Dhimbja e Kyçeve Dhe Duarve – Kur Duhet të Kërkoni Ndihmë tek Mjeku

6.2k 0

Dhimbja është zëri i trupit. Nëpërmjet saj, organizmi tregon se ka diçka që nuk shkon.

Por kjo nuk do të thotë se për çdo dhimbje duhet të kërkoni ndihmë tek mjeku.

Në rastin e dhimbjeve të duarve, kyçeve apo bërrylave, duhet të tregoheni të vëmendshëm  që të kuptoni kur duhet të shkoni tek mjeku.

Mjekët e kësaj fushe, të cilëve u referohet AgroWeb.org, thonë se rëndësinë e dhimbjes dhe nevojës për trajtim mjekësor mund ta kuptojë vetë personi.

Për shembull, një frakturë e kyçit shoqërohet me një dhimbje që nuk mund të injorohet.

Në disa raste kur jeni rrëzuar apo keni punuar për orë të tëra, burimi i dhimbjes është mëse i qartë.

Megjithatë ka momente kur dhimbja shfaqet krejt papritur.

Si Të Vlerësoni Dhimbjen Dhe Burimin E Saj

Dhimbja mund të shkaktohet nga një infeksion, inflamacion ose probleme me metabolizmin, stomakun ose nervat.

Ka moment kur dhimbja e krahut nuk ka fare të bëjë me të por me një nerv të qafës që shpërndan dhimbjen në vende të tjera.

Ekspertët e ortopedisë sugjerojnë aplikimin e një teknike të thjeshtë për të kuptuar dhimbjen.

Kjo teknikë është e aplikueshme për dhimbjet e duarve, kyçeve apo bërrylave.

Pyetjet që duhet t’i bëni vetes janë:

A të dhëmb kur e prek?

A vëreni një skuqje të zonës?

A është e enjtur apo e ngurtë?

Nga 1 (niveli më i ulët) tek 10-a (niveli më i lartë) në çfarë grade do ta rendisnit dhimbjen?

Nëse ju i përgjigjeni me ‘po’ tre pyetjeve të para ose gradën e dhimbjes  do ta vlerësonit mbi 6, atëherë duhet të shkoni menjëherë tek mjeku.

Nëse ju i përgjigjeni me ‘jo’ tre pyetjeve të para dhe grada e dhimbjes është nga 1 tek 3, atëherë ju mund ta trajtoni atë në shtëpi.

Si Të Përkujdeseni Për Dhimbjen E Kyçeve, Duarve Dhe Bërrylave

Nëse simptomat nuk duken serioze atëherë ju mund ta trajtoni dhimbjen në shtëpi duke aplikuar kompresa të ngrohta ose të ftohta.

Ju mund të merrni medikamente qetësues kundër dhimbjes.

Nëse dhimbjen ua shkakton një aktivitet i caktuar fizik, atëherë është më mirë të merrni pak pushim.

Çfarë Duhet Të Bëni Nëse Dhimbja Nuk Largohet?

Ndonëse dhimbja mund të duket e tolerueshme, kjo nuk do të thotë se ajo nuk është serioze.

Nëse ajo zgjat  më shumë se dy ose tre ditë pavarësisht trajtimeve në shtëpi, atëherë shkoni menjëherë tek mjeku.

Çdo enjtje e madhe, skuqje, dhimbje afatgjatë apo deformim i gjymtyrëve ka nevojë për një vlerësim më profesional që mund ta japë vetëm mjeku./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.