Bujqësia, Rikthimi në Modë

630 0

Qumësht, djathë apo dhe perime të freskëta, e kush nuk i do. Të punojnë për prodhimin e tyre? Shumica e shohin si një punë të rëndomtë. Por më shumë se një punë, bujqësia ofron mundësi të shumta zhvillimi dhe përfitimi.

Në mbarë botën, bujqësia ka sot një problem të dukshëm imazhi. E thënë në fjalë të thjeshta, nuk është tërheqëse, sidomos për të rinjtë ose të rikthyerit nga emigracioni. Pjesa më e madhe mendojnë se të punosh në bujqësi do të thotë të të bjerë bretku ndërkohë që ajo që merr mbrapsht është shumë e vogël. E për të gjithë të rinjtë, ky sektor ofron pak mundësi për zhvillim të mëtejshëm në karrierë.

Mosha mesatare e fermerëve në mbarë botën po rritet dhe bujqësia duhet patjetër të bëhet tërheqëse edhe ndaj të rinjve apo kapaciteteve të lira profesionale. Kjo është një sfidë botërore: gjysma e fermerëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë 55 vjeç e më shumë. Në Shqipëri nga 5 familje te varfra, 4 jetojnë në zonat rurale, ndërkohë që sektori bujqësor ofron potenciale të mëdha punësimi.

“Eksodi i të rinjve të cilët banojnë në zonat rurale do të thotë më pak fermerë te vegjël në të ardhmen, gjë që do të ndikonte në ndryshimin drastik të profilit të bujqësisë,” thotë një studim i Institutit Ndërkombëtar për Mjedis dhe Zhvillim (IIED).

Organizata Ndërkombëtare e Punës së Kombeve të Bashkuara parashikon se do të ketë 74.2 milionë të rinj të papunë në vitin 2015, një rritje prej 3.8 milionë të rinj prej vitit 2007. Papunësia e të rinjve paraqet një rrezik e në të njëjtën kohë një mundësi për sektorin bujqësor, që ofron zgjidhje të problemit të papunësisë në mbarë botën. Sa më shpejt që shoqëria jonë ta kuptojë këtë, aq më shpejt do të ndryshohej mendimi që të rinjtë kanë për sektorin bujqësor.

Në të vërtetë në ditët e sotme po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar imazhin e bujqësisë mes të rinjve dhe po vihet re një tendencë e tyre për t’u aktivizuar e për t’u punësuar në këtë sektor.

Rritja e aksesit në edukim dhe format e reja të bizneseve bujqësore i bëjnë të rinjtë një forcë thelbësore për inovacion në fermat familjare, rritjen e të ardhurave nga puna në këtë sektor dhe mirëqënies për fermat dhe komunitetet lokale. Të rinjtë mund ta transformojnë sektorin bujqësor duke vënë në përdorim teknologji të reja dhe mënyra të reja të të menduarit. Të rikthyerit nga emigracioni kanë mundësinë e praktikimit të eksperiencave të marra gjatë punësimit në vende më të zhvilluara.

Për këtë duhet të ndryshohet mentaliteti, nëpërmjet informimit dhe edukimit. Ferma është një njësi e rëndësishme bujqësore, por bujqësia nuk është vetëm një fermë. Është shumë më shumë se aq. Sot të rinjtë mund të zgjedhin profesione të ndryshuara nga roli klasik i fermerit dhe madje me më shumë të ardhura. Teknologjitë e prodhimit, parashikimet e prodhimtarisë, marketing, logjistikë, projekte bujqësore urbane, shkencat e mjedisit, fermat turistike, shkencat e të ushqyerit e shumë më shumë.

Por për të arritur këtu shoqëria duhet të kontribuojë për t’i dhënë këtij sektori ‘shkëlqimin e merituar”. Vetë fermerët, bizneset, politikë-bërësit dhe edukuesit duhet ta promovojnë bujqësinë si një fushë me të ardhme të shkëlqyer për të zhvilluar karrierën, qoftë nga ana intelektuale apo nga ajo ekonomike.Bujqësia është një fushë që ofron potenciale ende të pazbuluara dhe gjithashtu mundësi të mëdha për të rinjtë.

Nisma botërore për promovimin e bujqësisë

Një studim i fundit ka hartuar një listë me organizata që punojnë me të rinjtë në bujqësi në mbarë botën, në mënyrë që ta bëjnë këtë sektor dhe mundësitë e punësimit që ai ofron tërheqëse.

Në Shtetet e Bashkuara po zhvillohen shumë projekte që synojnë të ripozicionojnë bujqësinë mes të rinjve. Programi i Fermave të Qëndrueshme punon për të përforëcuar sistemet e ushqimit lokal duke mbështetur fermerët e rinj. Programi i trajnimit të të rinjve ndihmon fermerët e rinj të drejtojnë ferma, duke filluar prej proceseve të planifikimit të biznesit deri në trainime të specializuara mbi blegtorinë dhe ushqimin e shëndetshëm. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punohet intensivisht për të përmirësuar sigurinë financiare të fermerëve të rinj. Një prej nismave në këtë kuadër është një portal në Internet, që do të jetë një qendër informimi për fermerët, ku ata do të marrin më shumë informacion për nismat e ndërmarra nga Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të tyre.

