Njihni Vlerat Surprizë të Luleve të Shegës

4.4k 0

Lulja e shegës ka një shije të mprehtë dhe të thartë, dhe si e tillë kombinohet më së miri me çajra të tjerë bimorë siç janë: mentja, kamomili, livando dhe trumza. Lulja e frutit, pra pjesa që i ngjason kurorës, nxirret në diell dhe thahet.

Ajo bëhet pluhur dhe hidhet në ujë të ngrohtë. Ky pluhur mund të gjendet edhe në farmaci në kapsula të vogla si ato të medikamenteve dhe të konsumohet tre herë në ditë.

Por pa diskutim që zgjidhja më e mirë është konsumi i luleve të shegës si çaj bimor të cilin e përgatisni vetë.

Shqipëria është e bekuar me pemishte shegësh dhe muajt e pranverës janë periudhë e artë për t’i gjetur pemët e shegës në lulëzim që të përfitoni nga lulet e tyre.

Lulja e frutit të shegës ka vlera në uljen e sheqerit në gjak, dhe si e tillë sugjerohet për pacientët që vuajnë nga hiperglicemia dhe diabeti.

Një studim i publikuar në Revistën Mjekësore të Ushqimit raportoi se farat e shegës, lulet dhe lëngu i saj përmbajnë tre acide me veti antioksiduese. Këto acide luajnë një rol aktiv kundër diabetit dhe hipoglicemisë.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ekstraktet nga kurora e shegës mund të zvogëlojnë lëndimet që i vijnë organizmit nga forcimi i arterieve me 70%.

Ky është niveli më i lartë që arrihet nga të gjithë përbërësit e shegës, thonë studimet.

Studimi i lartpërmendur analizoi vlerat e lëkurës, farave dhe luleve të shegës dhe të lëngut kundër një sërë faktorësh që shkaktojnë bllokimin e arterieve.

Të dhënat treguan se shega e plotë kishte vlera të mrekullueshme dhe të pakundërshtueshme në mbrojtje të zemrës, por kurora e shegës kishte vlera të pazbuluara më parë.

Studiuesit e Institutit të Teknologjisë në Universitetin e Misisipit, publikuan gjetjet e tyre në Revistën e Bujqësisë, Ushqimit dhe Kimisë.

Fruti i pasur me antioksidantë përmirëson shëndetin e zemrës dhe mbron kundër tumoreve të prostatës, Alzheimerit dhe reumatizmës.

Këto antioksidantë siç është punicalagina, bën punën kryesore kundër stresit oksidues në organizëm dhe ka vlerat më të mëdha.

Të dhënat e AgroWeb.org, tregojnë se ekstraktet e lules së shegës ulin nivelet e lipideve dhe glukozës në gjak me 18 dhe 25 përqind respektivisht.

Studiuesit zbuluan se tek kontingjenti eksperimental që kishte konsumuar lëngun dhe lëkurat e shegës, nivelet e kolesterolit të keq kishin rënë ndjeshëm.

Ata zbuluan se ekstraktet e shegës dhe në veçanti, lulet e frutit arritën të pengonin zhvillimin e arteriosklerozës.

Nëse rezultatet e studimit tek kafshët konfirmohen tek njerëzit, atëherë lulja e shegës mund të kthehet në një burim të mirëfilltë vlerash për disa industri ushqimore dhe farmaceutike.

Lëngu i Luleve të Shegës

Mblidhni lulet e shegës dhe i lini të thahen. Më pas kur të jenë tharë plotësisht, shtypni mirë që të copëzohen. Dy lugë çaji grimcash për një kupë çaj është sasia e duhur.

Lërini 3-4 minuta të vlojnë në ujë, filtrojini dhe mund t’i pini rregullisht deri në tri herë në ditë. Shëndeti juaj do t’ju falenderojë./AgroWeb.org