Receta e Thjeshtë e Patateve të Buta me Gjalpë dhe Piper – Shije e Mrekullueshme

1.9k 0

Patatet mund të themi që janë ushqimi i shumë kombinimeve pasi mund t’i shoqërosh thuajse me çdo gjë.

Në traditën e vendit tonë i gjejmë të përdorura në shumë pjata.

Duke filluar që nga mishi me patate në furrë, peshku apo patatet e skuqura janë të mrekullueshme për këdo.

Në këtë recetë AgroWeb.org ju sjell një tjetër mënyrë të thjeshtë dhe të shijshme të përgatitjes së tyre.

Megjithëse patatet në furrë mund t’i keni provuar shpesh, këtë lloj të ri përgatitje të tyre do ta adhuroni.

Më poshtë gjeni të shpjeguar hap pas hapi mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre në shtëpitë tuaja.

Përbërësit

  • 1 kg patate
  • 80 gr gjalpë në temperaturë ambienti
  • kripë
  • piper i zi
  • djathë kaçkavall i grirë (nëse dëshironi)

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni më përzgjedhjen e patateve.

Lajini dhe qërojini ato në  mënyrë që të jenë sa më të buta dhe të pastra.

Më pas pritini në feta të holla rrethore me një strashësi 3-4 milimetra, pra rrathët duhet të jenë sa më të hollë.

Ndërkohë zgjidhni një tavë mesatare pjekje rreth 20 cm në formë rrethore dhe lyejeni me pak gjalpë.

Zgjidhni rrathët më të mëdhenj që kanë trashësinë dhe madhësinë thuajse njësoj dhe shtrojini me kujdes njëra pas tjetrës në tavë.

Pasi të ketë mbaruar shtresa e parë e patateve, lyejini ato me disa copa gjalpi, pak kripë dhe pak piper të zi të bluar.

Vazhdoni të bëni sërisht këtë proçes me rrathët e tjerë të patateve duke formuar edhe një shtresë tjetër.

Spërkatini me gjalpë kripë e piper dhe shtroni një tjetër bazë patatesh derisa të mbarojnë.

Do të formohen rreth 4 shtresa me këtë sasi patetesh.

Kur të mbaroni shtresën e fundit hidhni sërisht pak gjalpë piper të zi sipër sipas dëshirës tuaj.

Ndizni furrën në temperaturën 180-200 gradë dhe lërini të piqen për 30 minuta.

Kujdesuni t’a mbuloni tavën tuaj me një letër kuzhine para se t’i fusni  në mënyrë që patatet të bëhen më të shijshme dhe të buta.

Pasi të ketë kaluar gjysmë orëshi i parë, nxirrini pak nga furra dhe me kujdes hiqni letrën e pjekjes duke i lënë të piqen edhe për 30 minuta të tjera.

Nëse dëshironi, para futjes për herë të dytë, i hidhni djathin kaçkavall të grirë sipër.

Receta mund të gatuhet edhe pa djathë.

AgroWeb.org ju këshillon të mos e teproni me sasinë e kripës që do të hidhni në mes të shtresave për të pasur një shije sa më të balancuar./AgroWeb.org