Çmimet e patates dhe qepës 25% më të larta këtë sezon

743 0

Patatja dhe qepa dy produkte bazë në kuzhinën shqiptare po shiten më çmime mesatarisht 25% më të larta këtë sezon.

Tregu ka mungesa të rregullta në furnizime dhe për pasojë çmimi luhatet nga ditë në ditë me tendencë rritjen.

Në tregjet e pakicës në kryeqytet një kilogram qepë po shitet nga 100-120 lekë nga 75 lekë që ishte vjet në këtë periudhe.

Gjithashtu një kilogram patate po shitet me mbi 100 lekë nga rreth 80 lekë që ishte vitin e kaluar në fund të majit. Fermerët dhe tregtarët pohojnë se ka mungesë prodhimi me këto produkte.

Në këtë periudhe të vitit deri në muajin gusht kur del patatja e re Korçës tregu furnizohet nga fushat e Divjakës. Por këtë vit prodhimi në këto dy kultura ka qenë i dobët për disa arsye, siç shpjegojë fermerët e zonës. E para gjithnjë e më shumë ka reduktim të prodhimit në ferma të vogla nga braktisa e fshatit nga të rinjtë.

Se dyti pranvera e ftohtë dhe me ngrica nuk ka favorizuar prodhimin, duke përgjysmuar rendimentin e prodhimit për patate dhe qepë. Patatja ka kosto në trajtim pasi kërkon shumë spërkatje.

Rritja e çmimeve të pesticideve dhe moti i ftohte kanë ulur rendimentin si për qepën dhe pataten. Situata pritet të lehtësohet me daljen në treg të prodhimeve të Korçës, por ekspertët e bujqësisë në Rajonin Juglindor pohojnë se vit pas viti reduktimi i popullsisë në fshat po ndikon në braktisjen e ngastrave, që ndonëse të vogla kanë rol në prodhimin tërësor.

Dobësitë në prodhim u reflektuan edhe në eksportin e prodhimit bujqësor nga fushat dhe serat, ku në 4-mujorin e parë sasitë e shitura jashtë ishin gati të njëjta më vitin e kaluar.

Ekonomia e Shqipërisë u rrit me gati 5% vitin e kaluar, por dega më e madhe, bujqësia e cila kontribuon me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) qëndroi në vend numëro.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT referuan se, dega e bujqësisë qëndroi në vend-numëro vitin e kaluar, me zgjerim afër 0.06%, teksa në vitin 2021 sektori u zgjerua me 1.8%. Kjo është ecuria më negative e bujqësisë, që prej vitit 1997, kur vendi ishte në kaos për shkak të trazirave të piramidave.

Për vitin 2022, të dhëna më të detajuara nga njësitë bujqësore referojnë se blegtoria përballet me rënie të fortë./B.Hoxha

Burimi: Revista Monitor 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.