Rreziku nga Ndotja e Ajrit në Shqipëri – Çfarë Mund të Bëni

2.1k 0

Gjithkush ndërgjegjësohet rreth shëndetit këto ditë, në mënyra dhe intensitete të ndryshme dhe kjo është gjë e mirë.

Por a ndikojnë me të vërtetë zgjedhje të tilla të jetesës, kur ajri që thithim na dëmton?

Raporti i fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH mbi ndotjen e ajrit në qytet, të cilit i referohet AgroWeb.org, raporton se nëntë nga dhjetë vetë në mbarë botën janë subjekt i niveleve të larta të ndotësve nga ajri që marrin frymë.

Rreziqet shëndetësore të ndotjes së ajrit

Ndotja e ajrit në natyrë dhe në ambjente të mbyllura, thotë raporti, vrasin nëntë milionë njerëz çdo vit nga “ekspozimi ndaj grimcave të imta në ajrin e ndotur që depërtojnë thellë në mushkëri dhe sistemin kardiovaskular, duke shkaktuar sëmundje që sjellin probleme të sistemit nervor, sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive, sëmundje kronike obstruktive pulmonare dhe infeksionet respiratore, duke përfshirë pneumoni “.

Njerëzit që thithin ajrin e ndotur mund të kenë shumë simptoma problematike. Këto ndryshojnë sipas ndjeshmërisë së secilit ndaj ajrit të ndotur.

Simptomat kryesore afatshkurtra janë acarim i syve, vështirësi në frymëmarrje, irritim dhe inflamacion të traktit respirator, kollitje, si dhe vështirësi në frymëmarrje, sidomos gjatë aktivitetit fizik.

Rreziqet që vijnë si pasojë e ajrit të ndotur rriten kur cilësia e ajrit në natyrë është e ulët, sasia e smogut është alarmante, kur është shumë nxehtë dhe gjithashtu gjatë aktivitetit fizik ose ecjeve në natyrë, kur njerëzit thithin më shumë ajër.

Ndotja e ajrit në Shqipëri

Rreth 2,120 njerëz humbën jetën në 2016 në Shqipëri për shkak të ndotjes së ajrit, trefishin e vitit 2013. Shifrat e treguesve të ndotjes së ajrit në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në Europë, sipas një raporti të kohëve të fundit mbi cilësinë e ajrit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Tirana kryeson listën e qytetit përsa i përket ndotjes së ajrit në Shqipëri, duke tejkaluar kufijtë e BE deri në dy herë, por qyteti i dytë më i ndotur çuditërisht është Korça, qyteti më i madh në juglindje të Shqipërisë, ndotja e të cilit është kryesisht sezonale për shkak të djegies masive të druve të zjarrit për ngrohje në shtëpi gjatë dimrit, kjo sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të Shqipërisë.

Çfarë mund të bëni ju?

Çdo herë që shkojmë në punë me makinë, përdorim kondicionerin për ftohje ose ngrohje, pastrojmë dritaret tona, ose stilojmë flokët, bëjmë zgjedhje që ndikojnë në cilësinë e ajrit. Në këtë artikull, paraqiten 15 ide të ndryshme që mund të provoni, në mënyrë që të kontribuoni në uljen e ndotjes së ajrit në përreth jush.

  • Përdorni Transportin Publik ose Bicikleta: Reduktoni përdorimin e makinës. Ndani makinën me një mik ose koleg ose merrni në konsideratë të përdorni biçikletën.
  • Drejtoni makinën me zgjuarsi: Nëse udhëtoni rregullisht, sigurohuni që të udhëtoni me zgjuarsi. Mos tejkaloni shpejtësinë, sigurohuni që peshat në makinë janë optimale, fikeni makinën gjatë qëndrimit në semafor. Të gjitha këto këshilla do të kursejnë karburant dhe si rezultat do të ketë më pak ndotje.
  • Kontrolloni mjetin tuaj rregullisht: Është e rëndësishme që të shkoni për kontroll të rregullt të automjetit tuaj për të siguruar që nuk konsumon karburant shtesë. Kjo jo vetëm që do t’ju kursejë paratë, por edhe vetura juaj do të zgjasë më shumë.
  • Kontrolloni nëse gomat janë të fryra: Makina konsumon më shumë karburant kur gomat nuk janë të fryra në mënyrë të duhur. Nëse ato janë të fryra do të pakësohet ndikimi juaj në mjedis.
  • Fikni dritat kur është e mundur: Mos mbani ndezur dritat ose pajisje të tjera elektrike. Sa më shumë energji të përdorni, aq më shumë ndotje shkaktoni.
  • Përdoreni letrën e shkrimit nga të dyja anët: Printoni nga të dy anët e letrës kur është e mundur.
  • Kombinoni udhëtimet tuaja: Mundohuni të siguroheni se çdo gjë që ju do të bëni mund të bëhet në një udhëtim, në vend që të dilni disa herë në automjetin tuaj. Në këtë mënyrë, po përdorni më pak karburant
  • Ndërmerrni një auditim të energjisë: Kryeni një auditim të energjisë në shtëpinë tuaj që lidhet me eficencën e energjisë dhe pyesni audituesin për ndryshimet që mund të bëni për të siguruar që shtëpia juaj të jetë sa më eficente nga ana energjitike.
  • Përdorni ventilimin në vend të ajrit të kondicionuar: Në rast se jashtë nuk bën shumë vapë, mund të merrni në konsideratë të përdorni ventilatorin në vend të ajrit të kondicionuar. Ky veprim kërkon shumë më pak energji.

Redukto Ripërdor Riciklo

  • Redukto, ripërdor, riciklo: Riciklo sa më shumë të jetë e mundur për ta ripërdorur më vonë në produkte të tjera.
  • Bli produkte eficiente: Sa herë që të blini pajisje të ndryshme për shtëpinë ose zyrën tuaj, sigurohuni që ato të jenë të një klasi të lartë dhe efiçiente.
  • Konsumoni ushqime organike të fermerëve të zonës: AgroWeb.org ju sugjeron të konsumoni ushqime të cilat prodhohen në vend, si zarzavate ose mish. Kjo do të thotë që i duhet të bëjnë rrugë jo shumë të gjata për të arritur në pjatën tuaj. Në të njëjtën kohë ndihmoni dhe ekonominë e zonës.
  • Kontribuoni: Shihni nëse bashkia e qytetit tuaj ka nisma që mund të ndihmojnë që të kontribuoni për të përmirësuar cilësinë e ajrit brenda dhe përreth zonës suaj.
  • Bisedoni me përfaqësuesit lokalë: Bisedoni me përfaqësuesit tuaj lokalë dhe zyrtarët qeveritarë lidhur me shqetësimet që keni me cilësinë e ajrit në komunitetin tuaj dhe i inkurajoni ata që të veprojnë dhe të kujdesen për brezat e ardhshëm.
  • Edukimi i shokëve tuaj: Informoni njerëzit rreth jush se si mund të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe edukojini miqtë rreth mënyrave të ndyshme që ndikojnë pozitivisht në mjedisin përreth./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.