Lilium Albanicum – Zambaku Shqiptar i Përjetësisë

1.6k 0

Zambaku është një lule shumë e bukur që rritet në gjithë globin, por trevat tona i kanë dhënë botës një zambak të veçantë që ka origjinë shqiptare dhe i përket vetëm vendit tonë. Kjo lule mban emrin Lilium Albanicum, zambaku shqiptar.

Ky zambak me lule të verdha është një nga llojet më të lashta të kësaj luleje dhe mund të gjendet vetëm në zonat shkëmbore të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë Veriore. Lilium Albanicum është dëshmi e zjarrtë e trashëgimisë së lashtë të popullit shqiptar në Ballkan dhe hapësirës historike të territoreve shqiptare.

Zambaku shqiptar akoma rritet në natyrë, kryesisht në zonat malore sidomos në Bjeshkët e Namuna, Malet e Sharrit, madje edhe në Malin e Dajtit që ngrihet shtatlartë mbi Tiranë. Ky zambak është aq i veçantë dhe me vlera sa që meriton të mbrohet nga ligji, siç shprehen botanistët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.

Vlerat e Zambakut të Shqipërisë

Zambaku është një lule që kënaq jo vetëm sytë, por edhe zemrën. Një nga vlerat kryesore të zambakut është aftësia që kjo lule e bukur ka për të rregulluar rrahjet e zemrës. Kjo do të thotë se zambaku ndihmon zemrën të funksionojë në mënyrë më efikase.

Vlerat e zambakut për zemrën i atribuohen prezencës së shumë substancave dhe flavonoidëve që stimulojnë enët e gjakut dhe ndihmojnë në zgjerimin e tyre. Një nga përdorimet më terapeutike të zambakut ka të bëjë me trajtimin e djegieve dhe parandalimin e krijimit të njollave dhe shenjave. Rrënjët e bimës së zambakut përdoren për përgatitjen e disa kurave që janë të nevojshme për trajtimin e zonave të djegura.

Zambaku përdoret gjithashtu për kura mjekësore kundër infeksioneve të fytit, ishemisë dhe infeksioneve të syrit. Në disa zona të botës, rrënjët e llojit të zambakut të drurit, përdoren për të trajtuar kollën, temperaturën, çrregullimet e stomakut, njollat, plagët dhe enjtjet.

Gonxhet e freskëta dhe të thata të zambakut janë shumë efektive për trajtimin e ulçerës dhe infeksioneve. Zambaku gjithashtu mund të aplikohet edhe tek aknet kryeneçe duke i zbutur ato menjëherë. Një nga vlerat shëndetësore dhe terapeutike gjendet edhe tek lëngu i gonxheve të freskëta të zambakut shqiptar që kuron hidropizinë në mënyrë natyrale.

Vaji i zambakut nuk mund të distilohet për shkak të natyrës delikate të lules. Zakonisht, vaji esencial i zambakut nxirret nga ato lule të pasura me linalol, vanilinë, terpineol, alkol feniletil, acid palmitik, acid cinamik dhe acid benzoik, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në vlerat mjekësore të zambakut.

Ekstrakti dhe vaji esencial i zambakut përdoret gjithashtu në kozmetikë, në përgatitjen e kremërave dhe larësve të fytyrës. Vaji esencial i zambakut përdoret në trajtimet aromaterapuetike për të trajtuar depresionin, sepse prania e tij ndihmon në çlirimin e ndjenjës së modestisë, lumturisë dhe sigurisë.

Përdorime të tjera të zambakut

Përveç vlerave mjekësore, zambaku dhe vajrat esencialë të tij kanë një rol të veçantë në përgatitjen e parfumeve. Ato përdoren edhe në gatim, sidomos në recetat kineze sepse zambaku është i ëmbël dhe ka një aromë perimesh që i ngjan lakrës, shpargut ose kungujve të freskët. Gonxhet e zambakut përdoren edhe në kuzhinën japoneze sepse i japin ëmbëlsinë e duhur recetave të këtij vendi./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.