Çajrat BIO – Si t’i Përgatisni Vetë në Shtëpi

2k 0

Barishtet që rriten në Shqipëri janë aq të larmishme sa mund të kënaqin shijet e çdokujt.

Barishtet më të përdorura shpesh janë në formën e shkurreve dhe prodhimtaria e tyre zgjat për vite të tëra. Për çajra bimorë mund t’i përdorni barishtet të freskëta, ose t’i thajë ato për më vonë gjatë vitit. Barishtet përdoren për gatim, por edhe për përgatitjen e çajrave ose bimëve mjekësore.

Këto çajra me përbërës natyralë dhe plot vlera, janë të jashtëzakonshëm. Më poshtë mund të lexoni përdorimet e tyre sugjeruar nga AgroWeb.org

1. Bimët e njoma

Gjatë verës ose në fillimet e vjeshtës, mos hezitoni të krasisni bimët dhe barishtet tuaja të preferuara dhe të rrisni sa më shumë prej tyre. Krasitja zakonisht bëhet duke prerë jo më shumë se një të tretën e gjatësisë së kërcellit.

Kujdes me bimën e livandos: kur ajo çel këpusni sythat e bimës sa më afër tokës.

Sigurohuni që të krasisni bimët e njoma herët në mëngjes pasi të jetë tharë vesa. Kujdesuni për këto bimë dhe largoni insektet ose gjethet e dëmtuara dhe lulet e thata. Në këtë mënyrë do të siguroheni që çaji që do bëni, do të ketë një shije të mirë.

2. Mbledhja e bimëve

Siç e thamë, duhet të mblidhni barishtet herët në mëngjes, pas tharjes së vesës dhe përpara se dielli të ketë tharë vajrat esencialë të tyre. Nëse dëshironi të mblidhni gjethet e bimës, këpusni degët në majën e tyre, aty ku formohen lulet. Nëse dëshironi, mblidhni lulet e bimëve kur të jenë të plota dhe të zhvilluara.

3. Një buqetë barishtesh

Mënyra më tradicionale për të ruajtur barishtet e preferuara është t’i mblidhni ato në tufa me 10 ose 15 degë dhe t’i varni kokëposhtë në një vend të freskët e të errët. Shtrëngojini kërcenjtë me një spango. Tharja mund të zgjasë deri në tre javë në varësi të bimës dhe përmbajtjes së lagështisë.

Një tjetër metodë është t’i fusni tufat në një qese letre. T’i varni kokëposhtë dhe të mbani zbuluar vetëm bishtat e tyre. Kujdes të mos e shtrëngoni shumë qesen e letrës dhe të lejoni qarkullimin e ajrit. Kjo metodë përdoret nëse jetoni në një ambient të lagësht.

Kur barishtet janë të thata, zhvishini kërcenjtë nga gjethet.

Nëse dëshironi të mblidhni vetëm farat, vendosini barishtet kokëposhtë dhe mbështillini me një qese plastike ku farat të mund të mblidhen lirisht. Lërini më pas farat të thahen për disa javë, përpara se t’i ruani në enët përkatëse.

4. Ruajtja dhe kujdesi

Ruajini barishtet e thata në enë qelqi të izoluara mirë dhe larg dritës dhe nxehtësisë.

Kështu do të mbroni shijen dhe aromën e tyre. Gjethet e thata ruajini të plota deri sa të jeni gati për t’i përdorur. Ato mund t’i copëtoni dhe t’i shtypni në momentin kur do të gatuani me to. Barishtet e thata mund të përdoren deri një vit nga momenti i mbledhjes.

Çaj me barishte të freskëta

Nëse doni të përgatisni çajin tuaj bimor, atëherë mund ta mësoni recetën këtu, në AgroWeb.org. Vendoseni direkt barishten e preferuar në një çajnik me ujë të nxehtë.

Disa prej barishteve të cilat mund të bëhen çaj edhe nëse nuk janë të thata janë: mentja, trumza, bari i bletës dhe livando. Mund të shtoni pak lëkurë limoni ose agrumeje tjetër, erëza të ëmbla si: kardamomi, kanella apo karafili. Nëse ju pëlqen mund të shtoni pak mjaltë.

Çaj nga barishtet e thara

Përdorni një rrjetë çaji dhe fusni aty degët e thata. Mund të zgjidhni sipas dëshirës kamomil, sherebelë, murriz, etj. Futeni filtruesin në çajnik dhe lëreni të lëshojë ngjyrën e vet sipas preferencës. Me barishtet e duhura ju mund të bëni edhe qeska çaji të cilat i ruani dhe përdorni gjatë vitit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.