Surpriza e produkteve të frigoriferit

893 0

Produktet e frigoriferit dhe ato të sapo vjela kanë vlera të njëjta ushqyese? Për ne shqiptarët, kjo është paksa e pabesueshme. Të mësuar më së shumti me produkte të sezonit, përgjithësisht besojmë se produktet e frogoriferit apo të ngrira janë më pak ushqyese se ato të ardhura nga ferma në treg.

Por kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Në fakt, perimet e frigoriferit janë shpesh me po aq vlera ushqyese sa ato të sapo këputura. Në disa raste madje, ato i ruajnë vlerat ushqyese më mirë. Por sigurisht historia nuk fillon te fermeri që vjel produktet dhe mbaron me ngarkimin e tyre në kamiona. Një teknologji e tërë ruajtjeje dhe transporti fshihet tek mollët që blejmë këtë sezon në treg.

Në Shqipëri, mollët për shembull, zakonisht piqen në Shtator-Tetor. Fermerët vjelin mollët kur ato janë ende të pa pjekura plotësisht, i trajtojnë me spërkatësit e duhur i fusin nëpër arka dhe i ruajnë në të ftohtë në dhomat frigoriferike. Të paktën këtë rrugë ndjekin shumë nga fermerët dhe në fakt ne duhet t’ua dimë për nder për kujdesin që tregojnë për produktet që konsumojmë.

Një përqindje e lartë produktesh ushqimore që konsumojmë çdo vit, kalon përmes disa ‘hallkash ftohjeje’ në rrugëtimin nga ferma në tryezë, përfshirë produktet, lëkura e të cilave nuk ta mbush syrin se mund të durojë temperature frigoriferike, që në fakt janë mjedise me atmosferë të kontrolluar. Kemi rastin e domateve të cilat ruhen në temperature rreth 7-12 gradë në dhomat frigoriferike në pika të ndryshme grumbullimi në Shqipëri, ndërsa nuk rekomandohet t’i fusni në frigoriferët e shtëpisë, të cilët kanë temperatura shumë më të ulta pasi duhet të ruajnë një mjedis të ftohtë për një seri produktesh.

I pyetur nga AgroWeb, Profesor Tokli Thoma, pedagog dhe ekspert i bujqësisë, ndan ekspertizën e tij, teksa thotë se: Produktet e frigoriferit nuk e humbin cilësinë e tyre nëse ruhen në kushtet e kërkuara. Në pjesën më të madhe të produkteve bujqësore, ruajtja është element i domosdoshëm për mbajtjen e cilësisë. Kjo cilësi fillon të bjerë që në orët e para nga vjelja. Nëse shohim zinxhirin e lëvizjes, produktet që nga vjelja duhet të futen në procesin e ftohjes, edhe gjatë transportit përsëri duhet të rrinë në ambjente ftoheje. Në tregjet e shumicës, përsëri duhet të qëndrojnë në ambjente me temperaturë dhe lagështi të kontrolluar në varësi të produktit.

Perimet e sapo këputura përmbajnë sasinë më të madhe të Vitaminës C, sipas shumë studimeve mbi këtë çështje. Megjithatë, niveli i vitaminës C fillon të bjerë menjëherë pas vjeljes. Dardhat përshembull, humbin 51% të vitaminës C gjatë javës së parë pas vjeljes. Ruajtja në frigorifer ngadalëson nivelin e kësaj rënieje. Ruajtja në temperaturë të ambjentit gjithashtu shkakton një humbje të madhe të Vitaminës C. Pas 16 ditësh nga vjelja mashurkat e bishtajat  humbin 45 përqind të vlerave ushqyese, brokoli dhe lulelakra 25 për qind.

Përgjithësisht, duhen nga disa ditë deri në dy javë që një produkt të shkojë nga ferma në treg. Gjatë transportit, vlerat ushqyese fillojnë e humbasin nëse ato ekspozohen ndaj nxehtësisë, dritës dhe oksigjenit. Kjo kohë është akoma më e gjatë nëse këto produkte nuk janë të sezonit, dhe kjo është arsyeja pse përshembull boronicat janë më të shtrenjta e gjenden me vështirësi gjatë dimrit. Ndryshe nga ky rast, produktet e ngrira, zakonisht vilen sapo piqen dhe ruhen menjëherë në frigoriferë. Ky proçes ruan brenda frutit vlerat ushqyese, gjë që shpesh e bën produktin të ketë vlera më të mëdha sesa produkti jo i ruajtur në frigorifer, në varësi edhe të tipit të produktit.

