“Redukto, riciklo dhe ripërdor” një gjest i vogël me impakt global

1.6k 0

Keni menduar ndonjëherë si do të ishte një botë ideale pa mbetje dhe ndotje? Me ajër cilësor dhe hapësira të pastra?

Ju duket e pamundur? Në fakt, nuk është aq e tillë nëse secili prej nesh angazhohet për t’u kujdesur për hapësirën e tij indviduale.

Si komb, ne po gjenerojmë më shumë mbeturina të cilat ndotin mjedisin dhe përbëjnë rrezik për shëndetin publik.

Metodat aktuale të asgjësimit të mbetjeve kërcënojnë shëndetin, sigurinë, mjedisin tonë dhe paraqesin kosto shtesë indirekte për shoqërinë. Shumica e mbeturinave industriale, komerciale dhe shtëpiake po mbulohen në mënyrë sipërfaqësore.

Mbetjet e trajtuara në këtë mënyrë mund të ndotin ujërat nëntokësore, lumenjtë dhe përrenjtë. Kur mbetjet digjen, ato prodhojnë lëndë të rrezikshme në ajër dhe lënë mbetje toksike në formën e hirit. Këto nënprodukte të mbetjeve të rrezikshme gjejnë rrugën e tyre te njerëzit dhe kafshët në një formë ose në një tjetër.

Por çfarë kemi ne në dorë për t’i përmirësuar gjërat?

Nëse nuk keni dëgjuar për një metodë të quajtur “hierarkia e mbetjeve”, atëherë mund të pyesni veten se çfarë do të thotë kjo.

Hierarkia e mbetjeve përbëhet nga “3R” (Reduktimi, Riciklimi dhe Ripërdorimi) që mund të konsiderohen si faktorë të rëndësishëm në trajtimin e plehrave për të minimizuar nevojën e përdorimit të impianteve të menaxhimit të tyre.

Ju rrjedhimisht mund të mendoni se si t’i përfshini këto tre parime në jetën tuaj të përditshme.

Ato nuk janë aq të vështira për t’u zbatuar. Gjithçka që ju nevojitet është të bëni një ndryshim të vogël në stilin e jetesës tuaj për të reduktuar mbetjet, në mënyrë që më pak sasi të shkojë në landfill.

REDUKTIMI mund të konsiderohet si metoda më e mirë për të mbajtur mjedisin të pastër. Të krijosh më pak mbeturina, do të thotë gjithashtu më pak mbetje për të pastruar.

Çelësi është të blejmë vetëm produktet që na duhen dhe në sasinë e duhur. Ju mund ta nisni me metoda më të thjeshta për të reduktuar sasinë e mbeturinave dhe arritur më pas në zgjidhje më komplekse.

Psh, filloni duke paketuar drekën tuaj në një kuti. Letra dhe qeset plastike krijojnë një sasi të madhe mbeturinash dhe qeseve plastike u duhen qindra vjet për t’u dekompozuar. Në vend të kësaj, provoni një kuti drekë të qëndrueshme ose një qese drekë disapërdorimshe.

Gjithashtu mund të bëni pazar me çanta që përdoren disa herë dhe t’i thoni jo ujit në shishe plastike, në vend të saj blini ujë në shishe qelqi.

Nga ana tjetër, RICIKLIMI është ndoshta metoda më e përdorur që nënkupton rikthimin e materialeve të hedhura në produkte të reja.

Riciklimi duhet të konsiderohet si një metodë asgjësimi me kosto efektive. Zakonisht kërkon më pak subvencione nga qeveria sesa depozitimi i landfillit ose djegia. Kursen burimet natyrore dhe ndihmon në mbrojtjen e mjedisit.

Psh, gazeta është një nga materialet më të lehta për t’u ricikluar dhe më të riciklueshme. Lajmet e djeshme kthehen në kuti vezësh, mbajtëse telefonash, fletëpalosje dhe gazeta të reja.

Nga ana tjetër, kanaçet e vjetra mund të bëhen kanaçe të reja. Shumë nga gjërat që njerëzit hedhin në mbeturina mund të riciklohen.

Objektivi kryesor i fushatës “3R” është të pakësojë përdorimin e burimeve të reja, duke e bërë më efikas përdorimin e produkteve që kemi. “3R” promovon efikasitetin e burimeve duke përdorur burimet tashmë të disponueshme që përdoren shumë herë, ripërpunohen ose reduktohen plotësisht.

Së fundmi, ka disa mënyra se si mund t’i RIPËRDORNI artikujt e padëshiruar që keni planifikuar t’i hidhni për të ndihmuar në zvogëlimin e mbeturinave.

Gjeni një përdorim të ri për një artikull të vjetër. Kur është koha për të hedhur diçka jashtë, mendoni për mënyra të tjera të mundshme për ta përdorur atë.

Pastroni dollapin tuaj. Ndoshta format tuaja kanë ndryshuar. Ndoshta shijet tuaja kanë ndryshuar. Në vend që të hidhni rroba që nuk i dëshironi më, jepini dikujt që mund t’i përdorë. Nëse keni një kuti me rroba për fëmijë, për shembull, dhe fëmija juaj, motra ose vëllai tani është rritur, jepini rrobat një miku me fëmijë të vogël.

Peshqirët e vjetër të banjës mund të priten dhe të përdoren si lecka larëse. Dhe furça e dhëmbëve që po zëvendësoni, është furça e përsosur e pastrimit për zonat e vështira për t’u arritur.

Më e rëndësishmja, ripërdorimi kursen para.

Duke qenë se përmes këtij plani do të ketë një ulje të ndjeshme të sasisë së mbetjeve të hedhura në mjedis, zvogëlohen edhe shanset për përhapjen e toksinave dhe kjo redukton automatikisht nivelet e emetimeve të gazeve serë dhe ndotjes. Në të kundërt toka do të bëhet një vend i pamundur për të jetuar.

Mos harroni, nuk ekziston një planet “B” ku mund të zhvendosemi, prandaj duhet të angazhohemi për të shpëtuar shtëpinë tonë të përbashkët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.