Zhumbrica – Bima Aromatike që Lufton Melankolinë

3.9k 0

Zhumbrica ose timusi i egër është një bimë autoktone e Shqipërisë, ndonëse ajo gjendet në sasi më të vogla se timusi i zakonshëm që kultivohet gjërësisht në vend.

Zhumbrica gjendet kryesisht në lëndina, shpate, kodrina, shkëmbinj dhe male të pjesës veriore të Shqipërisë.

Njihet edhe me emrat, bosuleku i eger, timian etj. Emri botanik është Thymus serpullum.

Kjo barishte e egër ka një aromë fantastike që zgjon shqisat.

Aromën e saj e ndjen menjëherë sepse është lehtësisht e dallueshme në krahasim me barishtet e tjera.

Kjo aromë karaktersitike ka ndikim të menjëhershëm në humorin e njeriut.

Në Romën e lashtë, timusi i egër ishte një kurë fantastike për njerëzit melankolikë.

Zhumbrica është një bimë që përshtatet shumë mirë me ambientin ku rritet.

Varietet e saj janë të shumta gjithnjë në varësi të mjedisit ku kjo barishte çel e lulëzon.

Në gjendjen e saj natyrale, ose në variantin e thatë, zhumbrica është e vogël me tufëza të dendura dhe të mbledhura.

Por, nëse kjo barishte rritet në strehën e bimëve të tjera, ajo rritet ndjeshëm dhe shtatlartë dhe ka një pamje krejt tjetër.

Zhumbrica dhe timusi i zakonshëm janë të parapëlqyerat e bletëve.

Ata që kanë lexuar komedinë e hershme të Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”, kanë hasur nëpër rreshta lavdet që i janë thurur bimës së timusit si Mbretëresha e Zanave.

Sipas përshkrimeve të Shekspirit, tufat me timus formonin këndin më të bukur të pushimit për këto krijesa mitike.

Në shumë vende të botës, vajzat thurnin kurora me timus, mente dhe livando në përpjekje për të gjetur dashurinë e vërtetë.

Kushtet e kultivimit

Zhumbrica rritet në çdo ambient, por ajo preferon dritën e diellit, rërë dhe zhavorr.

Kjo bimë shumohet nëpërmjet farave, fidanëve ose rrënjëve.

Gjatë vjeshtës dhe dimrit zhumbrica duhet ushqyer me pleh, ndërsa në pranverë me nitrat. Kur bima çel lule ajo duhet prerë, këputur dhe tharë në të njëjtën mënyrë si timusi i zakonshëm.

Esenca e saj përftohet nëpërmjet distilimit. 100 kilogramë zhumbricë prodhojnë 150 gramë esencë.

Lëngu aromatik i zhumbricës përftohet nëpërmjet luleve të zhytura në tretësirë kripe për 24 orë.

Përdorimet mjekësore të zhumbricës

Zhumbrica është një bimë aromatike, anti-septike, diuretike dhe stimuluese.

Ekstrakti i zhumbricës përdoret për sëmundjet e kraharorit dhe tretjen.

Ky ekstrakt është përdorur kundër kollës, fytit të acaruar dhe fryrjeve në stomak, përdoret nëpërmjet 30 gram të barishtes së tharë me dy gota ujë të ngrohtë.

Lëngu ëmbëlsohet me sheqer ose mjaltë dhe plotësohet me fara lini dhe akacia. Ky ekstrakt përdoret me nga një ose dy lugë gjelle disa herë në ditë.

Ai përdoret në rastet e abuzimit me pijen, dehjen por edhe kundër problemeve me gjumin, ankthit etj.

Çaji i zhumbricës (edhe në rastet kur kombinohet me rozmarinën) është një kurë e jashtëzakonshme kundër dhimbjeve të kokës dhe problemeve nervore.

Zhumbrica është një bimë që mund të mbahet edhe në ambientet tuaja të shtëpisë, sepse aroma e saj është shumë e këndshme./AgroWeb.org