“Kur vjen puna në frigoriferët e shtëpisë, temperaturat janë të ndryshme nga dhomat frigoriferike ku kjo temperaturë vendoset në varësi të produktit”, thotë profesor Tokli. Nuk duhet të fusni në frigorifer produkte si domatet, specat, patëllxhanët, ndërsa gjithmonë duhet të ruani në frigorifer bulmetrat.
Standardet e ruajtjes janë thelbësore për të pasur produkte me një cilësi të lartë, thotë prof. Tokli Thoma, duke shtuar se fermerët dhe agro përpunuesit duhet të trajnohen dhe të çertifikohen me sistemet e menaxhimit të cilësisë në mënyrë që të arrijnë standardet thelbësore jo vetëm për tregun vendas, por mbi të gjitha për eksport.

Rëndësia e dhomave frigoriferike

Mungesa e magazinimit dhe ruajtja në mjedise cilësore frigoriferike në Shqipëri është nje prej arsyeve pse fermerët nuk arrijnë të eksportojnë produktet e tyre pasi nëse nuk ruhen siç duhet, pas vjeljes ato prishen. Boronicat janë një rast tipik.

“Eshtë e vërtetë, ne i shesim boronicat në Kosovë”, thotë për AgroWeb, Shkëlzen Hallaçi, një grumbullues dhe shitës nga zona e Kukësit. Arsyeja se pse boronicat nuk mbërrijnë dot në kryeqytet dhe në çdo qytet të vendit është mungesa e dhomave frigoriferike për t’i mbajtur boronicat e freskëta. “Ne jemi pak primitivë për sa i përket ruajtjes së këtij fruti, pasi na mungojnë dhomat frigoriferike, për të cilat Kosova është shumë para nesh”, pohon ai.

Në vit ai tregëton afro 300 ton boronica të freskëta në Kosovë, të gjitha nga zona e Kukësit, por asnjë kokërr nuk ka qëndruar në Shqipëri. “Duke na munguar infrastruktura ne duam t’i shesim sa më shpejt të jetë e mundur, pasi përndryshe do të prishen dhe nuk do t’i blejë më askush”, thotë z.Hallaçi.

Pikërisht lidhur me produktet frigoriferike, AgroWeb ka parë krejt një tjetër histori në Kashar, në afërsi të Tiranës. Genc Seferi ka investuar në një mjedis frigoriferik rreth 1.600 m2. Aty ruhen rreth 400 ton boronica që vijnë nga zonat malore në Veri të Shqipërisë të ruajtura të freskëta, gati për t’u eksportuar në Evropë dhe tregtuar në Shqipëri.

“Ne mund t’i ruajmë frutat dhe për një kohë më të gjatë”, thotë Seferi. Sezoni zakonisht zgjat deri në shtator, por me varietetet që janë pak më të vona, ne mund ta zgjasim më shumë sezonin”. Çka do t’i ndihmojë tregtarët që të jenë më konkurues në tregun lokal dhe të jenë në gjendje të eksportojnë në atë Evropian. “Ne jemi shumë krenarë për cilësinë tonë të frutit. Kjo është ajo çka na dallon nga të tjerët”, thotë Genc Seferi, i cili është ndër të përzgjedhurit e projektit të USAID, AgroKapital, të zbatuar nga CBS për mbështetje me financim.

Fillimisht z.Seferi kishte vetëm një dhomë frigoriferike, ndërkohë që tani kanë të instaluara 9 dhoma të tjera. Përveçse t’i mbajnë frutat e ngrira, ata mund të kontrollojnë gjithashtu dhe gjendjen e ruajtjes së frutave, ndërkohë që hapësira e madhe u lejon që të blejnë fruta dhe nga shumë fermerë të vegjël.

Të gjitha këto magazina frigoriferike janë hallka të një zinxhiri të tërë të quajtur ‘zinxhiri i ftohjes’. Pikërisht përmes tyre ne arrijmë të kemi fruta të freskëta gjatë gjithë dimrit dhe produkte cilësore përgjatë të gjithë vitit, pavarësisht stinës./AgroWeb.org/