Kura me Spec Djegës dhe Vaj Ulliri për Dhimbjet e Kyçeve

5.2k 0

Vlerat shëndetësore të specit djegës janë të shumta.

Si një lehtësues natyral i dhimbjes, speci djegës arrin të mbrojë zemrën dhe të ndihmojë sistemin imunitar.

Madje në lashtësi përdorej dhe për të ndaluar hemorragjitë nga plagët e ndryshme.

Në këtë artikull, AgroWeb.org ju sjell një kurë të thjeshtë me dy përbërës, spec djegës dhe vaj ulliri, për të lehtësuar dhimbjet e muskujve dhe kockave.

Përse këto dy përbërës?

Vlerat e specit djegës

Speci i kuq djegës përmban kapsikun, një substancë që arrin të ngadalësojë dërgimin e sinjaleve të dhimbjes nga receptorët e lëkurës në tru.

Këtë substancë mund ta keni hasur dhe në pomadat që përdoren për trajtimin e osteoporozës dhe artriti reumatizmale.

Gjithashtu speci djegës stimulon qarkullimin e gjakut gjë që ndihmon në funksionimin e muskujve dhe nyjeve.

Vlerat e vajit të ullirit

Studime ku është bazuar dhe AgroWeb.org, tregojnë se vaji i ullirit përmban oleokatinë.

Kjo substancë ka aftësi anti-inflamatore, pasi lufton dy enzima që shkaktojnë inflamacionin kronik.

Si të përgatisni kurën në dy metoda

Njëra nga mënyrat e përgatitjes, është fare e lehtë.

Në një kavanoz të qelqtë vendosim 2-3 speca djegës dhe e mbulojmë me vaj ulliri.

Kavanozin e mbyllur me kapak e vendosim në një vend të ekspozuar në dritë, dhe e lëmë për dy javë.

Më pas mjafton ta aplikoni në zonat që ju japin shqetësim.

Nëse nuk doni që të prisni dy javë për të përgatitur këtë kurë, mjafton të ndiqni hapat e mëposhtëm.

Ajo që do t’iu nevojitet është gjysmë luge çaji me spec djegës pluhur dhe një filxhan çaji me vaj ulliri.

Vajin e ullirit e hedhim në një tas dhe e ngrohim me banjo-mari, pra e vendosim tasin në ujë të ngrohtë. Më pas shtojmë specin djegës pluhur dhe e trazojmë në mënyrë që përbërësit të formojnë një masë homogjene.

Këtë masë aplikojeni në nyje apo muskujt që ju shkaktojnë dhimbje dhe e fërkojmë në të gjithë sipërfaqen, në mënyrë që të përthithet nga lëkura.

Në të dyja rastet AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes, kjo pomadë nëse bie në kontakt me sytë mund të shkaktojë skuqje madje dhe probleme më serioze.

Gjithashtu pasi të keni aplikuar këtë pomadë, mos e shpëlani zonën me ujë të ngrohtë pasi nxehtësia do të shkaktojë djegie në kontakt me vendin e lyer./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.