BB: Shqipëria do të goditet nga kriza e çmimeve të drithërave dhe energjisë, inflacioni 5% këtë vit

384 0

Lufta në Ukrainë do të frenojë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë në Shqipëri, për shkak se çmimet e larta do të ulin konsumin dhe do të rrisin kostot për bizneset, vlerësoi Banka Botërore në raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Manovrim mes krizash” që u publikua të mërkurën.

Banka parashikon se sipas skenarit bazë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022. Kjo mbështetet në supozimin se faza më kritike e krizës do të arrijë të zbutet në tremujorin e dytë të 2022, edhe nëse efektet e sanksioneve vazhdojnë gjatë gjithë vitit 2022, madje edhe në vitin 2023.

Megjithatë, kriza në Ukrainë, në rast se zgjat, mund të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve të transmetimit.

Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Në përgjithësi, lidhjet e drejtpërdrejta të tregtisë, remitancave dhe emigracionit me Rusinë dhe Ukrainën janë të vogla, dhe përbëjnë më pak se 3 për qind të totalit.

Megjithatë, Rusia dhe Ukraina janë prodhues dhe eksportues shumë të rëndësishëm të disa mallrave, të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët, përfshirë drithërat.

Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit.

Inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit. Me rritjen e kostove të importit, deficiti i llogarisë korente ka të ngjarë të rritet në 9.6 për qind të PBB-së.

Duke qenë se çmimet e larta ndikojnë në rënien e fuqisë blerëse të familjeve dhe rritjen e kostove për bizneset, edhe parashikimet për rritjen ekonomike janë gjithashtu më të ulëta.

Nëse rritja e çmimeve të energjisë reflektohet në rritje të çmimeve të importit të energjisë elektrike, kjo goditje mund të përkeqësojë situatën financiare të NSH-ve të energjisë elektrike. Kjo mund të rrisë rreziqet fiskale nga këto ndërmarrje.

Borxhi publik pritet të stabilizohet në 73.9 për qind të PBB-së në vitin 2022, përpara se të ulet gradualisht në periudhë afatmesme. Megjithatë, hapësira fiskale mund të përkeqësohet akoma më shumë sipas një skenari negativ, ku lufta vazhdon për një periudhë të zgjatur duke çuar në ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të BE-së dhe si rrjedhojë në rënie të eksporteve shqiptare drejt partnerëve më të rëndësishëm tregtarë në BE që përbëjnë 60 për qind të eksporteve të saj.

Banka vlerëson se, në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Për më tepër, duke qenë se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit mbeten të larta.

Gjitjhashtu, Shqipëria për rritur mbledhjen e të ardhurave dhe për të realizuar konsolidimin fiskal, duke mundësuar në të njëjtën kohë kryerjen e shpenzimeve të konsiderueshme që forcojnë rritjen ekonomike. Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5 për qind në periudhë afatmesme.

Konsumi privat parashikohet të kthehet në faktorin kryesor shtytës të rritjes së PBB-së. Investimet private mund të mbështesin më tej rritjen nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit. Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në periudhë afatmesme, pasi eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i shpejtë i operacioneve të procesit të biznesit, pritet të rriten duke reflektuar tendencat parapandemisë.

Burimi: Revista Monitor