Këshilli Evropian i të Rinjve Fermerë (CEJA) është “zëri i gjeneratës së re të fermerëve Evropianë.” Objektivi kryesor i CEJA’s është të mbështesë zhvilimin e gjeneratës së re në sektorin bujqësor, duke u pozicionuar si një platformë për informacion dhe shkëmbim eksperience.

Por nisma po ndërmerren në mbarë botën. Në Afrikë bujqësia po reklamohet nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook, nëpërmjet publikimit të fotove dhe historive inspiruese që synojnë ta bëjnë tërheqës këtë sektor. Po ashtu shkollat e fermerëvë mësojnë të rinjtë se si të prodhojnë ushqimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme. Qëllimi kryesor është fuqizimi i të rinjve nga vendet jo shumë të zhvilliara dhe edukimi I tyre me aftësitë e nevojshme për siguri ushqimore afatgjatë.

Programe të shumta listohen edhe në Amerikën e Jugut si dhe në Azi. Kampi i të Rinjve të Azisë Jugore për Bujqësinë dhe Ushqimin mbledh të rinj nga mosha 18 deri në 36 vjeç për të influencuar qeverinë të ndërmarrë masa mbi ndryshimet klimatike dhe për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme në prodhimtarinë bujqësore dhe shfrytëzimin e ujërave.

Të rinjtë shqiptarë në bujqësi

Dy në tre të rinj shqiptarë janë të papunë. Shqipëria, një vend ku gjysma e popullsisë është në moshë të re, ofron pak mundësi për këtë grupmoshë që vuan shkallën më të lartë të papunësisë, raporton Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Në ndihmë të të rinjve shqiptarë, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe organizata Assist Impact nënshkruan në vitin 2014, shtatë marrëveshje për grante/projekte që synojnë rritjen e mundësive të punësimit dhe fuqizimin e rolit aktiv të të rinjve në shoqëri. Këto projekte synojnë të krijojnë mundësi reale punësimi për 205 të rinj dhe gjithashtu të ofrojnë trajnime profesionale për 420 të tjerë deri në Korrik 2015. Marrëveshjet e nënshkruara mes USAID dhe Assist Impact me 7 Organizata Jo Qeveritare nga e gjithë Shqipëria, janë të fokusuara kryesisht në punën me të rinj që jetojnë jashtë Tiranës dhe në zonat rurale. Creative Business Solutions (CBS) dhe LEEA do të krijojnë mundësi punësimi për 60 të rinj, në fushën e bujqësisë.

Agjencia e Zhvillimit Rajonal (AZhR) Korçë do të punojë me bizneset dhe me të rinjtë në zonën e Korçës, për të krijuar kapacitetet e kërkuara nga bizneset vendase. USAID dhe Assist Impact nëshkruajnë marrëveshje për projekte që synojnë punësimin e 205 të rinjve deri në korrik 2015.

USAID dhe Assist Impact nëshkruajnë marrëveshje për projekte që synojnë punësimin e 205 të rinjve deri në korrik 2015.

Creative Business Solutions (CBS), një organizatë konsulence biznesi, do të fokusohet në punësimin e të rinjve në sektorin bujqësor. Kjo organizatë do të punojë në 13 zona rurale, nga Malësia e Madhe në Gjirokastër, për të trajnuar dhe punësuar të rinj si specialistë në prodhim produktesh blegtorale, frutash e perimesh, bimësh mjekësore e erëzash si dhe në ruajtjen në mjedise ftohëse dhe sera.

Albania Rafting Group (ARG) do të trajnojë të rinj për të punuar si guida, do të zhvillojë trejnim të specializuar për ndihmën e shpejtë për guidat në sportin e rafting-ut, si dhe do të punojë me menaxherët e shtëpive mikpritëse (Guest House) dhe për materialet informative.

Shoqata për Integrimin dhe Zhvillimin Komunitar (ShIZhK) do të trajnojë dhe do të ndihmojë punësimin e të rinjve në video-produksion (në Bulqizë), dhe në profesione si hidraulik, elektricist dhe punime artizanale (në Laç).

Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEAA) do të punojë në sektorin e blegtorisë në Lushnjë, Shkodër, Korçë dhe Kukës, ku ajo ka identifikuar nevojën për specialistë lidhur me ndërzimin artificial, me kontrollin e mastitit dhe me kujdesin ndaj thundrave, te gjedhi dhe te të imëtat.

Rrjeti Alumni i Studentëve Shqiptarë (ASAN) do të zhvillojë trajnime, do të kërkojë mundësi për praktikë profesionale (internship) dhe do të punësojë studentë ose të sapodiplomuar në vende të ndryshme pune në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë.

Epoka e Re Fier do të nxitë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike, duke krijuar Grupe Këshillimi të Rinjsh, në Patos dhe Fier, të cilat do të lidhen e do të komunikojnë me strukturat e qeverisjes për çështje të interesave të veçanta për të rinjtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.