Nga Sot Lamtumirë Qese Plastike! Mënyrat si t’i Zëvendësoni Për Pazaret

1.5k 0

Nga sot, hyn në fuqi ligji për shmangien e përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimshme. Nëse funksionon siç duhet, Shqipëria mund të çlirohet nga një prej ndotësve kryesorë të mjedisit dhe jo vetëm.

Nisma vjen në linjë me vendet e tjera të Bashkimit Europian, në përpjekje për një mjedis më të pastër dhe shëndet më cilësor.

Edhe pse qeset plastike njëpërdorimshme janë të lehta për t’u prodhuar, rrezikshmëria e tyre për mjedisin përfshirë shëndetin ka bërë që shtetet të marrin masa ndalimi ndërsa qytetarët të tregojnë një kujdes të shtuar ndaj mos përdorimit të tyre:

Për të sjellë në perspektivë dëmet që sjell përdorimi i qeseve plastike disa numra statistikorë tregojnë se sa urgjente është një reagim i menjëhershëm shoqëror.

• Qeset plastike që përfundojnë në oqeane shkaktojnë vdekjen e mbi 1 milion zogjve.
• Shkaktojnë vdekjen e mbi 100 mijë gjallesave nënujore çdo vit.
• Duhen 500 deri 1000 vjet që një qese plastike të degradojë plotësisht.
• Ndodhen rreth 46 mijë mbetje plastike në çdo milje katrorë të oqeanit.
• Në Shqipëri, përdoren rreth 3.2 miliardë qese në vit.

Disa zgjidhje për zëvendësimin e qeseve plastike

Konsumatorët gjithnjë e më shumë po i bashkohen zgjidhjeve miqësore me mjedisin duke shmangur qeset plastike njëpërdorimshme. Shumë mënyra efikase po bëjnë që përdorimi i qeseve plastike të minimizohet duke krijuar një masë të gjerë ndërgjegjësimi në përqafimin e mjedisit të pastër.
Çantat prej letre ose kartoni

Çantat e letrës apo kartonit janë 100% më të biodegradueshme në krahasim me qeset plastike një përdorimëshe. Ato janë gjithashtu të riciklueshme dhe të ripërdorshme. Përveçse janë më miqësore me mjedisin, çantat prej letre mund të përballojnë më shumë nëse jo të njëjtën sasi presioni apo peshe si qeset plastike.

Çantat me material prej thesi

Çantat me material prej thesi janë ndoshta alternativa më e mirë ndaj qeseve plastike. Ato kanë rezistencë dhe jetëgjatësi të konsiderueshme në krahasim me opsionet e tjera si çantat e pambukut. Ashtu si çantat e pambukut, këto çanta janë gjithashtu një burim natyral i rinovueshëm.

Çantat prej pambuku

Çantat e pambukut preferohen për shkak se janë të biodegradueshme dhe të ripërdorshme. Fakti që ato janë bërë nga burime natyrore dhe të rinovueshme është gjithashtu një plus. Çantat e pambukut janë ende një alternativë e shkëlqyer ndaj qeseve plastike.

Çantat tradicionale rrjetë

Nëse preferoni të shkoni sipas mënyrës së vjetër, çantat shportë prej rrjete janë gjithashtu një alternativë e shkëlqyer me jetëgjatësi funksionale të pafundme. Për disa njerëz, ato janë një alternativë ideale, prandaj modeli i tyre vijon t’u rezistojë viteve.

Këto janë disa mënyra efikase në zëvendësimin e qeseve plastike, ku tashmë pasja e një çante pazari është shndërruar në trend. Me dizajne të veçanta, imazhe dhe thënie miqësore me mjedisin përdorimi i tyre po vjen gjithnjë e në rritje.

*Samel Kruja, eksperte e mjedisit. Ky artikull i bashkohet fushatës së ndërgjegjësimit mbi shmangien e përdorimit të qeseve plastike, mbështetur nga UNICEF dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Burimi: Top Channel