Energjia e rinovueshme, MIE dhe AEE nisma konkrete për ta bërë Shqipërinë pionere në rajon.

232 0

Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë në drejtim të prodhimit të energjisë së rinovueshme, si një rrugë kjo për të ulur varësinë nga kushtet atmosferike. Në një kohë kur në agjendën e politikës ndërkombëtare klima dhe energjia janë kryefjalë, edhe Shqipëria po vijon të ndjekë të njëjtin ritëm me perëndimin, gjithnjë duke u vlerësuar për potencialin e jashtëzakonshëm që ka në këtë sektor.

Po çfarë është energjia e rinovueshme?

Energjitë e rinovueshme janë të gjitha format e energjisë alternative ndaj atyre fosile, të cilat janë në gjendje të prodhojnë energji, duke shfrytëzuar burime të pastra dhe të qëndrueshme të energjisë që rinovohen me kalimin e kohës. Duke patur parasysh ndikimin revolucionar në klimë, kosto e zhvillim ekonomik, Shqipëria shquhet si vend potencial për të patur sukses të madh në këtë sektor, andaj po ndërmerr disa inicitiva që këtë projeksion ta sjellë në jetë duke u lehtësuar bizneset, konsumatorët si dhe për të ofruar një të ardhme më të gjelbër.

Nismat për të zhvilluar këtë sektor të ndërmarra nga Agjencia për Eficencën e Energjisë (AEE) me anë të fushatës “Bashkë për Eficencën e Energjisë” si dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) synojnë që brenda vitit 2030, Shqipëria të jetë kampione rajonale në këtë sektor. Për të arrirë këtë objektiv, janë duke u ndjekur udhëzime të reja dhe projekte inovative, çka do të mundësojë që Shqipëria të bëhet një eksportues neto i energjisë deri në fund të dekadës. Ky objektiv parashtrohet edhe në Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2030 të qeverisë shqiptare, i cili shkon në linjë me Strategjinë Evropiane.

Thelbi i nismave është  përdorimi i energjisë elektrike të pastër nga burime të rinovueshme me një kosto më të ulët, gjë që do të ndikojë pozitivisht në të gjithë sektorët zinxhirë deri te faturat e shtëpive tona.  Udhëzimet për lidhjen në sistemin e shpërndarjes së energjisë, certifikimi i audituesve energjetikë, kualifikimi i menaxherëve të energjisë dhe sistemi elektronik i lejeve janë disa nga hapat e ndërmarrë për të lehtësuar dhe promovuar përdorimin e burimeve të rinovueshme.

Megjithatë, MIE shkoi përtej promovimit të energjisë së rinovueshme duke kristalizuar disa projekte më konkrete, të tilla si:

Një projekt mjaft me rëndësi është ndërtimi e dy termocentraleve diellore në Spitallë dhe Karavasta nga Voltalia, të cilat do të jenë më të mëdhatë në rajon.

Ndërtimi i parqeve fotovoltaike vlerësohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si shtylla e suksesit të Shqipërisë. Lidhur me këtë, një ndër iniciativat e fundit të ndërmarra nga Ministria e Infrastrukturës është edhe hapja e ankandit hidrid për fotovoltaikët, një tjetër hap sa i takon rritjes së prodhimit duke u bazuar tek energjia e rinovueshme.

Kësisoj, priten përparime në ndërtimin e parqeve fotovoltaike deri në vitin 2030 në Karavasta dhe Spitallë, të cilat do të prodhojnë 240 megavat energji fotovoltaike në total. Ndërkohë, deri në vitin 2030 nga burimet fotovoltaike prodhimi do të rritet me 490 megavat.

Karavastaja, projekti i parë do të fillojë të prodhojë duke i shtuar Republikës së Shqipërisë 140 MW nga energjia diellore, një diell që nuk mungon në vendin tonë, përveç ditëve me shi, por që do të mundësojë rikuperimin e ditëve që i duhen Kaskadës së Drinit.

Ky balancim i energjisë diellore dhe asaj të prodhuar nga uji, por edhe ajo eolike që po ngrihet, do të bëjnë që Shqipëria të plotësojë aspiratën për 2030-ën. Objektivi është që deri në fund të dekadës, Shqipëria të arrijë që 54.4% të energjisë që konsumohet në vend ta prodhojë nga burime të rinovueshme. Është ky synim i ndërmarrë nga MIE, në draft-planin e ri për energjinë, efektet e të cilit do të shtrihen gjatë këtyre viteve.

Por, a ka Shqipëria kushtet e favorshme për ta kthyer këtë projeksion në zhvillim real të këtij sektori?

Po, Shqipëria renditet në vendin e tretë pas vendeve skandinave për sasinë e lartë të prodhimit të energjisë elektrike për konsum nga burimet e rinovueshme në raport me totalin e konsumit. Ky tregues, e bën Shqipërinë vend me potencial të jashtëzakonshëm.

Vendi ynë, për shkak të kushteve atmosferike shumë të favorshme ka më shumë rrezatim diellor se vendet e tjera të Rajonit dhe, përdorimi i energjisë së rinovueshme do të sillte përfitime në uljen e emetimeve të gazrave serë. Diversifikimin e furnizimeve të energjisë dhe shkëputjen e varësisë nga tregjet e karburanteve fosile. Rritja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë mund të stimulojë gjithashtu punësimin në BE, përmes krijimit të vendeve të punës në teknologjitë e reja ‘të gjelbra’.

Ky angazhim i AEE-së dhe MIE-s, për të rritur kapacitetin e prodhimit nga burimet e rinovueshme, sjell përfitime të mëdha për konsumatorët. Përdorimi i energjisë së rinovueshme sjell një çmim më të ulët, ndihmon në diversifikimin e furnizimit të energjisë si dhe kontribuon në uljen e emetimeve të gazrave serë.

Në këtë rrugë drejt një energjie elektrike të pastër nga burimet e rinovueshme me kosto të ulët, eksperti i energjisë i AEE-së rekomandon edhe disa këshilla praktike për përdorimin eficent të energjisë në shtëpi, ndërtesa publike dhe në biznes. Përdorimi i teknologjive të avancuara, si kondicioneri me teknologji inverter dhe praktikat e thjeshta si fikja e pajisjeve elektrike kur nuk janë në përdorim, janë disa nga mënyrat për të rritur eficencën energjetike dhe për të ulur vlerën në faturat e energjisë.

Pas daljes së ligjit për energjitë e rinovueshme pati një interes të madh nga bizneset, si edhe familjarët, për të vendosur në përdorim këtë teknologji me idenë jo vetëm për të diversifikuar burimet e energjisë, por edhe për të patur përfitime reale prej saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.