Si do deklarohen mbjelljet nga fermerët për të përfituar naftë falas

459 0

Fermerëve që do t’u pranohet aplikimi për përfitimin e naftës falas kanë të drejtë ta tërheqin atë deri në 30 nëntor 2021.

Ministria e Bujqësisë sqaroi me një udhëzim se lista përfundimtare e subjekteve përfituese do të dalë pas përfundimit të fazës se aplikimeve qe është data 25 shkurt 2021. Për të gjithë fermerët e aprovuar për të marrë një sasi nafte falas, me emrin e tyre do të prodhohet një karte nafte nga operatori i shpërndarjes se naftës.

Kjo kartë do t’ju dorëzohet nga pikat e Agjencive Rajonale te Ekstensionit Bujqësor. Parimi kryesor është qe mbështetja me nafte bujqësore bëhet për bimë të kultivuara, si perimet e serës dhe dru frutorë.

Nga skema e naftës do të përjashtohen fermerët që deklarojnë tokë të kultivuar me ullishte, kullota, bimë dekorative etj. Ministria e Bujqësisë sqaroi se nëse fermeri që aplikon sipërfaqen e tokës e ka 5 dynym dhe parcelat i ka mbi 1 dynym, por një pjesë toke (3 dynym) është e mbjelle me ullinj, kushti i pranimit prej 4 dynym (0.4 Ha) tokë bujqësore, duhet të jetë sipërfaqja me kultura të pranuara. Pra pjesa e mbjellë me ullinj përjashtohet nga llogaritja. Nëse duke hequr pjesën e mbjelle me ullinj, sipërfaqja e mbetur është me pak se 4 dynym, atëherë aplikanti nuk ka mundësi te përfitoje për mbështetje me nafte bujqësore.

Për rastet kur brenda një blloku me ullinj është mbjellë (për shembull jonxha) nuk do të pranohet për t’u përllogaritur mbjellja brenda bllokut, pasi kulturat bashkëshoqëruese nuk mund të përfitojnë nga mbështetja me naftë. “Në këtë rast jonxha është “bashkëshoqëruese” në një parcelë me ullinj. Nuk përfiton nga mbështetja me naftë”, thuhet më udhëzim.

Regjistrimin e një sere të mbjellë me vreshta, Ministria e Bujqësisë e kategorizon si rast të veçantë dhe për efekt të aplikimit, ajo do të regjistrohet në seksionin “Pemëtore me kategorinë Dru frutore te tjera/Vresht. “Nuk do te regjistrohet si sere ne parcele. Ky është edhe rasti serave me limon. Pra ne këto raste, sipërfaqja nuk do te trajtohet si Sere por si Pemëtore – vetëm për efekt te aplikimit dhe përllogaritjes se normatives.

Deklarimi i mbjelljeve nga aplikuesi

-Për perimet e serës, fermeri do të deklarojë deri në 2 mbjellje në vit. Fermeri do të deklarojë si mbjellje të parë sipërfaqet që ka të mbjella me perime sere në momentin e aplikimit dhe/ose sipërfaqet që do të mbjellë deri në 31 maj 2021 dhe, si mbjellje të dytë, sipërfaqet që do të mbjellë me perime sere nga 1 Qershori 2021 deri në 30 shtator 2021. Në këtë kuadër, ai do të deklarojë sipërfaqet e mbjella me perime vetëm për dy mbjellje, pa deklaruar llojin e bimës së mbjellë.

-Për dru-frutorët, fermeri do të deklarojë sipërfaqen ekzistuese të mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 30 shtator 2021, me kusht që sipërfaqet e reja të mos jenë zëvendësime të sipërfaqeve të deklaruara të mbjella me të njëjtat bimë ose me bimë të tjera. Sipërfaqja e deklaruar që është zënë me këto bimë do të llogaritet e kultivuar vetëm një herë.

-Për kulturat në fushë të hapur, për bimët një-vjeçare të arave dhe perimet e fushës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet: me bimët e arave të mbjella në vjeshtën 2020 (fakt në momentin e aplikimit) dhe/ose që do të mbillen deri në 31 Maj 2021; me perimet e fushës që ka mbjellë (fakt në momentin e aplikimit) ose që do të mbjellë deri në 31 Maj 2021.

Fermeri do të deklarojë edhe sipërfaqet e mbjella ose që do mbillen me kultura të dyta dhe që e zënë tokën deri më 30 shtator te vitit 2021. Llogaritja e naftës për kulturat e dyta do të jetë sa 70% e sasisë që llogaritet për të njëjtat bimë si kultura të para.

-Për bimët foragjere shumë-vjeçare, dhe bimët aromatike-mjekësore, fermeri do të deklarojë sipërfaqen e mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 30 shtator 2021, me kushtet e përcaktuara në pikën b) për drufrutorët

Në rastin e bimëve bashkë-shoqëruese, sipërfaqja do të deklarohet vetëm një herë, vetëm për bimën kryesore. Në të gjitha rastet, sipërfaqja e parcelës me bimë arash nuk mund të deklarohet e kultivuar më shumë se dy herë.

Kultura që përjashtohen nga mbështetja me naftë bujqësore

Janë te përjashtuara nga mbështetja me naftën bujqësore: ullishte dhe prodhimi i fidanëve te ullinjve; orizi; kultivimi i fidanëve (përveç fidanëve drufrutore); bimët dekorative; pyjet; silvikultura dhe kullotat/lëndinë në formë natyrore (të pakultivuara).

Më poshtë janë disa raste ilustruese të “kualifikimit” për mbështetje me naftë bujqësore.

 /Burimi:Monitor