I papjekuri që josh Evropianët

237 0

Ndërsa shumica e fermerëve të Divjakës përballet me kosto të larta të inputeve të fermave gjatë sezonit të mbjelljeve, për fermerin Lumi Kruti ka një tjetër shqetësim, të cilin ndoshta e kishte anashkaluar disa vite më parë kur nisi të mbjellë pjepër në 6 dynymët e tokës së tij. Por që tani i shqetëson ditë netët. Pjepri i tij ka gjasa që këtë sezon të dystohen në fushë, pa mbërritur dot tek konsumatori me çmimin dhe sasinë e kërkuar.

“Tregu është kaq i pasigurtë. Ti asnjëherë nuk e di se si do të shkojë. Vitin e kaluar pjeprin e shita me një çmim të mire pasi e kisha të hershëm jo të pjekur mirë, ndërsa këtë vit një Zot e di”, thotë Kruti për Agroweb me një tis pesimizmi.

Në fermën e tij ai prodhon afro 36 ton pjepër, të cilin e shet në tregun vendas. Problemi gjithsesi qëndron në faktin se edhe ky treg është i vogël, duke qenë se e gjithë zona e Divjakës shquhet për kultivimin e pjeprit.

“Ky ndoshta nuk do të jetë dhe aq vit i mbarë. Të gjithë fermerët këtë vit kanë prodhuar më pak edhe për shkak të pasigurisë së tregut”, thotë Kurti.
Në Divjakë, që njihet si zona me prodhimtarinë më të lartë të bostanit, ku përfshihet pjepri dhe shalqiri, pas Lushnjës, fermerët janë skeptikë në rritjen e prodhimit të pjeprit, për shkak dhe të një rënie të kërkesës.

Çka do të reflektohet edhe në eksporte. Saimir Biti, eksportues nga Divjaka pret që të eksportojë më pak pjepër këtë vit. “Problemi nuk është që pjepri ynë është më pak cilësor. Janë të shkëlqyer, por ndoshta është bërë konkurrenca më e fortë”, thotë Biti për Agroweb.

Këtë vit ai ka një pritshmëri më të ulët, duke pretenduar të eksportojë afro 300 ton pjepër në tregun ndërkombëtar, kryesisht në Kroaci, Bosnja & Herzegovovonë dhe Serbi, por dhe në vende të tjera të Evropës Perëndimore.

Prodhimi i pjeprit ka pësuar rënie në vitet e fundit, duke qenë se fermerët janë drejtuar drejt kultivimit të kulturave të tjera, kryesisht të luleshtrydhes.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2014 ka një rënie të sipërfaqes së mbjellë me pjepër. Nga 1,544 ha që ishte në vitin 2013 sipërfaqja e mbjellë me këtë frut ka rënë në 1,468 ha dhe nga 40,068 ton pjepër të mbjellë në 2013 në 2014 janë mbjellë vetëm 39,049.

Vendi ynë ka një klimë shumë të favorshme për kultivimin e pjeprit, çka e rrit kërkesën e tij në tregun evropian. I vetmi problem është që Evropianët e kërkojnë të vjelur më herët dhe pak të pabërë. “Eshtë e vërtetë që në tregun evropian kërkohet pjepri i hershëm. Eshtë çështje preferencash dhe shijesh”, thotë Saimir Biti, i cili i inkurajon fermerët të konsinderojnë që të kenë një prodhim më të hershëm të pjeprit, për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.

“Tregu dikton në një farë mënyre prodhimin tonë. Nëse moti është i mirë dhe i ngrohtë, ne e kemi pjeprin gati për ta nxjerrë në treg që në fillim të sezonit. Duke qenë se ne e kemi pjepër fushe, ndikohemi shumë nga moti”, thotë për Agroweb, Lumi Kruti, i cili gjithashtu prodhon pjepër fushe.

Rritja e kërkesës për pjepër shkon për shtat edhe me temperaturat, pasi rritja e tyre shton dhe kërkesat për këtë frut. Si në tregun vendas dhe në atë të huaj vitet e fundit është rritur kërkesa për pjepër shumë herët në sezon, çka në fakt do të ndihmonte prodhuesit që ta zgjeronin më shumë sezonin dhe të prodhonin më shumë.

Në mënyrë që të plotësojnë këtë kërkesë të tregut disa fermerë kanë nisur të kultivojnë pjeprin edhe në serra me tunele, të cilat kanë një kosto relativisht të ulët dhe e mbrojnë frutin nga thatësira dhe përmbytjet, duke siguruar në këtë mënyrë daljen e hershme të tij në treg.

Prodhimi varion nga viti në vit, sipas kërkesave të tregut dhe politikave që ndjekin vetë fermerët. Por ajo që është e sigurtë është se si vendet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato të Ballkanit e kërkojnë [jeprin tonë pak të papjekur, por të pasur në shije dhe të ëmbël në fitime për fermerë shqiptarë./AgroWeb.org/