndreq edhe pse janë të mbushura me fruta.

Siç ju kam thënë luleshtrydhja qëndron gjatë gjithë dimrit në vazo dhe i vetmi shërbim që i bëra unë muajin e shkuar ishte shtimi i plehut organik. Por me sa duket kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Luleshtrydhet kanë bërë shumë kokrra, por ndryshe nga vitet e para, jo aq të mëdha. Duket sikur toka s’ka fuqi t’i ushqejë e kjo është e drejtë pasi kanë vite në ato vazo. Ndaj vendosa të rrezikoj. Zakonisht lëvizjet nuk bëhen kur bima ka frut, megjithatë pamja e tyre më shtyu ta marr guximin për t’i lëvizur.

Luleshtrydhe dhe kastraveca të mbjellë në ballkonin e Rezartës

Kështu, me shumë kujdes i hoqa rrënjët nga vazo. Nisa të njëjtën procedurë me pastrimin e dheut nga rrënjët, pasurimin me hirin e sobës dhe përzierjen me pleh. Më pas i vendosa luleshtrydhet në vazo. Kam tre ditë që e kam bërë këtë punë dhe them se ja dola pasi asnjëra prej tyre nuk është tharë, dhe madhësia e frutave po rritet.

Ndërkaq gjeta një stil për barbunjat meqë janë bimë kacavjerëse. Tri rrënjë i futa në një vazo dhe në shkopin mbajtës i lidha spango të cilën e kam kaluar horizontalisht te vetrata. Ato e kanë gjetur rrugën dhe mund të bëhet interesant ballkoni me një pjergull barbunjash.

Seriozisht, ballkoni në maj po më pëlqen shumë. Edhe specat kanë bërë lule e po riprodhojnë. Vetëm njëri nuk është fort në terezi, ka shumë miza të vogla në gjethe. Pyeta e më thanë që i ka rënë paraziti i bimëve. Kështu quhet kjo lloj mize si e bardhë që mbush gjethet.

Në vazo mund të mbillni edhe mashurka, kunguj e patëllxhanë

Duke dashur të mos blej ilace, provova një variant le të themi më të shëndetshëm. Te një shishe që e kam për spërkatje, por mund të përdoren dhe shishet e larësit të xhamave të larë mirë, futa pak sapun dhe ujë të cilat i treta me njëra-tjetrën dhe spërkata gjethet.

E bëra vetëm një ditë se bie shi dhe i shpëlan gjethet, por me t’u hapur koha përfundimisht do e bëj sërish, shpresoj të funksionojë. Ah se po mendoja çfarë kam lënë pa përmendur. Sallatën e mbarova, kanë mbetur dy tufat e fundit.

Vazot e vogla në fakt nuk do i zë më me perime sepse kam blerë fara bonsai e do të provoj t’i mbjell aty. Shpresoj të mbijnë, se më pëlqen shumë kjo pemë e vogël dekorative./AgroWeb.org  

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.