Zhvillimi i Teknologjisë dhe Transferimi i Njohurive në Sektorin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike në Shqipëri (BMA)

556 0

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në bashkëpunim me aktorët e sektorit privat, shoqatat e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA), dhe me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i zbatuar nga Helvetas dhe Partnerët Shqipëri, organizojë konferencën kombëtare të fokusuar në transformimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri. 

Konferenca, e titulluar “Zhvillimi i Teknologjisë dhe Transferimi i Njohurive në Sektorin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike në Shqipëri,” do të mbahet në UBT më 14 Nëntor 2024, nga ora 09:00 deri në 14:00. Konferenca synon të mbledhë së bashku aktorët kryesorë të industrisë, duke përfshirë politikbërjen, akademinë, ekspertë ndërkombëtarë, biznese, donatorë dhe blerës ndërkombëtarë, për të diskutuar dhe avancuar sektorin e BMAve në Shqipëri. 

Për herë të parë, UBT dhe sektori privat, i përfaqësuar nga dy shoqata kryesore të BMAve, kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti për të drejtuar zhvillimin e ardhshëm të sektorit. Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të industrisë së BMAve në Shqipëri. Kompendiumi Kombëtar i Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, i zhvilluar përmes një partneriteti midis UBT, Qendrës Zvicerane të Ekselencës në Bujqësi (Agroscope), dhe sektorit privat, me mbështetjen e RisiAlbania, ofron njohuri të rëndësishme mbi kultivimin e BMAve, menaxhimin e cilësisë dhe strategjitë e tregut. Dokumenti synon të ndihmojë aktorët e sektorit në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe gjurmueshmërisë, duke mundësuar kalimin nga mbledhja në natyrë, drejt kultivimit të qëndrueshëm. 

Konferenca do të përshëndetet nga figura të rëndësishme. Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektori i UBT, do të flasë mbi rolin e akademisë në avancimin e inovacionit bujqësor, Z. Arjan Jaupllari, Zëvendës Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, do të diskutojë vizionin strategjik të Ministrisë për sektorin e BMAve. Zoti Stephan Joss, Koordinator Kombëtar i Helvetas, do të theksojë kontributet e projektit në sektorin e BMAve dhe objektivat e tij më të gjera të zhvillimit. 

Agjenda përfshin prezantimin e Kompendiumit të BMAve nga Prof. Dr. Ilir Kristo, Prof. Dr. Endrit Kullaj, dhe Prof. Dr. Alban Ibraliu, të cilët do të diskutojnë se si kompendiumi mbështet sektorin në standardet e cilësisë, mekanizimin dhe konkurrencën në eksport. Gjithashtu, Prof. Dr. Bernhard Streit nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Bernës do të prezantojë potencialin e Shqipërisë për bujqësi rigjeneruese. 

Panelet do të thellohen mbi rolin e shoqatave të BMAve në nxitjen e qëndrueshmërisë dhe nevojën për një platformë kombëtare për të koordinuar përpjekjet e sektorit. Diskutimet do të mbulojnë gjithashtu tendencat e tregut ndërkombëtar dhe kërkesat specifike të blerësve me vlerë të lartë, me kontribute nga përfaqësues të sektorit privat dhe blerës ndërkombëtarë. 

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të angazhohen konkretisht në diskutime gjatë sesioneve të rrjetëzimit të konferencës. Kjo platformë do të inkurajojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive, duke lehtësuar rrugën e sektorit drejt rritjes së konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe arritjes në treg. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.