Këshillat Më Të Mira Për Rritjen e Erëzave Brenda Kuzhinës Tuaj

996 0

Vendosja e disa vazove me barishte të ndryshme pranë dritares së kuzhinës sjell natyrën në ambiente të mbyllura, e gjithashtu shije të freskët për çdo gjë që gatuani.

Nuk ka gjë më të mirë se freskia në pjatat që përgatisni, dhe barishtet arrijnë të gjallërojnë edhe gatimin më të zakonshëm.

Ju mund të filloni duke mbjellë fara ose me bimë të vogla, por mbani mend se farat, edhe pse më të përballueshme, kërkojnë më shumë punë dhe më shumë kohë për t’u rritur sesa një bimë e re.

Edhe pse mbajtja e tyre pranë dritares së kuzhinës është më e përshtatshme për shakak të afërsisë së saj me vendin ku gatuani, çdo dritare në shtëpinë tuaj është e përshtatshme.

Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me disa këshilla të thjeshta për kultivimin e tyre në shtëpi.

Ndiqni këto hapa bazë

Nëse po planifikoni të mbillni bimët tuaja të preferuara duke përdorur farat e tyre, sigurohuni që të lexoni me kujdes udhëzimet në paketim.

Mbushni secilën vazo me dhe të freskët, hidhni sipër disa fara, shtoni pak dhe sipër, e në fund ujitini.

Mbulojeni vazon më një qese plastike për të ruajtur lagëshitnë dhe për të nxitur rritjen. Kur bimët të fillojnë të mbijnë, hiqni plastikën.

Nëse blini një bimë të mbjellë, zhvendoseni atë në një enë më të madhe në mënyrë që rrënjët të rriten, përndryshe ato mund të prishen.

Këshilla të tjera:

  • Vendosini në një vend me diell

Bimët e pëlqejnë diellin e plotë dhe të drejtpërdrejtë, kështu që është e rëndësishme t’i vendosni pranë një dritareje. Sigurohuni që të lexoni etiketën e tyre për të mësuar se sa orë dielli i duhen për të lulëzuar.

Një dritare me pamje nga jugu me gjashtë deri në tetë orë diell është më e mira, por nëse kjo nuk është e mundur, ju mund të instaloni llamba fluoreshente.

  • Mbillni barishtet me të cilat gatuani më shpesh

Nenexhiku, rozmarina, borziloku, rigoni, majdanozi dhe trumza rriten shumë mirë në prag të dritares dhe ka të ngjarë t’i përdorni më së shumti në kuzhinë.

Nëse ka ndonjë barishte tjetër që ju pëlqen dhe gatuani rregullisht me të, ndjehuni të lirë të provoni ta mbillni.

  • Jepuni bimëve hapësirë

Nëse grumbulloni shumë bimë në një vazo të vogël, mos prisni që të lulëzojnë. Rrënjët kanë nevojë për hapësirë ​​për t’u rritur dhe nëse ajo mungon, bima nuk do të jetë në gjendje të rritet.

  • Mos i mbillni bashkë këto bimë

Disa barishte, të tilla si nenexhiku dhe koriandra, nuk duhet të mbillen kurrë së bashku me barishte të tjera, pasi ato rriten shpejt dhe priren të pushtojnë pjesën tjetër të hapësirës.

  • Kombinojini

Shumë barishte mund të kombinohen në një vazo të vetme. Borziloku, majdanozi, trumza ose rozmarina, mund të mbillen në të njëjtën vazo.

  • Mos harroni!

Një herë në muaj, ushqeni bimët tuaja me pleh organik dhe ujitini mjaftueshëm.

Ndërsa bimët rriten, mos i ujisni më tepër se duhet, pasi kjo do të shkaktojë dëmtim të rrënjës. Ujitini vetëm kur dheu të duket i thatë. /AgroWeb.org