Efektet Shëndetësore të Muçmollave Shqiptare

3.7k 1

Muçmolla është vogëlushja e familjes së trëndafilit. Kjo pemë e vogël çel fruta të vogla në ngjyrë të kafenjtë deri tek ngjyrë ndryshku.

Këto fruta janë të ngjashme me ato të trëndafilit të egër, por më të mëdha në përmasë.

Ato përbëhen nga bërthama të forta. Muçmolla është një frut me reputacion prej kohësh në vendin tonë mesdhetar. Fama e saj ka gjetur vend nga e shkuara në ditët e sotme.

Muçmolla kultivohet kudo në Shqipëri, kryesisht në jug të vendit. Pamja dhe shija e saj janë krejt unike.

Shqiptarët i kanë vënë këtij fruit emra të ndryshëm që variojnë nga dialekti i rajoneve dhe rrethinave, por marrosja pas muçmollës është e njëjtë në të gjithë territorin.

Së bashku me kumbullat shahine, muçmollat mbeten pjesë e traditës së vendit. Kohët e fundit ka patur një tendencë në rritje ndaj konsumimit të frutave që deri në një farë periudhe kanë qenë të neglizhuara nga fermerët dhe tregëtarët.

Muçmolla është pjesë e familjes së mollëve dhe dardhave. Është e fortë e thatë, e regjur kur është e papjekur.

Proçesi i pjekjes është paksa misterioz dhe shpesh krahasohet me kalbjen. Qelizat e membranës shkrumbohen, substancat e tanines zvogëlohen dhe tuli bëhet i qullët dhe ngjyrë kafe.

Shija e muçmollës është pak si vera, me nuanca të mollës, kanellës por edhe pak pikante. Kujdes, nëse nuk është e pjekur dhe gati në kalbje është e kotë ta hash sepse nuk do ta kuptosh shijen e saj të vërtetë.

Fruti i lashtësisë

Muçmolla ka vendlindjen në Azinë jugperëndimore dhe Evropën juglindore.

Ky frut ka qenë ndër të preferuarit e Grekëve dhe Romakëve ndërkohë që Britanikët e epokës viktoriane kanë qenë aq të marrosur pas saj saqë edhe vetë Shekspiri e përmendte si frut në veprat e tij.

Megjithatë në shekullin e 20-të atëherë kur Evropa pati një shpërthim të prodhimit të frutave që çelin vonë, muçmolla humbi fronin e saj të madhështisë.

Prezantimi i parë i mushmollës me Shqipërinë ka ndodhur shekuj më parë. Megjithatë asnjëherë nuk është kultivuar masivisht për tregti masive në vendin tonë. Kërkesat janë të larta edhe pse ky frut shitet në tezga të vogla në cepat e tregjeve fshatare.

Pjesa më kryeneçe e mushmollës është kur nis proçesi i pjekjes që ngjan me kalbjen. Nëse lejohen të rrinë në pemë, muçmolla do të piqet vetë natyralisht sidomos pasi ka përjetuar ftohtësinë e ngricave. Ndonjëherë frutat bien nga pema dhe humbin në natyrën e egër.

Alternativa më e mirë është kur frutat mblidhen para se ky proçes të nisë dhe pjekja të ndodhë në kushtet e shtëpisë.

Idealja është që të vendosen kokëposhtë në hapësira të drunjta dhe të ruhen në një vend të freskët pa dritë dhe të lagësht për javë me rradhë deri sa të kenë aromën karakteristike.

Vetëm një e treta e prodhimit të mushmollës arrin të piqet në pemë. Ato duhen konsumuar pasi janë zbutur.

Vlerat shëndetësore

Prej shekujve muçmolla përdoret për shërimin e problemeve me tretjen, pasi ka vlera shumë kurative për sistemin tretës.

Muçmolla është e përkryer kundër inflamacioneve të shkaktuara nga bakteriet dhe viruset, ndihmon te bajamet e infektuara dhe lehtëson organet e frymëmarrjes.

Muçmolla përmban proteina, karbohidrate, taninë, pektinë, acide organike dhe është e pasur me vitamina C dhe vitaminat e grupit B.

Ajo është burim i mirë i kaliumit, kalciumit, hekurit dhe magnezit. Pektina e pranishme ndikon në uljen e kolesterolit, përmirëson punën e zorrëve, dhe ndihmon në shërimin e infeksioneve të ndryshme në organizëm.

Muçmolla ka edhe një përdorimi tjetër interesant në formën e kompostos. Për të përgatitur këtë është e rëndësishme që të përzieni disa lugë mushmolla të freskëta të grira dhe lihen për një orë në ujë të vluar.

Gjatë ditës nevojitet të pini dy gota nga kjo pije e ngrohtë dhe organizmi do të ndihet menjëherë më mirë./AgroWeb.org