Pse Domatet Shqiptare Nuk Kanë Shijen e Dikurshme

4.2k 3

Është e pamundur të gjesh një shqiptar që ka jetuar para 90-tës, e që s’ka bërë një herë në jetë pyetjen: Po si ka mundësi që domatet nuk kanë më atë shijen e mrekullueshme të dikurshme?

Është absurde të mendosh që një sistem që mezi ia dilte të ushqente popullsinë përmes racionimit, të ofronte domate më të shijshme sesa një sistem që siç thuhet “I ka të gjitha të mirat, edhe qumësht dallëndysheje”.

AgroWeb.org është pëpjekur të gjejë përgjigjet e pyetjes 1 milion dollarëshe:

Pse domatja nuk ka shije domateje? Në artikullin e mëposhtëm shpresojmë të sjellim qartë shpjegimet e specialistëve.

Cilat janë varietetet e domates që mbillej para 90’ dhe a mbillen ende?

Jo, nuk mbillen më, së paku jo për tregëtim. Kjo përgjigje mund të sqaronte gjithçka por s’është kështu.

Specialistët thonë për AgroWeb.org se varietetet e domateve që mbilleshin në atë kohë janë të ndryshme si Tirana, Zemërkau, Agimi, Sanjollas, Sërrëke etj. Çështja është se këto domate nuk japin shumë rendiment.

Mbjellja e tyre para 90-tës plotësonte nevojat e vendit vetëm për një sezon. Pra jo gjatë gjithë vitit, siç është kërkesa e tregut sot.

Së dyti, asokohe mbilleshin edhe hibride të tjera, pra fara hibride domatesh në serra, por kryesisht shkonin për eksport.

Specialistët thonë për AgroWeb.org se shija e tyre e mirë nuk vinte vetëm prej llojit të farës. Por më së shumti prej kujdesit, plehërimit sipas parametrave të kontrolluar dhe mos teprimit me kimikate.

Megjithatë ka ende fermerë që i ruajnë këto fara që përmendëm. Por më së shumti për përdorim të vogël familjar pasi, siç thamë, nuk kanë shumë rendiment për treg.

Tashmë në Shqipëri mbillen hibride të importuara nga Izraeli, Hollanda etj, që janë shumë të mira, nëse tregohet kujdesi i duhur gjatë procesit të prodhimit.

Pse kemi tani domate gjatë gjithë vitit?

Të pyetur nga AgroWeb.org, specialistët thonë se është krejt normale të pasurit e domates gjatë gjithë vitit. Më poshtë ju paraqesim shkurtimisht kalendarin e mbjelljes dhe vjeljes.

Në Janar nis mbjellja e farave të domates në serra. Serrat japin prodhim në periudhën Prill-Shtator. Në periudhën Prill-Qershor kemi domate nga Serrat e Lushnjes, Fierit Beratit. Në Gusht-Shtator kemi kryesisht domatet e Korçës.

Në Mars nis mbjellja e domateve në fushë, që japin prodhim në periudhën Qershor-Gusht.

Gjatë muajit Korrik kemi një mbjellje të sezonit të dytë në serra. Këto domate japin prodhim në periudhën Tetor-Shkurt.

Specialistët sigurojnë se, nëse plehërimi dhe spërkatja bëhen sipas parametrave të duhur, shija dhe vlerat e domates janë të një niveli shumë të lartë, falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri.

Legjendat dhe të vërtet e hormoneve


Të gjithë kemi dëgjuar për metodat e skuqjes artificale të domates.

Për të nxitur pjekjen e shpejtë të frutit disa fermerë, por sigurisht jo të gjithë, përdorin një lloj etanoli të quajtur Ethrel, që është i ndaluar në vendet e BE-së.

Me këtë kimikat lyhet pjesa e poshtme e frutit që lidhet me kërcellin, gjë që përshpejton pjekjen e frutit në mënyrë jo natyrale.

Ka specialistë që pohojnë se ky etanol nuk është i dëmshëm për njeriun, por të tjerë thonë se ka shumë pasoja në organizëm.

Fermerët mund edhe ta teprojnë me përdorimin e tij dhe fruti nuk arrin ta përthithë siç duhet, duke prishur shijen dhe strukturën.

Specialistët janë të mendimit që ajo që shkakton problem është jo thjesht Ethreli por mbi të gjitha, sasia e tepërt që ndonjëherë përdorin fermerët nga etja për fitim të shpejtë.

Gjithsesi ekspertët këshillojnë konsumatorët të zgjedhin domate që kanë frut të plotë brenda e jo me zgavra. Të jenë njëtrajtshëm të pjekura si brenda edhe jashtë, edhe pse këto nuk mjaftojnë për të qenë 100% të sigurt.

Çertifikimi

‘I kam domatet e bahçes’ nuk është çertifikatë. Konsumatori shqiptar ka ardhur koha të mos lerë gjithçka në ndërgjegjen e fermerit.

Një konsumator që kujdeset, duhet të kërkojë origjinën e produktit, çertifikimin e tij, apo të lexojë me kujdes etiketën, nëse i blen të paketuara në supermarket.

Është e drejtë themelore e konsumatorit dhe çdo tregtar ka detyrimin t’ua mundësojë informimin.

Sigurisht institucionet përkatëse duhet të bëjnë kontrolle të detajuara, por gjithsesi, ndërgjegjësimi nis nga konsumatori.

Konsumatori duhet të kujdeset të blejë një produkt që, vërtet mund të jetë pak më i shtrenjtë, por kurrë më i shtrenjtë se kosto e shëndetit./AgroWeb.org