Firmoset zhbllokimi i kreditimit të bujqësisë

350 0

Mungesa e financimit është hendeku më i madh që qëndron mes një fermeri dhe suksesit. Dhe nëse fermeri është i ri apo ka ambicie të ngrejë apo të zhvillojë një fermë, kjo sipërmarrje pa financim është si një këpucë dy numra më të mëdhenj, me të cilën as mund të ecësh e jo më të vraposh. Marrëdhëniet bankier-fermer nuk kanë qenë ndër më të mirat në vite, por në rastin kur të dy palët arrijnë të shohin potencial zhvillimi nga bashkëpunimi me njëri tjetrin, atëherë edhe marrëdhënia ndryshon. Sigurisht nëse palë të treta japin një dorë që marrëdhënia të konsolidohet.

Në këtë rast “shkuesit” janë Qeveria Shqiptare dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat dje nënshkruan një marrëveshje për të zhbllokuar kreditimit në bujqësi, duke adresuar mungesën e kolateralit si problem kreditimi tek fermerët si dhe për të stimuluar bankat që të rrisin aktivitetet e tyre kredituese në bujqësi. Në mënyrë që të zhbllokohet ky sektor kaq i rëndësishëm për ekonominë pikërisht përmes Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri do të dedikohet një fond garancie prej 75 milion Euro.

Fondi do të jetë në dispozicion të çdo fermeri në Shqipëri nëse ata do të përmbushin kriteret, duke pasur një plan të qëndrueshëm biznesi. Por përveç fermerëve, sipas Kreut të BERZH në Tiranë Kristof Denk, në një intervistë të dhënë më herët për Agroweb, kjo skemë përfshin të gjithë sistemin zinxhir të agro-biznesit, duke përfshirë këtu agro përpunimin, logjistikën, ruajtjen dhe shitjen me shumicë e pakicë. “Kjo do t’iu mundësojë sipërmarrësve që të realizojnë projektet e tyre investuese dhe të rrisin në këtë mënyrë biznesin e tyre. Bankat dhe institucionet e tjera financiare janë ndërmjetesuesit. Ne duam t’i inkurajojmë ata që të japin kredi. Qëllimi ynë është që të krijojmë një situatë të favorshme për të gjithë palët”, është shprehur Denk.

Nën këtë platformë të re, BERZH synon të përmirësojë mundësitë e financimit për agrobizneset vendase duke ofruar linja të dedikuara kredie për bankat shqiptare dhe institucionet mikrofinanciare apo duke ndarë me ata riskun e huadhënies në sektorin e agrobiznesit. Qeveria Shqiptare ka ofruar një instrument për mbulimin e humbjeve të para me qëllim reduktimin e riskut të huadhënieve.

 

Dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë dhe BERZH

 

“Qeveria shqiptare e ka kthyer zhvillimin e bujqësisë dhe të agrobiznesit në një prej prioriteteve të saja strategjike dhe është e angazhuar në mbështetjen e sektorit përmes një sërë nismash për reforma dhe mbështetjes financiare. Ne besojmë se ky program i ri do të na ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi dhe në fuqizimin e ekonomisë së Shqipërisë”, deklaroi Shkëlqim Cani, Ministri Shqiptar i Financave.

Financimi rural është ndoshta pjesa më kritike për t’u kapërcyer nga sistemi bankar shqiptar, i cili në 20 vitet e fundit ka treguar pak interes për kreditimin e sektorit bujqësor. Një sektor, i cili paradoksalisht është dhe një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar rreth 19.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sektori që ka më shumë potencial për zhvillim.

“Bujqësia shqiptare ka një potencial të madh të pashfrytëzuar. Duke zhbllokuar financimin e agro-bizneseve, duke iu krijuar atyre mundësinë të përfundojnë projektet e tyre investuese, ne besojmë se ky sektor mund të kontribuojë edhe më shumë në rritjen ekonomike dhe në punësimin në vend. Ne gjithashtu besojmë se ka një potencial të madh për të rritur eksportet e disa produkteve të caktuara bujqësore, duke u hapur kështu në më shumë tregje e duke kontribuar në më shumë rritje ekonomike”, tha Kristof Denk.

Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit do ta adresojë këtë sfidë përmes përmirësimit të mundësive për financime në të gjithë vendin. Ky program do të përfshijë gjithashtu asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve dhe trainime nga programi i BERZH për Mbështetjen e Bizneseve të Vogla. BERZH do të vazhdojë të mbështesë autoritetet shqiptare për veprimtari specifike në kuadër të ndërmarrjes së iniciativave për reforma sektoriale, në koordinim me partnerë të tjerë të zhvillimit.