Më Prek – Mos më Prek! Lulja me Vlera Speciale Shëndetësore

3.6k 0

Ajo është një lule e vështirë për t’u ledhatuar. Sapo e ndien që i afrohesh, mbyllet në vetvete. Po flasim për lulen Mos më Prek me emrin botanik Mimosa Pudica.

Kjo bimë duket sikur është kryeneçe, por në të vërtetë, ashtu siç edhe tregon emri i saj latin (Pudica-e turpshme), ajo thjesht ‘ka turp’.

Bima e mbushur me lule të vogla të bukura ngjyrë rozë dhe gjethe në ngjyrë të gjelbër mblidhet menjëherë sapo të preket nga dora e njeriut.

Lulja Mos më Prek gjendet kudo në botë dhe në Shqipëri rritet me bollëk dhe mund të gjendet në ngjyra të ndryshme, por në prag të tharjes duket e bardhë.

Kjo lule në të vërtetë konsiderohet si barishte. Por, praktikuesit e mjekësisë popullore e kanë përdorur prej kohësh kërcenjtë, gjethet dhe lulet e saj për shkak të vlerave shëndetësore.

Zakonisht, kërcenjtë dhe gjethet e bimës pastrohen, thahen dhe përdoren në kura të lëngshme ose në kapsula, të cilat gjendet në farmaci ose në pikat e produkteve organike.

Gjethet gjithashtu mund të thahen dhe përdoren si çaj, i cili përgatitet njëlloj si çdo çaj tjetër bimor.

Një nga aplikimet më të rëndësishme shëndetësore përfshin formën e thatë ose atë të pluhurit të lëkurës së kërcellit të lules e cila përdoret për të ngritur humorin.

Në disa vende orientale, lëkurën e kërcellit të lules Mos më Prek e quajnë “Lëkura e Lumturisë Kolektive”.

Zakonisht në këto vende, lëkura e thatë ose pluhur u jepej njerëzve që kishin nevojë për pastrim dhe gëzim shpirtëror. Në vende të tjera, lulja Mos më Prek është përdorur edhe kundër diaresë, disenterisë, plagëvë etj.

AgroWeb.org ka përmbledhur të gjitha përdorimet mjekësore të bimës Mimosa Pudica të provuara shkencërisht, të cilat do t’ju befasojnë.

Vlerat dhe përdorimet mjekësore të lules Mos më Prek

1. Shëron plagët

Ekstrakti që përgatitet duke shtypur gjethet me pak ujë përdoret me efikasitet për trajtimin e plagëve. Kjo kurë e vlerësuar shkencërisht ka treguar se përshpejton ndjeshëm shërimin e plagëve.

2. Lufton dhe mbron nga helmet

Një studim interesant ka treguar se lulja Mos më Prek lufton helmimet dhe pickimet nga gjarpri.

Studimi vëzhgoi vlerat e ekstraktit ujor të lules që përgatitet duke zier rrënjën e thatë të bimës në ujë dhe arriti në konkluzionin se ai arrinte të parandalonte helmet.

Megjithatë, kjo kurë duhet bërë nën vëzhgimin e një botanisti profesionist.

3. Kundër ulçerës

Një tjetër karakteristikë e rëndësishme e Mimosa Pudica-s është ndikimi që ka kundër ulçerës. Një studim i bërë tek brejtësit tregoi se të paktën 100 mg i ekstraktit të etanolit që gjendet tek bima zvogëlonte ulçerën.

4. Kundër inflamacionit

Një tjetër studim mbi lulen Mos më Prek ka treguar se ajo lufton inflamacionin në mënyrë të ndjeshme. Nëpër zonat e largëta, njerëzit ziejnë gjethet e barishtes dhe lëngun e ngrohtë e përdorin për kompresa kundër zonave të inflamuara.

5. Kundër diabetit

Mimosa pudica ka aftësi të trajtojë diabetin, falë ekstraktit të etanolit. Zakonisht gjethet ose rrënjët e grira hollë në pluhur të konsumuara çdo ditë ulin nivelet e sheqerit në gjak.

6. Mbron mëlçinë

Një tjetër përdorim mjekësor i lules Mos më Prek është ai në mbrojtje të mëlçisë kundër toksinave. Këto janë konkluzionet e disa studimeve të bëra tek brejtësit të cilët i janë nënshtruar helmimit me toksina dhe kurimit me ekstraktet e lules Mos më Prek.

7. Lufton mikrobet, mykun dhe virozat

Mimosa pudica ka vlera kundër mikrobeve, mykut dhe virozave, thotë një studim i kryer në Indi, që ka analizuar ekstraktet e barishtes dhe ndikimit të tyre ndaj baktereve dhe mykut.

Këto ekstrakte ishin shumë efikasë dhe mbanin bakteret nën kontroll, thotë studimi.

Por kujdes. Mimosa pudica është armik i femrave që duan të jenë shtatzënë, sepse arrin të kufizojë dhe pengojë fertilitetin, ndaj ata që kanë plane të zgjerojnë familjen, nuk duhet ta konsumojnë këtë barishte në asnjë mënyrë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.