Gabimet që Duhet të Shmangni kur Gatuani Peshkun në Shtëpi

2.4k 0

Peshku është ndër ushqimet më fantastike përsa i përket vlerave ushqyese ashtu si edhe shijes së lehtë dhe të freskët që ka.

Por shpesh, amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e tij. Herë del i thatë, herë i qullët e herë të tjera ngjitet në enën ku gatuhet.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë disa detaje të vogla që do t’ju ndihmojnë ta përgatisni atë në mënyrë perfekte.

Pavarësisht dy mënyrave tipike të përgatitjes së peshkut kryesisht të pjekur apo edhe të skuqur, AgroWeb.org ju këshillon që vlerat më të mira ashtu si edhe shijen peshku e ka kur piqet.

Skuqja e peshkut

Për metodën e skuqjes së peshkut rekomandohen të përdoren peshq të vegjël pasi kur peshqit janë të mëdhenj nuk përgatiten siç duhen.

Kur skuqen, nxehtësia e vajit bën që peshqit e mëdhenj të skuqen vetëm nga jashtë dhe jo nga brenda.

Ndaj dhe për metodën e skuqjes rekomandohen kryesisht sardelet dhe peshqit me masë pak më të mëdhenj se sardelet.

Një nga gabimet që bëhet tek peshku i skuqur është vendosja e tij direkt në vaj të nxehtë çka sjell dhe ngjitjen e tij në tigan.

Për të evituar këtë problem, lyejini peshqit si fillim me pak miell nga të dyja anët dhe më pas vendosini për të skuqur në vaj të nxehtë.

Kjo do ndihmojë në skuqjen uniformë të peshkut ashtu si edhe do të evitojë ngjitjen e tij në tigan.

Përveç miellit, peshqit mund t’i lyeni edhe me bukë të thekur të grirë imët përmes një rende kuzhine.

Pasi i keni skuqur, peshqit vendosini në një enë ku keni shtruar letër kuzhine në mënyrë që kjo e fundit të përthithë yndyrën dhe konsummojini sapo të ftohen pak.

Pjekja e Peshkut

Pjekja është proces më i thjeshtë, më pak i mundimshëm por shumë më i shëndetshëm.

Që ta përgatisni në mënyrë perfekte, si fillim zgjidhni peshk të freskët dhe të plotë, të mëdhenj dhe nisni me marinimin e tyre.

Shtydhni lëng limoni në një tas të vogël, shtoni vaj ulliri dhe përziejini me njëtra tjetrën.

Përmes një thike bëni një apo dy vija të prera nga të dyja anët e peshkut në pjesën e mesit të tij.

Përmes një furçe kuzhinë lyejeni peshkun nga të gjitha anët me masën e lëngut të limonit dhe vajit të ullirit përfshirë dhe vijat e prera.

Në këtë mënyrë lëngu i limonit dhe vaji ullirit do depërtojë në brendësi të mishit të pëshkut.

Ndërkohë që bëni këtë proces parangrohni furrën.

Më pas kriposeni peshkun sipas dëshirës nga të dyja anët.

Për më shumë aromë dhe shije nëse dëshironi brenda peshkut tek pjesa e hapur e barkut mund të vendosni disa gjethe majdanoz por edhe një fetë limoni.

Shtroni letër kuzhinë në tavë dhe më pas vendosni peshkun, mbulojeni me letër kuzhinë dhe futeni në furrën e parangrohur të piqet në zgarën e mesit të furrës.

Pas 20 minutash hapni furrën dhe hiqni letrën e kuzhinës me të cilin keni mbuluar peshkun dhe lëreni të piqet edhe për pak derisa sipërfaqja të marrë ngjyrën e artë të praruar.

Pasi të keni fikur furrën lëreni peshkun e pjekur të pushojë përreth 15 minuta dhe më pas konsumojeni./AgroWeb.org