Si Ta Mbillni Shafranin – Këshilla Rreth Kujdesit Që Duhet Të Tregoni

5.7k 0

Shafrani rritet kryesisht në rajonet e ngrohta të Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme dhe është erëza më e shtrenjtë në botë. Vetëm një gram kushton nga 10 deri në 20 euro, në varësi të cilësisë.

Këtë bimë të mrekullueshme ju mund ta mbillni në kopshtin tuaj, e nëse vendi ku jetoni karakterizohet nga një mot i ngrohtë rritja e tij do të jetë edhe më e thjeshtë.

Më poshtë AgroWeb ju njeh me disa këshilla rreth kujdesit që duhet të tregoni për këtë bimë shumëvjeçare, e cila do t’ju kënaqë për shumë vite.

Kultivimi

Kultivimi i bimës së çmuar nuk është i lehtë, sepse kërkon shumë kushte. Megjithatë, në vende të mbrojtura nga i ftohti dhe tepmeraturat e ngrohta në kopshtin tuaj, bima mund të rritet e shëndetshme. Por për të qenë në gjendje të korrni një sasi të konsiderueshme, do të duhej të rriteshin rreth 150 lule për 1 g fije shafrani të thara. E megjithatë, bukuria që kjo lule fal ja vlen të shijohet. Bimët e shafranit preferojnë vende të thata, me diell, në tokë ranore dhe gëlqerore. Kullimi i ujit duhet të jetë shumë i mirë përndryshe zhardhokët dhe rrënjët do të kalben shpejt. Shafrani preferon të jetë i mbrojtur nga era dhe kërkon ambient ngrohtë me temperaturë konstante prej rreth 15 °C gjatë formimit të luleve, madje edhe në shtator dhe tetor. Kjo rrit mundësinë për të korrur fijet në vjeshtë.

Mbjellja

Zhardhokët e vegjël mund të vendosen direkt në tokë ose në një vazo duke filluar që nga korriku e deri në fund të gushtit. Për kultivimin e shafranit në vazo, hapësira duhet të jetë e bollshme.  Këshillohet që dheu që do të përdorni të jetë i pasur me lëndë ushqyese. Dheu apo toka, duhet gjithashtu të ruajnë lagështinë dhe të sigurojë lëndë ushqyese për një kohë të gjatë. Zhardhokët e shafranit vendosen në një thellësi prej 15 cm, me në një distancë prej rreth 15 cm.

Kujdesi

 

Pas mbjelljes, shafrani fillimisht nuk kërkon ujitje, sepse zhardhokët përmbajnë ujë  mjaftueshëm për zhvillimin dhe mbirjen e rrënjëve. Ndërsa rritja vazhdon, ujitja e herëpashershme gjatë ditëve me nxehtësi ekstreme është e  mjaftueshme. Në periudhën nga maji deri në gusht, shafrani nuk duhet të ujitet fare, sepse nuk ka as gjethe e as lule. Këshillohet që shafrani të vendoset në vazo ose të mbillet në një vend tjetër çdo 3 deri në 5 vjet. Kjo duhet të bëhet nga prilli deri në shtator.

Shafrani toleron temperaturat në tokë deri në -10 °C, në temperatura më të ulëta situata mund bëhet kritike. Një mbulesë ose një shtresë e trashë gjethesh mund të sigurojë mbrojtje shtesë nga temperaturat e ftohta. Zhardhokët e shafranit të mbjella në vazo duhet të dimërojnë në ambiente të mbyllura e pa ngrica, dhe duhen ujitur rrallë. Nëse mbjellja dhe kujdesi janë të suksesshme, shfrani do t’ju shpërblejë në tetor me bukurin e luleve ngjyrë vjollce të thellë dhe fijet e bukura në portokalli. /AgroWeb.org

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.