Bruksel – Europa po zhvillon alternativa ndaj pirjes tradicionale të duhanit. Kjo është dhe shpresa e organizatës jo-qeveritare EPIC ose ndryshe Këshilli i Inovacionit për Politikat Evropiane i cili sot publikoi raportin e titulluar ’’Fundi i duhanit? Si Europa mund të shpëtojë miliona jetë duke promovuar rritjen ekonomike.’’ Studimi evidenton ndikimin ekonomik që ka zinxhiri i duhanit në nivel evropian dhe ofron një këndvështrim pragmatik mbi rregullimin e këtij tregu. Ҫ’ka do të zbuste dhe dëmet e shkaktuara nga konsumi i duhanit.
Duke pasur parasysh se përdoruesit e duhanit dhe nikotinës nuk do të zhduken brenda natës, sipas autorit, Antonios Nestoras, themelues dhe CEO i Këshillit të Inovacionit për Politikat Evropiane, Europa duhet të inkurajojë adoptimin e alternativave më të sigurta ndaj pirjes së duhanit.
Kjo qasje do të përmbushte tre qëllime: Ruajtjen e kontributit ekonomik të një industrie plotësisht të ndërtuar në Evropë; Përmirësimin e shëndetit publik përmes një kuadri rregullator që balancon reduktimin e dëmit me nevojën për të hequr gradualisht cigaret; Parandalimin e tregut të paligjshëm, për produkte me standarde të ulëta sigurie që vijnë kryesisht nga Kina.
Ndikimi ekonomik i duhanit në Europë
Në nivel europian, sektori i duhanit kontribuon me 223.7 miliardë euro në vit në PBB, ose 1.3 për qind të PBB-së totale të Bashkimit Europian. Të ardhurat totale vjetore tatimore nga duhani arrijnë në 112.9 miliardë euro (një shifër e barabartë me 55.4 për qind të shpenzimeve totale aktuale të BE-së për mbrojtjen). Industria punëson drejtpërdrejt dhe indirekt më shumë se 2.1 milionë njerëz, me një total pagash që i kalojnë 60 milionë euro.
Tregu i paligjshëm
Për shkak të tregut të paligjshëm të cigareve, humbasin 11.6 miliardë euro në vit ose 8.3% e konsumit total. Këto humbje financiare mund të përdoren për të rritur aktivitetet publike të kërkimit dhe zhvillimit në të gjitha vendet anëtare të BE-së me 52.5 për qind, duke përmirësuar kështu novacionin dhe zhvillimin në Europë.
Raporti tregon se si nxitja e investimit në alternativa më pak të dëmshme mund të jetë një strategji efektive për të reduktuar dëmet shëndetësore, për ruajtjen e kontributit ekonomik të një zinxhiri furnizimi mbarë-evropian dhe për të luftuar tregun e paligjshëm nga produktet me cilësi të dobët.
Në lidhje me rishikimin e Komisionit Evropian të Direktivës së Produkteve të Duhanit (TPD) dhe Direktivës së Taksimit të Duhanit (2011/64/BE), raporti thekson se marrja e masave ekstreme mund të dëmtojë tegun europian, duke inkurajuar tregtinë e paligjshme.
Prandaj, thirrja për institucionet është që të miratojnë një kuadër rregullator që synon të mbrojë zinxhirin europian të duhanit dhe më shumë se 2.1 milionë vende pune.
Lini një Përgjigje