5 Fazat e Alzheimerit – Çfarë Duhet të Dini Rreth Tyre

4.8k 0

Shumica e njerëzve që kanë humbje të kujtesës nuk kanë një diagnozë specifike.

Por nëse keni informacion e duhur rreth gjendjes tuaj, mund të bëni shumë më shumë për të frenuar përkeqsimin.

Askujt nuk i pëlqen të ndihet i pasigurt për shëndetin dhe humbja e kujtesës është padyshim diçka e frikshme.

Prandaj, është e rëndësishme të kuptoni se si Alzheimeri ndikon në tru, cilat janë shenjat të cilave duhet t’i jepni rëndësi dhe çfarë mundësish ka për të minimizuar dëmtimin nga sëmundja.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me fazat e kësaj sëmundjeje dhe se çfarë mund të bëni.

Faza e Parë – Ndryshime delikate në tru

Kjo fazë mund të ndodhë diku nga dhjetë deri në njëzet vjet përpara shenjave tipike klinike.

Ajo çfarë tashmë dihet është se ndodh një grumbullim i disa proteinave të caktuara, që është toksik për trurin sepse vrasin neuronet.

Prandaj, efekti i parë që ka sëmundja e Alzheimerit është në nivel mikroskopik, ku fillon të formojë këtë akumulim.

Edhe pse shkencëtarët ende nuk e dinë me siguri se kur gjatë procesit fillojnë të krijohen këto proteina, ata mund të shquajnë praninë e tyre.

Faza e Dytë – Alzheimeri paraklinik

Pas fazës fillestare, patologjia grumbullohet me kalimin e viteve dhe tenton të prekë trurin në vende të parashikueshme.

Në rastin e sëmundjes së Alzheimerit, preket qendra të kujtesës dhe zona përgjegjëse për kryerjen e detyrave të thjeshta.

Në këtë fazë, analizat e nevojshme të shëndetit të trurit, mund të zbulojnë një diagnozë specifike të Alzheimerit.

Faza e Tretë – Dëmtim i lehtë njohës

Në këtë fazë, një shumëllojshmëri e testeve njohëse përdoren për të vlerësuar zona të ndryshme të trurit.

Deficite të tjera që mund të zbuloni, përfshijnë vështirësinë në njohjen e personazheve në një fotografi.

Megjithatë, në jetën e përditshme, individi mund të jetë ende duke funksionuar normalisht, dhe askush të mos e vëre re ende.

Faza e Katërt – Alzheimeri klinik

Kalimi në fazën e katërt është kur Alzheimer arrin pikën ku fillon të pengojë aftësinë funksionale.

Dëmtimi është në atë shkallë ku pacientët mund të paguajnë dyfish një faturë, të harrojnë se ku po shkojnë, nuk dinë më se si të shkojnë në dyqan apo të kthehen në shtëpi etj.

Në këtë pikë, sëmundja konsiderohet të jetë në fazën e saj të butë.

Faza e pestë – Rënia progresive

Faza e pestë e demencës është rënia e ngadaltë dhe e vazhdueshme. Truri po tkurret, grumbullimi i proteinave rritet me ashpërsi dhe pacientët bëhen gjithnjë e më keq.

Pacientët kanë nevojë për inkurajim për të bërë gjëra të tilla si të ushqehen shëndetshëm dhe ndoshta kanë nevojë për ndihmë tu veshur siç duhet.

Ndërsa sëmundja përparon, ndikimi përhapet në seksione të tjera të trurit. Tani edhe detyrat më të thjeshta mund të jenë të pamundura.

Në këtë fazë përfundimtare, pacientët humbasin oreksin dhe bëhen indiferentë ndaj botës përreth tyre.

Mungesa e lëvizjes çon më pas në probleme të tjera si pneumoni, infeksione, rëzime dhe fraktura.

Cilat janë efektet e tjera të Alzheimerit?

Ata që kanë sëmundjen e Alzheimerit priren të kenë një humbje të konsiderueshme të interesit për aktivitetet e tyre dhe shpesh kanë simptoma të tjera psikologjike ose të sjelljes si ankthi.

Njerëzit me demencë e kanë të vështirë të gjurmojnë kohën, mund të frikësohen dhe të hutohen.

Ata mund të bëhen lehtësisht nervozë, melankolikë dhe të përjetojnë emocione të tjera negative.

Mund të ndodhë që njerëzit të kenë psikoza, të tilla si halucinacione vizuale ose paranojë.

Pacientët ecin më pak, gjë që çon në dobësi të mëtejshme, dhe ndërsa sëmundja zhvillohet, ata fillojnë të humbasin koordinimin, siç është aftësia për të ngarë biçikletën.

Kjo është arsyeja pse është kritike që sëmundja të diagnostikohet herët dhe të krijohet një plan gjithëpërfshirës për të ndihmuar personin të jetojë në maksimum dhe të parandalojë lëndimet.

Çfarë duhet të bëjë një person nëse vëren këto shenja?

Nëse njerëzit vërejnë ndonjë simptomë, është e domosdoshme që ata të konsultohen me një profesionist mjekësor sa më shpejt të jetë e mundur dhe të fillojnë procesin e diagnostikimit.

Është jetike që pacientët të motivohen dhe të fillojnë të bëjnë gjëra për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm. /AgroWeb.org