Si të Mbillni Dafina në Vazo – Shije, Shëndet dhe Mbarësi në Shtëpi

3.2k 0

Dafina nuk është thjeshtë një erëz që i shton shije fantastike gatimeve por mbi të gjitha ajo është e pasur me vlera të jashtëzakonshme shëndetësore

Dafinën e gjejmë të mbjellë në shumë kopshte dhe hapësira të gjelbëra.

Nëse dëshironi, mund të merrni një degë të hollë të pemës së dafinës.

Dega duhet të ketë një gjatësi prej 8-10 centimetrash. Hiqni gjethet e sipërme dhe të poshtme duke vendosur degën në një vazo.

Mbusheni dy të tretën e saj me rërë e guralecë dhe një të tretën me dhe’ të plehëruar organik. Mbulojeni vazon me një qese plastike, por mos e lejoni të prekë degën e dafinës.

Mbulimi do të krijojë një serë të vogël për rritjen për së mbari të dafinës që nga dega.

Kësaj të fundit do t’i duhen disa muaj deri sa të lëshojë rrënjë dhe kur ta bëjë këtë gjë, atëherë mund të vendosni nëse dëshironi ta transportoni bimën e re në kopsht apo në një vazo tjetër.

Të dyja vendet janë të përshtatshme, por nëse zgjidhni vazon atëherë duhet të angazhoheni t’i ndërroni dafinës së re ‘shtëpi’ herë pas here dhe ta ushqeni me pleh për të siguruar rritjen e saj.

Pema ka nevojë për shumë diell dhe rritet mirë në klima të freskëta, por nëse ndodheni në një vend me klimë të nxehtë, atëherë sigurohuni që bima të ketë hije të pjesshme.

Dafina kërkon të mbrohet edhe nga era. Zgjidhni një vend me tokë të kulluar mirë.

Nëse dëshironi ta mbillni në vazo atëherë shtoni lëngun e gjysëm limoni jeshil për të ekuilibruar aciditetin e dheut.

Dafina duhet ujitur herë pas here, por sigurohuni që dheu përreth të jetë i thatë kur ta ujisni.

Ujiteni më shpesh, kudo që ta keni mbjellë.

Trungu i ri i pemës duhet të ketë hapësirë dhe nuk duhet mbuluar me shumë pleh.

Pema e dafinës nuk ka nevojë për krasitje, përveç se në rastet kur dëshironi t’i jepni një formë që ju pëlqen, ose të parandaloni zgjatimin e saj.

Forma e rekomanduar është ajo rrethore, kryesisht për dafinat e rritura në saksi.

Pema e dafinës rritet nga toka me metra. Por nëse e keni mbjellë në një saksi, atëherë ajo do të jetë shtatshkurtër pasi zhvillimi i rrënjëve ndikon gjatësinë e shtatit.

Gjethet e saj mund t’i këpusni kur pema të jetë formuar plotësisht. Gjethet duhen këputur herët gjatë ditës për të ruajtur aromën e tyre.

Nëse gjethet kanë marrë nuanca të verdha, atëherë me siguri po e teproni me ujin dhe rrënjët janë tepër të lagështa.

Dheu përreth dafinës duhet të ngjajë me një sfungjer të shtrydhur, jo të zhytur në ujë./AgroWeb.org