Perimet na bëjnë mirë, është e vërtetë, por mënyra e gatimit ose më saktë, nevoja për gatim ose jo, luan një rol jo pak të rëndësishëm në aspektin e vlerave shëndetësore që ato ofrojnë.
Kohët e sotme, nevoja e gatimit luan një rol kyç në sasinë dhe volumin e ushqyesve që marrim prej perimeve.
Disa prej tyre janë mirë të hahen të pagatuara e disa të tjera bëhen më të shëndetshme nëse gatuhen.
Këto 7 Perime Bëhen Më Të Shëndetshme Nëse I Gatuan
Procesi i gatimti është i domosdoshëm për perimet e mëposhtme sepse aktivizon vitaminat dhe mineralet dhe i bën ato më të përthithshme prej trupit.
Domatet
Ka pretendime që gjatë gatimit, domatet humbasin shumë prej sasisë së vitaminës C që ofrojnë.
Ama nga ana tjetër, gatimi rrit sasinë e likopenit, një prej antioksidantëve më të fuqishëm që ekzistojnë, i cili ul rrezikun e shumë sëmundjeve kronike si ato të zemrës dhe tumoret.
Ekspertët thonë se duhet të siguroheni që domaten ta gatuani me një yndyrë të shëndetshme siç është vaji i ullirit.
Shpargu
Shpargu është plot e për plot me vitaminat A, C dhe E.
Gatimi, thonë ekspertët, përmirëson aktivitetin e antioksidantëve me 16 deri në 25 përqind.
Për më tepër, gatimi i shpargut rrit nivelet e acidit fenolik që ul rrezikun e kancerit.
Spinaqi
Spinaqi duhet gatuar në avull që të pakësojë acidin oksalik i cili ndërhyn në përthithjen e hekurit dhe kalçiumit me të paktën 53%.
Avulli ndihmon në ruajtjen e folatit, që luan rol thelbësor tek ADN-ja dhe ul rrezikun e disa sëmundjeve kancerogjene.
Kërpudhat
Kërpudhat janë të mbushura me antioksidantë, aktiviteti i të cilëve zmadhohet drastikisht kur kërpudhat gatuhen.
Për më tepër, kërpudhat përmbajnë shumë kalium, niacinë dhe zink.
Karrotat
Karrotat përmbajnë beta karoten të cilin trupi e transformon në vitaminë A.
Gatimi i karrotës me gjithë lëkurë trefishon fuqinë e antioksidantëve por mënyrat e duhura janë pjekja, zierja dhe mikrovala.
Skuqja e karrotës ul ndjeshëm sasinë e antioksidantëve .
Patëllxhani
Nëse patëllxhani gatuhet në avull, përbërësit e tij ndërveprojnë mirë me lëngjet biliare duke lejuar mëlçinë të shpërbëjë më mirë përbërësit dhe sidomos kolesterolin.
Studimet thonë se nëse patëllxhani gatuhet në skarë, atëherë perimja ruan sasi të larta të acidit klorogenik që ngadalëson çlirimin e glukozës në gjak dhe mundet të ulë tensionin e gjakut por edhe rrezikun e diabetit.
Kur patëllxhani zihet, ai arrin të ruajë pjesën më të madhe të antioksidantëve.
Argjinarja
Argjinarja konsiderohet si e plotfuqishme sa i përket antioksidantëve, të cilët përftohen më shumë kur ajo gatuhet me avull.
Kjo mënyrë gatimi rrit me 15 herë sasinë e antioksidantëve.
Zierja nuk rekomandohet shumë për argjinaren nëse dëshironi që ajo të ruajë pjesën dërrmuese të vitaminave./AgroWeb.org