Krepa Shtëpie për një Mëngjes të Shijshëm, të Shëndetshëm

14.1k 0

Të shijshme, të lehta, të ëmbla e të kripura, krepa ka rrëmbyer zemrat e gjithë shqiptarëve me shijen e tyre fantastike.

Me mjaltë, çokokrem apo reçel, kombinuar me feta bananesh, biskota, arra e lajthi të thërmuarra. Me djathë të bardhë a kaçkaval, domate, kastraveca e sallatë jeshile.

Janë të panumërta mënyrat e kombinimit të krepave dhe shijes fantastike që ato ofrojnë në çdo kombinim.

Krepat janë ideale për një mëngjes të shëndetshëm, të shijshëm që të bën ta nisësh ditën me humor të mirë, por ato janë ideale gjithashtu edhe për t’u konsumuar në vaktet e ndërmjetme.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë fantastike në përgatitjen e krepave në shtëpi.

Përgatitja e Krepave në Shtëpi

Përbërësit

  • 500 ml qumësht
  • 3 kokrra vezë
  • Kripë
  • 250 gr miell
  • 50 gr gjalpë

Përgatitja

Hedhim në një tas të madh miellin dhe pak kripë.

I përzjejmë bashkë e më pas nisim të hedhim nga pak qumështin duke trazuar pa ndërprerje brumin.

Pasi kemi hedhur gjithë qumështin e brumi ka marrë formë të njëtrajtshme hedhim vezët e rrahura.

Përzjejmë mirë masën derisa të bëhet homogjene.

Më pas, tek masa e përgatitur shtojmë gjalpin të cilin e kemi shkrirë më parë.

AgroWeb.org u sugjeron të bëni kujdes që gjalpin e shkrirë të mos e hidhni të nxehtë.

Trazojini mirë të gjithë, derisa të keni arritur një masë të njëtrajtshme dhe të lëngshme.

Më pas vendosni një tigan që nuk ngjit në zjarr. Përmes një furçe kuzhine lyejeni me pak gjalpë.

Hidhni në qendër të tiganit një garuzhde me brumin e krepave dhe me ndihmën e garuzhdes hapeni brumin në formën e petës në të gjithë sipërfaqen e tiganit.

Lëreni të piqet për 2 minuta dhe me pas kthejeni nga ana tjetër, lëreni dhe dy minuta që të piqet.

Vijoni kështu me të gjitha krepat derisa të mbarojë brumi i përgatitur.

Mbushja e krepave bëhet sipas preferencave.

Mund të mbushet me djathë të bardhë, domate e kastraveca, djathë kaçkavall e ton peshku e gjithashtu për krepa të ëmbla mund të përdorni mjaltë, çokokrem apo reçel të kombinuar me biskota e lajthi të thërmuara./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.