Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim, 260 milionë angazhim në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor

1.5k 0

Mbi 240 milionë në Shqipëri. Drejtësia, Mjedisi dhe Turizmi, Zhvillimi Rural, Shëndetësia, të Drejtat e Njeriut, Barazia Gjinore dhe Përfshirja Sociale.

Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) në Ballkanin Perëndimor prezantoi Raportin Vjetor 2021, në prani të Ambasadorit Italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, të Drejtoreshës së Zyrës së AICS në Tiranë, Stefania Vizzaccaro, të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, të Zv/Ministres së Drejtësisë, Adea Pirdeni, të Z. Gianluigi Pratola, në përfaqësim të Këshillit të Lartë të Magjistraturës Italiane.

Gjatë ceremonisë u paraqitën rezultatet më të fundit të një bashkëpunimi i cili ka filluar në vitin 1991 dhe që e ka bërë Italinë një nga faktorët ndërkombëtarë më të rëndësishëm në rajon, për zhvillimin e qendrueshëm dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit, me një angazhim të përditshëm, përkrah bashkësive vendore, në mënyrë të veçantë atyre më të brishta dhe të Qeverive të këtyre vendeve.

Një angazhim i përgjithshëm prej më se 260 milionë eurosh, me një kuotë kredish të buta prej 188 milionë eurosh, më se 50 milionë euro grant dhe 20 milionë euro në projekte të realizuara me fonde të konvertimit të borxhit. Projektet janë realizuar në sektorë kyç për zhvillimin e qendrueshëm dhe integrimin evropian të rajonit: mjedisi, drejtësia, energjia, bujqësia, mbrojtja civile, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, zhvillimi rural, duke përmendur më kryesorët.

Prezantimi përqëndrohet në mënyrë të veçantë te drejtësia dhe mjedisi, sektorë në të cilët Italia ka luajtur një rol të dorës së parë në 2021-shin, me organizimin e  COP26 në Glasgow së bashku me Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë prezantimit për gazetarët dhe publikun, Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci deklaroi: “Sot më shumë se kurrë është e rëndësishme të mbështesim me forcë disa vlera thelbësore, që udhëheqin punën e Qeverisë italiane: respektimi i të drejtave të njeriut, bashkëjetesa paqësore dhe e qytetëruar e popujve dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Me prezantimin e Annual Report të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor, gjithë Sistema Italia bashkon forcat dhe angazhohet, në bashkëpunim me partnerët shtetërorë dhe bashkësinë ndërkombëtare, për një perspektivë zhvillimi të qëndrueshëm të bashkësive tona, të cilat janë pranë jo vetëm nga pikpamja gjeografike, por mbi të gjitha nga pikpamja njerëzore dhe instucionale.”

Përfaqësuesja e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor, Stefania Vizzaccaro deklaroi: “Strategjia e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor ka dy elementë kryesorë që janë dy anët e së njëjtës medalje. I pari, mbrojtja dhe vlerësimi i identiteteve lokale në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor.  I dyti, promovimi i diversiteteve si burim pasurie, shkëmbimet paqësore mes bashkësive dhe vlerat thelbësore evropiane të të drejtave dhe të respektimit të njeriut, që janë elementë thelbësorë për qendrueshmërinë e proceseve të zhvillimit.”

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi: “Italia për Shqipërinë është shumë më tepër se një partner. Është bashkëpunimi i ndërsjelltë që nuk i mbetet vetëm institucioneve dhe sallave të mbyllura, por kulturalisht dhe krejt natyrshëm shkon direkt te njerëzit e punës. Për ta, modeli i zhvillimit të qëndrueshëm përmes ruajtjes së identitetit e traditës, sidomos e mbi të gjitha në turizëm, është përkthyer në mirëqenie. Shqipëria është mozaiku i identiteteve lokale, që patjetër angazhohemi t’i ruajmë e ku kemi raste suksesi siç është Përmeti dhe Lugina e Vjosës në sektorin e turizmit. Dukshëm bëhet fjalë për një model të frymëzuar nga Italia, në të cilin ne besojmë për mbrojtjen e identiteteve lokale, për promovimin e diversitetit dhe të bukurive tona natyrore. Një model të tillë të suksesshëm duhet ta aplikojmë në gjithë vendin.”

Z. Gianluigi Pratola, I cili përfaqëson Këshillin e Lartë të Magjistraturës Italiane, deklaroi: “Është interesante të shohësh se sa vëmëndje i kushton  AICS problemeve që lidhen me natyrën dhe drejtësinë, në një vizion të përbashkët, duke patur si objektiv zhvilimin e Shqipërisë në sektorë kyç. Angazhimi italian përkrah autoriteteve shqiptare për reformën e sistemit gjyqësor dhe mbështetja e një brezi të ri gjykatësish shqiptarë synon të arrijë një rezultat të qartë: një ndryshim të vendosur kursi në imazhin e magjistraturës dhe krijimin e një sistemi gjyqësor të shëndoshë, efikas dhe në harmoni me vlerat evropiane, për të cilat Italia është bërë gjithnjë promotor. Një sistem gjyqësor i pavarur, efikas dhe i besueshëm është, nga ana tjetër, kusht paraprak për mbështetjen e Shqipërisë si vend modern dhe demokratik në panoramën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, gjithnjë e më të  forta dhe efikase me Vendet e bashkimit Evropan dhe të Ballkanit Perendimor .”

Prezantimi i Raportit Vjetor nga ana e Agjencisë Italiane të bashkëpunimit për Zhvillim është një momënt i cili ka hapur një dritare në rrugëtimin drejt integrimit evropian të institucioneve dhe bashkësive të Ballkanit Perëndimor dhe do të bëjë të mundur edhe në vitet e ardhshme ndjekjen nga afër të një ndryshimi historik jo vetëm për banorët e rajonit, por edhe për të gjithë qytetarët italianë dhe evropianë.