Kanceri i mushkërive, 800 raste në vit/ Përdorimi i duhanit rrit numrin dhe ul moshën e personave të prekur

2.5k 0

Kanceri i mushkërive po i vret shqiptarët, pasi jo vetëm është i shpeshtë por ka dhe vdekshmëri të lartë.

Statistikat tregojnë për 800 raste të reja në vit. Ky kancer prek si burrat dhe gratë. Konsumi i duhanit nga mosha të vogla tanimë 9,11 vjeç bën që mushkëritë e tyre të jenë të pambrojtura e të përthithin më shumë toksina.

Mjekët thonë se ka pacientë më kancer në mushkëri edhe tek të 30-tat, ndaj nuk duhet të anashkalojmë shenjat që jep kjo sëmundje aq më tepër nga mjekët e familjes të cilët kur vënë re kollë të vazhdueshme  duhet t’i drejtojnë pacientët tek mjeku pneumolog.

 “Fatkeqësisht është ulur mosha e diagnostikimit me sëmundje tumorale të mushkërisë. Më përpara ka qenë një sëmundje në një moshë relativisht të moshës 45 deri në 50 vjeç. Aktualisht kemi pacientë të moshave të reja nën 40 vjeç që janë në stade të avancuara, në stadin e tretë apo të katërt. Shenjat janë e para një kollë e vazhdueshme e cila mund të jetë e shoqëruar me sputum ose jo për një periudhë më të gjatë më shumë se një muaj e cila mund të jetë e shoqëruar me një temperaturë  jo febrile për një periudhë të gjatë. Duhet të mendohet edhe nga mjekët e familjes që ta dërgojnë tek pneumologu”, tha Jonida Tula, mjeke onkologe.

Por cilët janë faktorët që shkaktojnë kancer të mushkërive përveç duhanpirjes?

“Mjafton të kemi një mushkëri dhe të jemi të rriskuar nga kanceri i mushkërive .Duhanpirja është shkaktari kryesor dhe përbën gati 80% të shkaqeve që krijojnë kancer mushkërie. Prezenca e gazit radon në shtëpi , produktet që kemi në ajër me përbërje të azbestit apo shpërbërjeve të hidrokarbureve. Gjithashtu janë edhe faktorët gjenetikë që përbëjnë një pjesë të vogël të shkaqeve”, tha Arben Tanka, mjek pneumolog.

Shqipëria renditet në vend të parë për vdekshmëri të lartë në vendet e Ballkanit.

Burimi: Top Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.