Vaji i Jargavanit – Ul Temperaturën dhe Lufton Depresionin

1.7k 0

Lulja e jargavanit arrin të krijojë një oaz të mrekullueshëm në të gjitha hapësirat ku rritet.

Në gjuhën e luleve, jargavani ngjyrë vjollcë simbolizon emocionet e para të dashurisë ndërsa jargavani i bardhë përfaqëson pafajsinë rinore.

Sipas mitologjisë Greke, Pani, perëndia e pyjeve dhe fushave ra në dashuri me një nimfë të bukur të njohur si Syringa (që është edhe emri botanik i jargavanit).

Ai e përndoqi nimfën e frikësuar në pyll, por Syringa arriti të shpëtojë duke u transformuar në një bimë aromatike plot lule që sot e njohim si jargavan.

Jargavani ka kryesisht dhunti aromatike, por edhe vlera të fuqishme mjekësore, të cilat përftohen nga ekstrakti i vajit të nxjerrë nga kjo bimë.

Ky vaj përmirëson shëndetin e njeriut dhe mban shumë sëmundje larg. Vaji esencial kryesisht ka përdorim të jashtëm, pra jo për t’u pirë. Një produkt i tillë gjendet edhe në Shqipëri, kryesisht në farmaci dhe në pikat e tregtimit të produkteve organike.

Ul temperaturën

Vaji esencial i jargavanit ndihmon në uljen e temperaturës së trupit. Por jo vetëm kaq. Ai përdoret për të lehtësuar dhimbjen e trupit dhe këputjen që shoqëron temperaturën, nëse lyeni trupin me të.

Për shkak të këtyre vlerave, ky vaj mund të përdoret kundër ngritjes së temperaturës. Kështu parandalohet rreziku i dëmtimeve të organeve të trupit.

Trajton infeksionet dhe mykun

Vaji esencial i jargavanit mundet të shërojë të gjithë infeksionet e mykut për shkak të disa substancave kimike që parandalojnë rritjen dhe zhvillimin e mykut në trup. Atë mund ta përdorni për shembull kundër mykut të këmbëve ose ekzemave.

Forcon lëkurën

Vaji esencial i jargavanit luan një rol mjaft pozitiv në tonifikimin e lëkurës, duke përshpejtuar prodhimin e disa enzimave që ndihmojnë me forcimin e lëkurës. Ky vaj largon të gjitha shenjat e plakjes së parakohshme, siç janë rrudhat ose lëkura e varur.

Largon stresin

Vaji esencial i jargavanit largon stresin dhe ankthin duke qetësuar trurin dhe përmirësuar humorin. Shumë njerëz e nuhasin aromën e vajit të jargavanit dhe automatikisht ndihen më të qetë dhe më në paqe me veten.

Megjithatë, AgroWeb.org ju sugjeron që, për çdo përdorim të dëshiruar të këtij vaji për arsye shëndetësore të këshilloheni me mjekun tuaj.

Trajton çrregullimet e lëkurës

Vaji esencial i jargavanit është shumë i dobishëm në trajtimin e nxirjes, të djegurave dhe kruajtjeve të lëkurës. Vaji promovon rigjenerimin e qelizave të lëkurës duke e bërë atë të shëndetshme dhe me shkëlqim. Vaji esencial i jargavanit përdoret me efikasitet edhe kundër djegies nga dielli.

Lufton bakteret

Vaji esencial i jargavanit mund të përdoret kundër baktereve dhe infeksioneve që shkaktojnë ato.

Të shumtë janë ata që e mbajnë vajin e jargavanit në shtëpi, jo vetëm për të pastruar ambientet e brendshme nga bakteret, por edhe për t’i dhënë shtëpisë një aromë të këndshme.

Ditët e sotme shumë produkte pastrimi kanë në përmbajtjen e tyre vajin esencial të jargavanit falë vlerave të tij aromatike dhe kundër baktereve.

Parandalon depresionin

Terapia e aromave është një nga metodat më të preferuara në botë për njerëzit në mbarë botën që duan të luftojnë vetë depresionin. Terapistët përdorin vajin esencial të jargavanit për të trajtuar pacientët që vuajnë nga këto simptoma.

Metoda e aplikimit ndryshon në varësi të terapistëve, disa prej të cilëve e zgjedhin vajin për t’i dhënë ambienteve aromë jargavani apo për t’ua dhënë pacientëve të cilët e nuhasin atë vazhdimisht. Megjithatë, nuk duhet të harroni që vaji esencial nuk duhet të pihet sepse mund të shkaktojë dëme të brendshme./AgroWeb.org